Prokuroria shqiptare po zhvillon hetime në Tiranë për disa shtetas belg, të cilët tentojnë të shfrytëzojnë vendin tonë për pastrimin e parave të prejardhura nga aktivitetet kriminale.
Shefi i akuzës shqiptare, Adriatik Llalla dhe Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuë u takuan sot në Tiranë ku dy drejtuesit e Prokurorive u fokusuan ndër të tjera edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale.
Ndërmjet Shqipërisë dhe Belgjikës ka një bashkëpunim shumë pozitiv sa i përket evidentimit, hetimit dhe zbulimit të shtetasve shqiptarë dhe belgë, të përfshirë në veprimtari kriminale.
Gjatë bisedës u trajtua edhe cështja e dosjes penale të ish-deputetit Mark Frroku.
Pas atentateve terroriste të ndodhura pak muaj më parë në Paris dhe në Bruksel, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, krahas bashkëpunimit me strukturat ligjzbatuese vendase, ka intensifikuar ndjeshëm kontaktet me zyrat homologe, me qëllim koordinimin në kohë reale dhe përballimin e kësaj sfide ndërkombëtare.
Të dy prokurorrë shprehën të njëjtin qëndrim gjatë takimit të zhvilluar të Martën (dt. 26.04.2016) në Tiranë, se “aktet barbare që tronditën Brukselin dhe mbarë botën e qytetëruar pak kohë më parë, nxisin të gjithë institucionet e sigurisë të forcojnë bashkëpunimin për të parandaluar disa anonimë që synojnë të godasin vlerat universal”.
Z. Llalla, duke folur lidhur me ekstremizmin fetar, garantoi homologun e tij se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/