Qeveria ka ndryshuar disa prej neneve të vendimit të mërpashëm të saj që lidhet me koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat.
Propozimi për ndryshime ka ardhur nga ministria e Ekonomisë.
Ndërkohë që politika e dhënies së koncesioneve nga ana e qeverisë po kritikohet ashpër nga opozita dhe po kundërshtohet edhe brenda mazhorancës kryeministri ka shtuar kujdesin që nga ana ligjore koncesionet të jenë të justifikuara.
Ndryshimet në vendim janë përqëndruar kryesisht tek propozimi i pakërkuar, një skemë përmes të cilës ka aplikuar edhe kompania kinezo-shqiptare që kërkon koncesionin e mbledhjes së TVSH në Shqipëri.
Gjatë aplikimit të kinezëve administrata e Ministrisë së Financave ka hezituar të aprovojë këtë lloj koncesioni për shkak të mungesës së sigurisë se po marrin një vendim të bazuar në ligj. Vetë ministri i Financave Shkëlqim Cani ka qenë i mëdyshur lidhur me këtë lloj koncesioni cfarë i kushtoi atij ndër të tjera edhe largimin nga qeveria.
Më poshtë janë disa prej ndryshimeve në vendim:
“Neni 11
Propozimi i pakërkuar në formë të zhvilluar
Propozimi i pakërkuar, i paraqitur në këtë formë, përmban:
a) përshkrimin e situatës aktuale, vlerësimin e të metave kryesore, kontekstin e zhvillimit dhe, nëse është e përshtatshme, një panoramë të tregut;
b) parashikimet afatmesme dhe afatgjata të nevojave;
c) përshkrim të përgjithshëm të projektit;
ç) përfitimet strategjike dhe operacionale që priten nga projekti;
d) bashkërendimin me politikat e investimeve të përgjithshme, sektoriale apo rajonale;
dh) analizat teknike, sipas nenit 5 të këtyre rregullave;
e) ndikimet mjedisore dhe sociale, sipas nenit 6, të këtyre rregullave;
ë) analizat ekonomike dhe financiare, sipas nenit 7 të këtyre rregullave.”.
8. Neni 12 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Raporti përmbledhës i propozimit të pakërkuar
1. Komisioni i koncesionit/PPP harton raportin përmbledhës në të cilin verifikon plotësimin e kushteve të parashikuara në nenin 10 dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë e në përputhje me nenin 11 të këtyre rregullave. Në raport përcaktohet nëse:
a) objektivat e projektit janë të përcaktuar qartë dhe të arritshëm;
b) objektivat e projektit i shërbejnë interesit publik dhe përshtaten brenda prioriteteve strategjike të autoritetit kontraktues;
c) nuk ka pengesa ligjore ose kufizime për zbatimin e projektit dhe/ose për të hyrë në një kontratë koncesioni/PPP;
ç) projekti mund të zbatohet siç është planifikuar, duke përdorur teknologjitë e propozuara dhe pa rreziqe të paarsyeshme teknike;
d) projekti duket të ketë qëndrueshmëri ekonomike;
dh) projekti duket të jetë në gjendje të tërheqë garantuesit/mbështetësit financiarë, duke siguruar kthimin e arsyeshëm financiar;
e) niveli i propozuar i alokimit të riskut nga subjektet e sektorit publik dhe privat është racional dhe i arsyeshëm;
ë) mbështetja e duhur financiare mund të përshtatet brenda buxhetit të kufizuar dhe detyrimeve të tjera fiskale.
2. Gjatë periudhës së përgatitjes së raportit përmbledhës, autoriteti kontraktues mund të kërkojë informacione shtesë nga propozuesi.
3. Bazuar në raportin përmbledhës, autoriteti kontraktues vendos:
të kthejë për plotësim propozimin e pakërkuar, për shkak se nuk është paraqitur sipas formave të kërkuara në nenin 10 të këtyre rregullave. Në këtë rast, propozuesi ka afat 30 ditë nga data e kthimit të propozimit për të plotësuar atë.
të pranojë propozimin dhe të vazhdojë hartimin e studimit të fizibilitetit;
të refuzojë propozimin dhe të heqë dorë nga zbatimi i projektit. Bazat për ndërprerjen mund të përbëhen nga provat thelbësore të mungesës së mundshme të fizibilitetit të projektit/alternativave që janë analizuar. Prova të tilla krijohen në bazë të krahasimeve paraprake të përfitimeve dhe kostove të përdoruesve, të informacionit për mungesën e fizibilitetit/përshtatshmërisë financiare apo të konkluzionit se objekti në përgjithësi nuk është i nevojshëm.
Në të gjitha rastet e sipërpërmendura autoriteti kontraktues i komunikon me shkrim propozuesit vendimin e marrë.”.
“Neni 15
Dhënia e bonusit
1. Në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, propozuesit i jepet një bonus për rezultatin tekniko-financiar të arritur gjatë procedurës konkurruese deri në një maksimum prej 10% të pikëve totale të garës.
2. Këshilli i Ministrave, në bazë të propozimit të autoritetit kontraktues, miraton me vendim pikët që i jepen si bonus për propozuesin.”.
13. Në nenin 19 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Kërkesa për miratimin e Ministrisë së Financave shoqërohet me studimin e fizibilitetit të zhvilluar plotësisht, duke përfshirë arsyetimin e vendimit për dhënien me koncesion/PPP, analizat e riskut, informacionin për projektet ekzistuese të koncesioneve/PPP dhe angazhimeve buxhetore që rrjedhin prej tyre.”.
“3. Përveç përshkrimit dhe dokumentacionit të përmendur në pikën 2, të këtij neni, autoriteti kontraktues dorëzon një raport cilësor dhe sasior risku dhe një raport mbi implikimet fiskale vjetore të drejtpërdrejta dhe/ose të pritshme të ndryshimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës, përfshirë një përshkrim të burimeve të financimit për shërbimin e detyrimeve të drejtpërdrejta, duke përfshirë, por pa u kufizuar në pagesat e tarifave vjetore të disponueshmërisë si dhe garancitë.”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/