Eduart Peqini u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bandë gjatë trazirave të vitit 1997, fillimisht prej tetë vetash dhe më pas prej 40 vetash. Shumë shpejt ai u bë romi më i “famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi “Mandelën” shqiptar.
Pas arrestimit, në një bankë franceze, “Mandelës” i janë sekuestruar rreth 2 milionë dollarë, të cilat “rridhnin” nga trafiku i klandestinëve dhe i prostitucionit. Ai i kishte depozituar këto para me emrin e tij të rremë, për të cilin kishte edhe pasaportën shqiptare. Banda e “Mandelës” kishte bërthamë familjare të qëndrueshme, së cilës i bashkëngjiteshin edhe persona të tjerë brenda fisit dhe më gjerë. Në organizimin e tyre dallohej hierarkia absolute dhe zbatimi i porosive pa asnjë hezitim nga kryetari i saj, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin “Mandela”.
Sipas shkrimeve, edhe nga specialistë të policisë për bandën e “Mandelës” mësohet se poshtë tij vinin katër vëllezërit të shoqëruar me kushërinj, të afërm dhe lidhje shoqërore të besuara, të cilët, sipas detyrave të ndara, bënin studimin e shpejtë, lëshonin rekomandimet te “kapoja” dhe rekrutoheshin. Mbi bazën e vlerësimeve u jepeshin edhe “ofiqet”, duke imponuar seriozitetin e veprimtarisë së grupit dhe kryerjen me besnikëri të detyrës.
“Mandela” organizoi njerëz të afërt, të besuar, të cilët të maskuar lëviznin në zonat rivale për të siguruar informacion të nevojshëm, kryesisht femra të hijshme dhe që kishin dhënë prova se ishin të afta të kryenin detyra të tilla. Nga ana tjetër, vendosi rregulla të forta për ruajtjen e sekretit, duke përcjellë mesazhin e frikshëm të ekzekutimit ndaj çdo personi që tradhtonte.
Duke qenë tepër i vendosur dhe mizor, urdhrin e dhënë për ekzekutim ndaj personave që tradhtonin do e zbatonte vetë, duke ekzekutuar edhe dy persona, të cilët jepnin informacione për bandat kundërshtare. Eduart Peqini ishte një elbasanas me trup mesatar, por të lidhur, i shëndetshëm, me flokë të dendur të zinj. Me autoritet të dallueshëm impononte çdo mendim që për të tjerët kishte formën e një urdhri. Opinioni në qytet, kryesisht në lagjen ku banonte, e cilësonte gangster të rrezikshëm, që nuk fliste dy herë për të njëjtën gjë dhe nuk hezitonte të zhdukte këdo që për të bëhej kërcënues.
Konflikti me bandën e Cërrikut, Lufta e Jevgjitëve, vrasja e vëllait të Mandelës
Kapoja i Bandës së Cërrikut, Arjan Toska, me inteligjencën praktike kishte arritur të siguronte një informator në radhët e Mandelës. Enver Beqiri, i afërt i Mandelës, e paralajmëroi Arianin për betejën që e priste, ndërkohë që në takimin me të e informoi për lëvizjet kontrolluese të vëllait të Mandelës në afërsi të zonës së tij. Arjan Toska, duke kuptuar përfundimisht që lufta mes tyre ishte e pashmangshme, caktoi dy njerëzit e tij që të vrasin Gazmir Peqinin.
Pa kaluar shumë kohë, pikërisht më 29 prill 1997, Mandela i qetësuar disi nga dhimbja për të vëllanë, merr vendimin për vrasjen e “tradhtarit” Enver Peqini, të cilën ia ngarkon të vëllait, duke qenë me të edhe Marashi, me kusht që trupin e tij ta merrnin me vete. Dy killerat, nën petkun e konfuzionit të krijuar tek njerëzit e tyre nisen për në Cërrik dhe qëllojnë njëherësh me automatik mbi trupin e Enverit, por pa arritur ta asgjësojnë. Të detyruar nga shkëmbimi i zjarrit, largohen me mjetin e tyre me shpejtësi për në Elbasan, të bindur se e kishin vrarë.
Nga ana tjetër, Enveri i plagosur keq niset menjëherë për në spitalin e Elbasanit për të marrë ndihmën e parë, por Mandela që kontrollonte situatën nga larg, nëpërmjet njerëzve të tij informohet për këtë fakt dhe urdhëron Marashin të nisej atje për të çuar vendimin hakmarrës në vend. Ashtu siç e kish parashikuar, Marashi futet në sallën e reanimacionit dhe pa hezituar, nën përpëlitjet e dhimbjeve, duke larguar me armë në dorë personelin mjekësor realizoi ekzekutimin e tij. Më pas, i urdhëruar nga Mandela dhe me urrejtjen e një njeriu të shpërfytyruar, nis nipin e tij dhe një femër, të cilët e marrin kufomën dhe e vendosin në vendin ku ishte vrarë vëllai i tij. I tërbuar nga urrejtja për vrasjen e vëllait, Mandela hedh mbi trupin e kufomës benzinë dhe duke menduar se vendosi në vend dinjitetin familjar, i vë flakën duke e djegur plotësisht.
3 orë luftë në Cërrik, 4 të vrarë
Pasi kreu ritin e të vëllait, Mandela projektoi planin për të larë njëherë e mirë hesapet me Arjan Toskën dhe grupin e tij. Mandela e kishte të qartë se dinjiteti i tij mbetej i lëkundur, përderisa rivali i qëndronte përballë i pashqetësuar. Duke vlerësuar kundërshtarin, me idenë e goditjes së befasishme, mendonte se operacioni do të dilte me sukses.
Për këtë qëllim, si njeri që besonte te vetja dhe te fshehtësia e veprimeve, bëri gati grupin prej 10 vetësh, për të vrarë Arjan Toskën. Për të shmangur çdo dyshim, shmangu autoveturat dhe me një makinë të madh tip “Saureli”, të maskuar në karroceri dhe vetë në kabinë, në orët e vona të natës dhe me të gjitha llojet e armëve afrohet në zonën që dominohej nga “Banda e Cërrikut”. Sapo mbërriti tek rruga që të çonte në lagjen e Arjan Toskës, akoma pa zbritur nga makina, në mënyrë të befasishme i gjithë grupi, me “kapon” në krye u gjend nën goditjen e një arsenali të vërtetë armësh, duke i shushatur për befasinë e krijuar. Por duke gjykuar me shprehjen “dy duart për një kokë”, me vështirësitë e momentit zunë pozicion dhe iu përgjigjën me zjarr të fuqishëm njerëzve që u kishin zënë pusi. Lufta e vërtetë zgjati më shumë se tre orë, pa ditur pasojat e dy palëve. Në të gdhirë, Mandela me sytë e gjakosur pa me dhimbje bilancin negativ të kësaj ndeshjeje, katër të vrarë dhe disa të plagosur. Nga ana tjetër e llogores, Arjan Toska me grupin e tij festonte fitoren, pasi nga radhët e tij nuk kishte asnjë të dëmtuar. Është paradoksale, por grupet kriminale nuk njohin ligjet e shkruara, ndërsa për ato morale as që bëhet fjalë. Kufomat e mbetura në zonën e Cërrikut qëndronin të shtrira, duke mos lejuar Mandelën për t’i tërhequr. Ndonëse e kishte kërkuar një gjë të tillë, cërrikasi “triumfues” e refuzoi atë. I tronditur nga humbja e shkaktuar, me ndjenjën e hakmarrjes së tërbuar shkon tek shtëpia e Petrit Kuminas, njerku i Arjan Toskës, e merr me vete duke e futur në bodrumin e shtëpisë dhe për disa ditë do ta torturonte mizorisht. Më pas do ta tërhiqte zvarrë deri në lumin Shkumbin duke e varrosur të gjallë në shtratin e këtij lumi.ëikipedia
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/