“Në disa pjesë të Tiranës ka ndërtesa aq shumë të degraduara e që konsumojnë energji, saqë është më e kushtueshme t’i riparosh e t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh e t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi”.
Kjo është përgjigjja e dhënë prej arkitektit dhe urbanistit italian, Stefano Boeri, i pyetur nga gazetari Sokol Balla në një intervistë për “Top Story”, nëse njëra prej rregullave për të ardhmen e kryeqytetit ishte pikërisht shkatërrimi i pallateve ekzistuese dhe ndërtimi i të rinjve.
“Të shkatërrosh nuk është gjithmonë gjëja e duhur. Kur mund të përmirësosh duhet të përmirësosh, por duhet të dish që ka pjesë të qytetit, që kanë ndërtesa aq të degraduara e që konsumojnë energji, sa është më e kushtueshme t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh dhe t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi. Ky është një avantazh edhe për atë që është pronar. Prandaj unë besoj se duhet ta mendojmë këtë, ashtu siç duhet të mendojmë faktin, që një nga rregullat e mëdha – me të cilat po punojmë edhe në Berlin, Londër, Milano – është ajo e barazimit, që do të thotë të lejosh në bazë të disa vendimeve të bëra në plan, të zhvendosësh të drejtat vëllimore. Pra, nëse unë jam pronar dhe mund të ndërtoj 20, por të drejtat e mia janë të ndërtoj 100, atëherë këtë 80 unë e spostoj diku tjetër, ku mund të ndërtoj edhe më shumë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, që do ndërtuar me shumë kujdes, por shumë e rëndësishme”, shprehet Boeri.
Arkitekti italian, flet edhe për infrastrukturën dhe transportin publik.
“Mendoj që duhet të bëjmë gjithçka për të rikuperuar infrastrukturat, që sot mund të rikuperohen ende. Mendoj për linjën hekurudhore që të çon në aeroport, gjë që mund të bëhet…”, shprehet ai
Duke u ndalur te linja Tiranë-Vorë, ai shprehet se, “Ajo mund të bëhet sipas meje, një vend shumë interesant për një sistem të ri mbi hekurudhat, i mbrojtur. Por kemi një problem më të përgjithshëm në qytet. Unë besoj se, këtu është e pamundur të ngremë disa ëndrra. Nëse unë do të thoja që pas 10 vitesh Tirana do të kishte një transport publik, që do të arrinte ngado, do të thoja një ëndërr. Unë mendoj që ne duhet të punojmë shumë me transportin publik, mbi tokë, aty ku është e mundur. Por edhe të bëjmë një investim të madh me “makina elektrike” dhe mbi ekonominë e “sharing” (shpërndarjes) mbi lëvizjen. Sepse në situata si kjo e Tiranës, pjesa e makinave është ende me një stok shumë të vjetër, benzinë plumb. Është gati më e lehtë të investosh për të ardhmen, duke përdorur faktin që sot ka disa kompani automobilistike, që kanë kuptuar se makina elektrike është një perspektivë e mirë. Edhe nga këndvështrimi i “sharing”, pra të kesh mjete lëvizëse të përbashkëta, si taksia. Por edhe nga këndvështrimi i makinave private, mendoj që kjo është një sfidë e rëndësishme”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/