Askush nuk do ta çonte nëpër mend se në një vend si Shqipëria ku toleranca fetare është imponuar edhe si një shenjë respekti reciprok ndaj njerëzve që besojnë ndryshe, në një ditë të bukur prilli do të dilte një kryeministër sportist që do të propozonte që në të njëjtën klasë ku do të studiohet për seksologjinë të mësohet edhe për teologjinë.
Nëse e analizojmë në aspektin e komunikimit për zhdërvjelltësinë e kreut të qeverisë për të kaluar edhe kriza të rënda politike marrëdhëniesh ndërkombëtare apo qeverisëse duke lëshuar bomba tymuese nuk do të bënim gabim të thoshim se ishte një gjuajtje për tre pikësh e basketbollistit qwe na ka qëlluar twe jetë edhe kreu i qeverisë. Por nëse i shkojmë më thellë idesë politike, do të dalin në pah edhe probleme të cilat nuk do të kryejnë asnjë lloj shërbimi për kulturimin apo nxitjen e një debati të pastër dhe jo fetar për fenë në përgjithësi.
Për mua personalisht është një marrëzi të iniciosh çfarëdo lloj studimi në shkollë të riteve fetare që deri tani për shqiptare, janë vetëm sjellje totalisht individuale.
Në aspektin njerëzor një thirrje e tillë e kreut të qeverise për ngulitjen e mësimit të fesë në shkolla do të dëmtonte rendë, por shumë rëndë tolerancën fetare për të cilën ne krenohemi dhe jemi krenuar dhe për të cilën do të vazhdojmë të krenohemi nëse njerëzit do të lihen të qetë të ndjekin sipas dëshirës se tyre, mësimet fetare dhe jofetare. Imponimi për një çështje kaq delikate do të shtonte ndasitë te njerëzit dhe kjo do të ndodhte në një moshë shumë të re çka do ti jepte goditje bashkëjetesës. Fëmijët në shkolla do të fillojnë të ndahen në grupe sipas përcaktimeve dhe simpative fetare që u takojnë apo sipas bindjeve fetare që kanë zgjedhur të ndjekin edhe për shkak të prindërve apo edhe për shkak të zgjedhjeve të tyre vetjake. Kjo do ti jepte një suvatim të ashpër murit të tolerancës që ka karakterizuar shqiptarët deri në këto kohë.
Në Shqipëri nuk është diskutuar sidomos 20 vitet e fundit për histori përndarjesh fetare apo konfliktesh të ashpra për bindjet fetare. Politika ka nevojë për një front tjetër që të lodhë edhe më shumë njerëzit tashmë shumë të lodhur që të sundojë e qetë duke përcjellë konfliktin që ofron ajo tek njerëzit edhe tek feja. Kjo i shërben më shumë parullës së tmerrshme të komunizmit “përça e sundo” se sa një zhvillimi pozitiv apo nxitje të integritetit njerëzor për të luftuar kundër ekstremeve fetare që po i sjellin dëme të madha botës. Kemi rastin e Francës dhe Belgjikës ku demokracia ne shkollimin për besim vetëm sa ka shtuar me shumë ndasitë ndërmjet njerëzve se sa i ka ndihmuar këto shoqëri dhe këta njerëz ta pranojnë njëri tjetrin ashtu siç janë edhe me besimin fetar.
Nëse ndodh nuk do të kishte asnjë lloj pozitiviteti.
Një propozim në ajër i pa konsultuar dhe pa asnjë lloj ideje të qartë se si do të bëhet ky implementim i mësimdhënies fetare.
Kush do të jenë mësuesit, kush do të jenë botuesit e librave?
Kush do të bëjë programet?
Kush e kush e dhjetëra pyetje të tjera…?!
Kjo është një kambanë alarmi pasi së shpejti nëpër shkolla nuk do të flitet për mbrëmje poetike por për mbrëmje apo mëngjese fetare, nuk do të flitet për vizita në ndonjë muze, por për vajtje në kisha apo xhami, nuk do të flitet për artin apo muzikën pasi këto edhe i do edhe nuk i do feja. Nuk do të flitet për simpatitë e politikave sociale por gjithçka do të ketë ndikime nga feja.
Pra kjo ishte një propagandë e pastër nga ana e qeverisë por një propagandë e rrezikshme për të ardhmen e tolerancës fetare.
Në shtëpi prindërit të pamësuar shumë me fenë dhe me besimin fetar do të detyrohen të përgjigjen pyetjeve kureshtare të fëmijëve qe nuk do tu japin edhe aq shumë dije për shkencën apo evoluimin se sa mbushjen e kohës për qetësimin e shpirtit. Forca e fesë qëndron te besimi por forca solide e fesë qëndron te besimi tolerant dhe tek imponimi i të mirës me të mirë.
Ekstremistët më të mëdhenj fetarë kanë dalë nga shkolla të konsoliduara dhe me shumë emër i nderuar zoti kryeministër.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/