“Sot dorëzuam në Komisionin Zgjedhor të Partisë kërkesën tonë për Hapjen e Kutive të Referendumit. Bashkëlidhur kërkesa”, ka bërë të ditur në “Facebook” deputetja e PS-së Mimoza Hafizi.
Ajo ka bërë publike edhe kërkesën zyrtare, adresuar Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste (KZP).
KËRKESË
Drejtuar: Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste (KZP)
Objekti:
a) Kërkojmë të na jepet një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP, mbi bazën e të cilës u zhvillua referendumi i datës 09. 04. 2016.
b) Kërkojmë të na vihen në dispozicion kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, në referendumin e datës 09. 04.2 016.
c) Kërkojmë të na vihen në dispozicion kopjet e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezultatit për çdo vendvotimi të ngritur në referendumin e datës 09.04.2016.
d) Kërkojmë të na vihet në dispozicion një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016.
Baza Ligjore: Nenet 2, 15, 16, 18, 20, 22, 24, 25, 26, 27, 28, 30, 32, 33, 34, 35, 36, 37, 43, 44, 47, 48, 50, 55, 56, 57, 58 dhe 59 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH
Të nderuar anëtarë të KZP
Më datë 09.04.2016, në Partinë Socialiste me anëtarësinë e saj u mbajt referendumi, në fletën e votimit të së cilit ishte ushtruar pyetja “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër: A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?”
Ky referendum, në kundërshtim nga sa parashikon Statuti i PS dhe neni 2 i Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, nuk u zhvillua duke respektuar parimet që lidhen me një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë, të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Statutin e PSSH si dhe në aktet ndërkombëtare të njohura dhe të pranuara, dhe se zgjedhjet për të nuk u bazuan në konkurrencën e lirë, të barabartë, të ndershme e transparente ndërmjet alternativave konkurruese sepse:
I. Çështja e shtruar në këtë referendum, që pasqyronte fleta e votimit të tij, në kundërshtim, si me nenin 45 të Statutit të PS miratuar me 05.11.2011, ashtu edhe me nenin 72 të Projekt Statutit të PS, propozuar për miratim Kongresit PS të datës 19.03.2016, nuk u diskutua, shqyrtua dhe miratua nga vetë Kongresi i PS, i cili është organi i vetëm që ka të drejtën ekskluzive për të vendosur për çështjen objekt referendumi.
II. Caktimi i datës së zhvillimit të këtij referendumi u bë nga Kongresi i PS, në tejkalim të parashikimeve statutore te sipërcituara të nenit 45 të Statutit të PS, dhe nenit 72 të Projekt Statutit të PS, si dhe në kundërshtim me nenin 55 pika 5 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, i cili parashikon se:
Neni 55
5. Data e zhvillimit të referendumit caktohet nga Kryetari i PSSH dhe shpallet prej tij jo më vonë se 10 ditë pas marrjes së vendimit për zhvillimin e tij.
III. Zhvillimi i këtij referendumi u mbaj në kundërshtim me nenin 56 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, i cili parashikon se:
Neni 56
Kufizime në ushtrimin e të drejtës së referendumit
Referendumi në PSSH nuk mund të zhvillohet:
a. Dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit të Partisë,
IV. Në këtë referendum ne u shpallëm alternativë referendare, kundër çështjes së shtruar. Megjithëkëtë, në kundërshtim me nenet 43, 44, 47, 48 dhe 50 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, nuk u lejua të organizohej një fushatë zgjedhore sipas parashikimeve të këtyre neneve.
Kjo solli që, në kundërshtim me këto nene:
• Organet dhe strukturat e partisë në qendër e në bazë dhe ato të parashikuara në Kodin e Zgjedhjeve në PSSH nuk respektuan detyrimin që të garantonin barazi për alternativat referendare duke u krijuar mundësi të barabarta për të bërë fushatë.
• Strukturat e partisë në qendër e në bazë nuk respektuan detyrimin që në bashkëpunim me përfaqësuesit e alternativave referendare, të organizonin programin e takimeve me anëtarësinë e PS, për të mundësuar paraqitjen e alternativave referendare në debate publike.
• KZP dhe sektori që merret me median në Asamblenë Kombëtare të PSSH nuk respektuan detyrimin për të organizuar në javën e fundit para ditës së zgjedhjeve një debat të hapur publik me median për paraqitjen e alternativave referendare.
Këto bënë që referendumi në Partinë Socialiste, i datës 09. 04. 2016, të jetë referendum i paprecedent, i zhvilluar pa fushatë zgjedhore.
V. Organet vendore të administrimit zgjedhor, KZP e Bashkisë, KZP e Njësisë Administrative dhe Komisioni i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave, nuk u ngritën dhe nuk funksionuan sipas afateve dhe përcaktimeve të neneve 25-27 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH. Në Bashkinë e Shkodrës, vetëm një ditë para votimit u ndryshuan në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak tre anëtarë të KZPB.
VI. Lista e zgjedhësve nuk u afishua në vendvotimin përkatës 15 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe nuk u shpall në vendvotimet përkatëse jo më vonë se 7 ditë para ditës së zgjedhjeve, siç parashikon neni 28 pika 4 dhe 8 i Kodit të Zgjedhjeve në PSSH. Ka denoncime se në listat zgjedhore janë shtuar me dorë emra të shumtë votuesish të panjohur dhe të pa regjistruar në Regjistrin Themelor të Anëtarëve të Partisë.
VII. Përfaqësuesit e alternativës referendare kishin të drejtën e vëzhgimit të procesit, në përputhje me nenin 55.6 të Kodit të Zgjedhjeve të Partisë. E kanë kërkuar publikisht këtë të drejtë, nuk iu dha.
Një ditë para referendumit, përfaqësuesit e alternativës referendare kanë ndjekur gjithkund Komisionin Zgjedhor të Partisë Bashkia Shkodër, për t’i kërkuar akreditimin e vëzhguesve në 11 qendrat e votimit në këtë bashki. Komisioni është fshehur, është ndërruar në momentin e fundit, nuk është përgjigjur, duke mohuar të drejtën e vëzhgimit të procesit.
VIII. Parregullsitë në procesin e votimit për këtë referendum janë bërë publike edhe nga media. Në emisionin “Stop” që u transmetua në TV “KLAN” më datën 12.04.2016, u pa qartë se në vendvotimin e njësisë administrative Surrel, aty ku votoi edhe Kryetari në detyrë i PS, gazetari investigativ i këtij emisioni, në kundërshtim flagrant me nenin 34 pikat 2, 3, 4 dhe 5 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, u lejua të votonte pa e pasur fare emrin në listën e zgjedhësve, ndërsa në një vendvotim të Bashkisë Kamëz, anëtarët e komisionit të këtij vendvotimi i dhanë gazetarit investigativ dy fletë votimi, duke krijuar mundësinë për të votuar dy herë, çka është në kundërshtim flagrant jo vetëm me nenin 34 pika 3, por edhe cenon rëndë parimin e barazisë së votës, që është një nga parimet bazë të çdo procesi votimi.
Duke qenë se sa më sipër, i gjithë procesi i përgatitjes, organizimit, zhvillimit dhe administrimit për votimin e referendumit të datës 09. 04. 2016, u bë në shkelje flagrante me një sërë nenesh të sipërcituara të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, si dhe duke qenë se si pasojë e këtyre shkeljeve, përfaqësuesve të alternativës referendare kundër çështjes së shtruar në referendum, iu bë i pamundur ushtrimi i një sërë të drejtash të garantuara nga ky Kod, si p. sh.:, në Bashkinë e Shkodrës, ku përfaqësuesit e kësaj alternative, në kundërshtim me nenin 45 pika 7 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, nuk u lejuan të vëzhgonin pa kufizime procesin zgjedhor;
Duke qenë se bazuar në pikën 1, germa “d”, pikën 2, germa “b” “c” e “d”, dhe pikën 3 germat “a” dhe “b” të nenit 27 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, në referim edhe të pikave 1, 2, 3 të nenit 59 të po këtij Kodi, i gjithë dokumentacioni zgjedhor dërgohet në KZP, i cili pas shpalljes së rezultatit e dorëzon në Arkivin e PSSH;
Në mënyrë që rezultati i këtij referendumi të pranohet edhe nga ajo pjesë e anëtarësisë së PS që përfaqëson alternativën referendare kundër çështjes së shtruar në referendum,
Apo edhe në mënyrë që pas gjithë shkeljes së këtyre të drejtave të krijohet mundësia për ushtrimin e të drejtës së ankimit ndaj çdo parregullsie, e drejtë kjo e parashikuar nga neni 59 pika 4 e Kodit të Zgjedhjeve në PSSH
Si përfaqësues të kësaj alternative referendare, kërkojmë nga KZP:
1. Të na jepet një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP, mbi bazën e të cilës u zhvillua referendumi i datës 09. 04. 2016, të drejtë që na e njeh dhe garanton neni 28 pika 5 e Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, në referim edhe të pikave 1, 2, 3 të nenit 59 të po këtij Kodi.
2. Të na vihen në dispozicion kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, të drejtë që na e njohin dhe garantojnë pikat 6 dhe 7 të nenit 45 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, në referim edhe të pikave 1, 2, 3 të nenit 59 të po këtij Kodi.
3. Të na vihen në dispozicion kopjet e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezulatit për çdo vendvotimi të ngritur, të drejtë që na e njeh dhe garanton pika 5 e nenit 30 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, në referim edhe të pikave 1, 2, 3 të nenit 59 të po këtij Kodi.
4. Të na vihet në dispozicion një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016.
Tiranë më, 18. 04. 2016
KËRKUES
Mimoza Hafizi
Ben Blushi
Përfaqësues të alternativës referendare kundër çështjes së shtruar në referendum.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/