Presidenti Republikës, Bujar Nishani priti sot në Institucionin e Presidentit të Republikës një grup qytetarësh të angazhuar në mënyrë aktive në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit tek parku i Liqenit të Tiranës si dhe të procedurave që po ndiqen në brendësi të hapësirës së gjelbër të këtij parku në Tiranë.
Kreu i Shtetit theksoi se: “kjo kauzë dhe të gjithë elementët që kanë dalë prej saj duhet të sensibilizojnë e motivojnë të gjithë aktorët e shoqërisë; politikbërës dhe qytetarë, pa dallime.”
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu shqetësimin e tij ndaj mungesës së reagimeve të institucioneve shtetërore por edhe shoqërisë civile, për të marrë përsipër secila palë detyrat e angazhimet përkatëse në raste të tilla.
Kreu i Shtetit u kërkoi përfaqësuesve të qytetarëve të angazhuar në këtë kauzë për të vijuar dhe shprehur lirshëm mendimin e tyre në mbrojtje të çështjeve të mjedisit, por edhe për ligjshmërinë e të gjithë procesit të ndjekur për projektin ndërtimor në brendësi të parkut të Liqenit në Tiranë.
Nga ana tjetër pas përfundimit të takimit, aktivistët u shprehën se morën mbështetje maksimale nga Presidenti Nishani.
“Presidenti na dha garancinë që në tërë rrugëtimin tonë ligjor, do jetë Inspektoriati i KLD që do ta ndjeki. Vetë presidenca do jetë atje dhe nëse do jetë e nevojshme, kjo do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ervin Goci.
Aktivistët denoncuan edhe njëhere përpara Presidentit të Republikës shkeljet që janë bërë në Parkun e Liqenit Artifical gjatë ndërtimit të këndit të lojrave për fëmijë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/