Biznesi i mirë i fotografisë

Biznesi i mirë i fotografisë

142
0
Shares

Fotografia është shndërruar vitet e fundit në një ndër profesionet më të përhapura dhe ndër bizneset e reja që marrin jetë nga dëshira e shqiptarëve për të përjetësuar një moment të veçantë. Nga bebet deri te më të mëdhenjtë, të gjithë qëndrojnë përpara “lentes magjike”, çmimi për të cilin thuajse i përshtatet çdo individi…

Pavarësisht se dëshira mund të jetë e madhe, të shndërrohesh në një fotograf profesionist në Shqipëri dhe të hapësh një biznes për këtë, nuk duket e lehtë. Me numrin gjithnjë e në rritje të studiove të tilla, fotografët tregojnë se ky lloj biznesi ka kosto të larta, si dhe përballen me konkurrencën e pandershme, në një treg të vogël…

Ngjarjet që ushqejnë këtë biznes janë disa: martesat, ditëlindjet, festa si Halloween, Krishtlindjet dhe Viti i Ri etj., ndërsa disa nga fotografët me përvojë tregojnë se shqiptarët duken gjithnjë e më tepër të interesuar për të marrë një shërbim të tillë. Por, me sa duket, shqiptarëve u pëlqejnë të bëjnë zgjedhje ekonomike, ndaj dhe shtresa e lartë brenda vendit, por edhe shqiptarët që jetojnë jashtë janë “lënda e parë” për fotografët më të kushtueshëm. Pjesa tjetër përshtaten në tregun tashmë të zgjeruar të shërbimeve video dhe fotografike, të cilat kanë gjithnjë një çmim të leverdishëm për të gjithë të interesuarit.

Përgjithësisht, biznese të tilla i përfshijnë të dyja shërbimet, foto dhe video, herë nga i njëjti person dhe herë nga partnerë të bërë bashkë, për t’u dhënë mundësinë shqiptarëve që të gjejnë të gjitha në një.

Një shërbim fotografie i një eventi të rëndësishëm si martesa nis nga 10-20 mijë lekë, seksioni i fotografive të dedikuar çiftit, deri në 1500–2000 euro foto, xhirime për video, montazhi i filmimit, album fotografie etj.

Por, disa nga fotografët profesionistë tregojnë për Monitor se konkurrenca e pandershme shpesh luan rol negativ në punën e tyre. Alla Simacheva, fotografe profesioniste që punon në Tiranë prej vitesh thotë se konkurrenca është e pandershme në Shqipëri, pasi në këtë fushë nuk ka kritere të qarta se kush është fotograf.

“Kush është fotograf? Ai që ka një pajisje profesionale, ai që ka studiuar për këtë profesion, apo ai që ka talent në këtë fushë?”- ngre pyetjen znj. Simacheva, e cila shton se shpesh bilanci i tregut çrregullohet, duke qenë se fotografë me çmime të ulëta detyrojnë fotografë me çmime rreth mesatares që të ulin këto çmime, pavarësisht se cilësia që ofrojnë është më e lartë.

Znj. Simacheva liston kostot kryesore të këtij biznesi në vendin tonë, kemi: kosto administrative dhe shpenzime zyre, kostot e shitjeve dhe reklamimit, duke përfshirë edhe kostot e skenave, si dhe kosto të pajisjeve fotografike. Sipas saj, në nisje të këtij biznesi gjithnjë fitimi shkon për riinvestim, gjersa biznesi gjen rrugën e tij dhe pjesën e tregut që i takon.

Ndërsa Olsi Beçi, një emër i dëgjuar në këtë biznes, tregon se në fillim, shpesh shërbimet janë dhënë falas ose gjysmë-dhuratë, duke qenë se njohja është “Nr.1” që të jesh i suksesshëm në Shqipëri. Sipas tij, në tregun e fotografisë në vendin tonë më tepër funksionon referenca apo sugjerimi nga familjarë apo miq, se sa reklamimi në forma të ndryshme.

“Biznesi i shërbimeve fotografike është kaq i dukshëm sa një punë jocilësore të rrënon dhe të bën të zbresësh shkallë që mezi i ke ngjitur”,- thotë z. Beçi.

Fotografi profesionist, Flor Abazi, tregon se fotografia është një art që nuk të lë në baltë, madje sipas tij ndër fushat më të paguara në Shqipëri. Sa u përket kostove të punës, ai thotë se varen nga mënyra se si dëshiron një fotograf të punojë. “Është çështje cilësie. Mund të zgjedhësh të punosh me aparatura me kosto të vogël por kualiteti do të jetë po si çmimi. Ti merr atë që paguan dhe ky është një efekt zinxhir” – thotë z. Abazi, duke pohuar se kjo është arsyeja që ka shumë fotografë, shumë të interesuar; secili mban një pjesë të tregut që i takon, nga lloji dhe cilësia e punës që ofron. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY