Rama udhëzon edhe britanikët se si duhet të votojnë ne referendum

Rama udhëzon edhe britanikët se si duhet të votojnë ne referendum

70
0
Shares

Pas “udhëzimeve” që dha në Uashington lidhur me fushatën presidenciale në Amerikë, Kryeministri Edi Rama ka publikuar dje në gazetën Times të Londrës një artikull ku u sugjeron britanikëve të votojnë pro mbetjes në BE.

Më poshtë janë arsyet që rendit Rama dhe besohet që edhe britanikët do t’i kenë parasysh ditën e votimit.

Kryeministri pasi deklaron votën e tij kundër daljes së Britanisë nga BE në vijim thotë dhe arsyet se pse mendon kështu:

“Më lejoni të shpjegoj përse mendoj kështu.

Ne duam të ecim përpara dhe po punojmë për anëtarësim pa patur asnjë nga të mirat që kanë vendet anëtare të BE. Të mira që Britania do t’i humbiste, nëse del nga ky Bashkim. Dhe bëhet fjalë për përfitime shumë të rëndësishme, si për shembull shërbimet e ofruara nga tregu europian në të cilat ne kemi akses të kufizuar, ndërsa nuk kemi mundësinë e shërbimeve financiare. Një ndër to, bankat tona nuk operojnë dot në BE ashtu si bankat britanike dhe bankat me qendër në Britani.

Lehtësi tjetër shumë e madhe është bashkimi doganor. Për ne që nuk jemi pjesë e tij kjo përkthehet në burokraci e kosto të shtuara për bizneset eksportuese të mallrave të origjinës. Nga ana tjetër, duke krijuar një lehtësi të ngjashme me anëtarët e saj, BE na heq tarifat dhe detyrime doganore të mallrave industriale, por na kufizon në një pikë shumë të fortë, në prodhimin vendas. Një seri prodhimesh bujqësore e blegtorale, veçanërisht mishi, janë ndër më të mirët në botë, por tarifat e vendit të favorizuar për shumë prodhime bujqësore dhe kuotat për shumë produkte të peshkimit na kufizojnë eksportin drejt BE-së.

Së fundi, duhet të dini se janë dashur plot gjashtë vjet negociata që Shqipëria të arrinte stadin aktual të marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europian. Natyrshëm Britania do ta niste procesin nga një tjetër pikë krahasuar me Shqipërinë, nëse do të dilte nga BE. Por, duke folur nga pozicioni i dikujt që ka negociuar me Bashkimin Europian nga jashtë, mund t’ju them se ky proces negociatash mes Britanisë dhe BE-së mund të zvarritet lehtësisht për shumë kohë. Edhe pse zoti Gove pretendon se kjo çështje do të zgjidhet lehtësisht brenda dy vitesh, unë besoj se ky parashikim nuk është aspak realist.

Jam i bindur se vendi im ka përpara një të ardhme frymëzuese për shkak të nismave që po ndërmarrim me mbështetjen dhe nxitjen e Bashkimit Europian. Në këtë rrugëtim tonin, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar, ka qenë e mirëpritur dhe ndihmesë thelbësore në zbatimin e reformave, më e rëndësishmja ajo në drejtësi ku ne kemi përfituar nga bashkëpunimi me shumë ekspertë britanikë. Por nga ana tjetër, nuk mund të jem veçse i habitur që Britania të shohë si model bashkëpunimi me Bashkimin Europian marrëdhënien e sotme mes Shqipërisë dhe BE. Nëse ne që e kemi provuar duam ta ndryshojmë këtë model dhe të anëtarësohemi në BE, përse ju doni të dilni jashtë Bashkimit?

Sigurisht që në fund të fundit gjykimi mbetet i juaji. Do të jenë britanikët ata që do të zgjedhin për të qëndruar pjesë e Bashkimit Europian, apo për të dalë nga ky Bashkim. Por ky vendim sigurisht që do të ketë një impakt më të gjerë se vetëm Britania e Bashkuar. Si një mik dhe dashamirës i Britanisë, unë shpresoj sinqerisht se ju do të votoni për të qëndruar pjesë e Bashkimit Europian.

Nuk ka dhe as nuk mund të ketë një konfederatë Britaniko – Ballkanike jashtë Bashkimit Europian. Për aq kohë sa ne duam t’i tejkalojmë marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian e të bëhemi vend anëtar i BE, modeli ynë i tanishëm nuk mund të jetë modeli që synon Britania.

Jam plotësisht i bindur se qëndrimi i Britanisë në Bashkimin Europian është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë. E ndërkohë jam po aq i bindur se ky vendim do të ishte më i miri edhe për Britaninë dhe miliona njerëzit e tjerë në Europë e më gjerë, që sot i bëjnë thirrje popullit britanik: ju lutem mos u largoni”.​

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY