Procesi gjyqësor ndaj Erando Qatipit dhe Xhoana Hilës është shtyrë për të dytën herë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Këta dy shtetas akuzohen për vrasjen e 82-vjeçares Angje Hila, ngjarje e ndodhur në shkurt të 2015-s, teksa Xhoana është mbesa e viktimës.
Shkak për shtyrjen e seancës së dytë gjyqësore është bërë tërheqja e avokatit mbrojtës të Xhoana Hilës me pretendimin se nuk mund ta përfaqësonte për ta mbrojtur të akuzuarën, shkruan Panorama.
Kështu, tashmë Gjykata do t’i caktojë një avokat mbrojtës për të vijuar këtë proces gjyqësor. Edhe seanca e parë, më 5 prill, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës për dy të akuzuarit. Seanca e radhës do të jetë më 4 maj të këtij viti.
Pasi seanca gjyqësore u shty, djali i viktimës, Andrea Hila, që është edhe xhaxhai i të akuzuarës Xhoana Hila, e cilë- soi një veprim të drejtë tërheqjen e avokatit mbrojtës të mbesës së tij, duke thënë se është solidarizuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa u shpreh se pret me padurim që të jepet vendimi nga Gjykata, duke kërkuar drejtësi dhe të dyshuarit për autorë të vrasjes së nënës së tij të dënohen sipas ligjit.
“Unë e kam thënë se nuk e fal mbesën time. Zoti fal, unë nuk jam Zoti. Avokati bëri mirë që u tërhoq dhe me tërheqjen tregoi se është solidarizuar me ne. Ne vazhdojmë që të kemi besim te drejtësia shqiptare dhe shpresojmë që të jepet dënimi i merituar. Provat janë aty dhe gjithçka tjetër. Ne presim me padurim seancën e radhës dhe vendimin që do të jepet për dy të akuzuarit”, tha Hila.
Ngjarja për vrasjen e 82-vjeçares Angje Hila u zbulua pas 3 muajsh nga Policia e Shkodrës, e cila, pasi mblodhi të gjitha provat, çoi në dyert e paraburgimit 27- vjeçarin Erando Qatipi dhe 32- vjeçaren Xhoana Hila, të cilët kishin një lidhje dashurie bashkë dhe akuzohen se e kanë mbytur të moshuarën për t’i vjedhur sendet me vlerë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/