Debati për Stadiumin, flet më në fund Federata

Debati për Stadiumin, flet më në fund Federata

102
0
Shares

Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, “autor” i ndërtimit të stadiumit të Elbasanit dhe atij të Shkodrës flet te Panorama Sport për detajet e marrëveshjes me firmën “Alb Star” për ndërtimin e Arenës Kombëtare prej 50 milionë eurosh.

Si është e mundur që ka kaq shumë paqartësi mbi stadiumin e ri?

Nuk ka paqartësi. Thjesht është krijuar konfuzion nga akuzat e kohëve të fundit.

Atëherë, të japim disa përgjigje për pikëpyetjet e ngritura së fundmi. Si u përzgjodh firma fituese?

Ne hapëm një tender për stadiumin. U paraqitën shumë firma, angleze, gjermane, italiane apo shqiptare…

U njoftua për tenderin? Pati lajmërime në media?

Po, po. Pa diskutim. Edhe në media, edhe në faqen zyrtare të Federatës.

Dhe cilat ishin kriteret për firmat pjesëmarrëse?

Kushti më i rëndësishëm për ne ishte në aspektin financiar. Nuk donim që të dështonim sërish, ndaj kërkonim që firmat të kishin garanci financiare 15% të shumës së projektit. Më pas, duhet të propozonin projektet, duke respektuar kushtet që ne kishim vendosur. Pra, stadium mbi 20 mijë vendesh, i nivelit të katërt ose të pestë të UEFA-s.

Si është e mundur që firma fituese mbeti si kandidate e vetme?Në dijeninë time, duhet të jenë të paktën tri firma pjesëmarrëse, që një tender të jetë i vlefshëm…

Po, edhe ne e patëm këtë kusht. Por, pjesa më e madhe e firmave që morën pjesë, u tërhoqën në fund. Ka qenë edhe firma e zotit Dulaku, e cila kërkoi shtyrje të afatit, duke kërkuar kohë, kur kishin mbetur edhe pesë ditë. Por, ne nuk mund ta shtynim tenderin kur kishin mbetur edhe pesë ditë, sepse ne i kishim lënë kohë në dispozicion për të bërë kërkesat. U kishim lënë 40 ditë. Sa i përket pjesës që mbeti vetëm një firmë, FSHF-ja, duke qenë ent jopublik, sepse ne jemi privatë dhe “Qendra Kuqezi” është shoqëri aksionere, mund të mos i zbatojë rregullat e prokurimit publik. Pra, edhe me një firmë mund ta quajë të vlefshëm tenderin. Prona ku do të ndërtohet stadiumi ka një vlerë shumë të madhe në treg.

Si është e mundur që nuk u provua një formë tjetër, duke mos e shitur te privati. Mbase me koncesion, ose duke marrë vetë kredi dhe duke lënë kolateral pikërisht atë pronë?

E kemi menduar edhe këtë alternativë. Por, nuk gjetëm dot asnjë bankë shqiptare që mund të na jepte kredi, sepse bëhej fjalë për një shifër shumë të madhe parash. Duke ditur kushtet, ajo duhet të zgjaste 35- 40 vite dhe bankat shqiptare nuk japin kredi me afat të tillë. Pra, kjo mundësi ra. Patëm edhe rastin me koncesion, me kompaninë “Serenissima”, i cili gjithashtu nuk funksionoi.

Pse nuk funksionoi?

Sepse firma donte garanci financiare nga parlamenti. Negociuam, por ata e vunë kusht; ose garanci, ose tërhiqen. Kështu që nuk u arrit një marrëveshje. Ne nuk e ndërtonim dot, qeveria s’e ndërtonte dot, sepse ishte periudhë krizë, atëherë vendosëm që të shisnim një pjesë. Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria mori një vendim, që një pjesë mund të përdorej për ambiente biznesi, ndërsa pjesa tjetër do qëndronte me karakter sportiv, pa të drejtë për ndryshim destinacioni.

Të kalojmë pak te detajet e projektit. Si do të jetë kulla?

Është përfolur shumë kulla. Unë mendoj se është më tepër pjesë e politikës. Ajo do të ketë një pjesë shumë të vogël të sipërfaqes së biznesit. Në total nuk i kalon 6 mijë metrat katrorë. Do të jetë 15 kate mbi nivelin e stadiumit.

Si është bërë ndarja midis FSHF-së dhe kompanisë që do ta ndërtojë?

Që ta sqarojmë edhe këtë pjesë, se gjithashtu ka pasur abuzime. FSHF-ja do ketë në pronësi të plotë të gjitha ambientet sportive. Madje, edhe fondi prej 10 milionë eurosh që do të jepet nga UEFA do përdoret prej firmës vetëm për stadiumin. Përveç kësaj, Federata do ketë edhe 12 mijë metra katrorë në dispozicion, te pjesa e hapësirave të biznesit, që do shërbejnë si zyra.

Po firmës sa i mbeten?

Nuk e di me saktësi, por besoj se 25 mijë metra katrorë.

Po parkingu?

Ai do jetë gjithashtu në pronësi të firmës “Alb Star”. Do jenë dy kate parking, vetëm nën tokë. Aktualisht, pjesa ballore e stadiumit është një hapësirë e dhënë me koncesion për parking.

Si është e vërteta me çështjen e fasadës ballore, që është monument kulture. Në fillim nuk ishte në projekt, ndërsa tani është futur…

Ka qenë thjesht një gabim shpejtësie nga ana e firmës. Duke qenë se po kërkonim që ta zyrtarizonim, firma kishte dërguar foto të projektit, pa pjesën e fasadës. Por, ajo do të jetë e inkorporuar. Do vendosen vetëm detaje të vogla, të tipit do vishet me xham, apo jo.

Për ta mbyllur, me një ide më të qartë mbi përfundimin. Kur do jetë gati stadiumi?

Fiks dy vite, pasi të jetë marrë leja. Besoj se edhe leja nuk do vonojë, duke ditur vullnetin e palëve. Firma ka detyrim të paracaktuar në kontratë, që brenda dy vitesh të përfundojë stadiumin. Ai duhet të jetë gati, në të kundërt ka penalitete financiare, që mund të arrijnë deri në sekuestrimin e garancisë që kanë dhënë, që është 15% e vlerës totale…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY