Prokuroria e Apelit Vlorë urdhëroi ri-arrestimin e Kryeinspektorit të INUV të Bashkisë së qytetit, paraardhësin e tij, një inspektori të këtij institucioni, si edhe të një ndërtuesi, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”. Urdhërat e arrestit u nxorrën pasi Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila i konsideroi të paligjshëm ndalimet e kryera me vendim të Prokurorisë së Vlorës.
Ditën e martë, 5 prill, Gjykata e Apelit Vlorë pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit:
1. Edmond Aliaj, administrator i subjektit “Endriu 08”shpk.
2. David Tushaj, me detyrë Kryeinspektor i INUV, Bashkia Vlorë
3. Besnik Karabolli, me detyrë Kryeinspektor i INUV (Qershor 2012- Nëntor 2014).
4. Oltian Bejo, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë.
Po ashtu, Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shtetasit:
5. Marjol Mustafaraj, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë
6. Endri Zeneli, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Vlorë
Në Mars 2016, Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e disa personave, prej të cilëve Kryeinspektorin e Inspektoratin Vendor Urbanistik në detyrë, paraardhësin e tij, inspektorë të INUV, si edhe administratorin e një kompanie ndërtimi, pasi zyrtarët kanë lejuar ndërtimin e një godine 6-11-12 kate pa leje nga ana e firmës “Endriu 008”, në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i konsideroi të paligjshëm urdhërat e ndalimit dhe vendosi ndaj personave të dyshuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit, e cila ndryshoi thuajse tërësisht vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e Apelit vendosi ditën e martë të vlerësojë të ligjshëm ndalimet e Prokurorisë së Vlorës, si edhe të ndryshojë masën e sigurisë nga “detyrim për paraqitje” në “arrest në burg” për 4 nga 6 personat e dyshuar.
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, të dorëzuar në Janar 2016, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008” po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën e tyre.
Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit. Në bazë të dokumentacionit të mbledhur gjatë hetimit të këtij procedimi penal, rezultoi se Inspektorati Vendor Urbanistik (INUV) i Bashkisë Vlorë ka pasur dijeni për ndërtimin e këtij pallati dhe nuk ka kryer asnjë urdhërim për ndalimin e tij.
INUV-i kishte dijeni për këtë pallat, jo vetëm për faktin që ndërtimi është i dukshëm, por edhe sepse në datë 12.05.2014, nga kryeinspektori pranë INUV Bashkia Vlorë është marrë vendim për pezullimin e ndërtimit, duke parashtruar se “subjekti Endriu 08 ka nisur punimet për ndërtimin e objektit banesë 6-11-12 kate pa njoftuar më parë INUV si dhe mungon dokumentacioni tekniko ligjor në kantier”. Megjithatë, punimet për ndërtimin e pallatit kanë vijuar pa asnjë pengesë nga ana e autoriteteve publike. Vendimi për pezullimin, por që nuk është zbatuar, është nxjerrë nga ana e Kryeinspektorit të INUV në atë kohë, i dyshuari Besnik Karabolli, i cili e ka mbajtur këtë detyrë deri në muajin nëntor 2014.
Prej muajin nëntor 2014 e në vijim, në krye të INUV të Bashkisë Vlorë është emëruar i dyshuari David Tushaj, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë pezullimi për ndërtimin e pallatit pa leje. Vetëm pasi Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin e këtij rasti (në dt. 05.01.2016), Kryeinspektori i INUV ka urdhëruar inspektorët në vartësi për të kryer sërish kontroll mbi subjektin “Endriu 008”, ku sërish ka rezultuar se ndërtimi i pallatit po vijonte pa lejen përkatëse. Me urdhër të tij, në datë 22.01.2016, kryeinspektori pranë INUV, Bashkia Vlorë ka marrë vendim për pezullimin e ndërtimit, duke parashtruar se subjektit “Endriu 08” i mungonte dokumentacioni tekniko ligjor në kantier.
Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se nga ana e zyrtavë të INUV, Bashkia Vlorë, janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa për administratorin e kompanisë së ndërtimit, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/