Drejtoria e Pastrimit të Parave ka dorëzuar një raport në prokurori dhe polici. Në raport hidhen dyshime për transferta të dyshimta. Raporti i dorëzuar 10 ditë më parë në Prokurori dhe Polici, është raport i përvitshëm.
Transfertat e parave
Sipas raportit, kompania GIF Albania ka kryer mbi 10 transferta bankare drejt parajsave fiskale vetëm gjatë vitit 2016. Në total shuma e transferuar vetëm në muajt e fundit është afërsisht 1 milionë euro.
Këto transferta janë raportuar nga bankat e nivelit të dytë në vend në Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Bazuar në këtë raport dhe disa veprime të tjera, Policia ka referuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës. Sipas policisë në raport, janë identifikuar dy transferta, të mëdha, njëra me 400 dhe tjetra me rreth 500 mijë euro. Po ashtu policia ka vërejtur edhe disa transferta të tjera më të vogla me nga 6 – 7 – 8 mijë euro, drejt vendeve të njohura si parajsa fiskale.
Por, edhe pse shuma më të vogla se shuma të dyshuara për nisjen e një hetimi për pastrim parash, transfertat vlerësohen të dyshimta, pasi ato janë nisur drejt parajsave fiskale të njohura si ishujt e Oqeanit Atlantik, apo të Paqësorit.
Ndërkaq shumë prej transfertave të vogla janë rikthyer në vendin e tyre të nisjes vetëm disa muaj apo disa javë pasi ishin nisur në llogaritë përkatëse në vendet e parajsave fiskale, çka ka shtuar dyshimin e policisë dhe të drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave. Burimet e policisë thonë se transfertat drejt këtyre vendeve, kanë vetëm një qëllim pastrimin e tyre. Pastrimi bëhet, duke u dorëzuar paratë në formën e huasë me një interes të caktuar dhe me një afat të caktuar. Në fund paratë kthehen tek huadhënësi të pastra bashkë me përqindjet e tyre.
Hetimet për pastrim parash
Drejtoria e Pastrimit të Parave mësohet se ka nisur hetimet për akuzën e “pastrimit të parave” për emrat e shtetasve shqiptar dhe kompanitë e tyre në Shqipëri, që rezultojnë të krijuar në parajsën fiskale nga studio ligjore “Mossac Fonseca” në Panama. Hetimet kanë nisur menjëherë pas publikimit të megaskandalit të njohur tashmë si “Panama Papers” dhe ku rezultojnë deri më tani edhe emri ishtetasit shqiptar Ismail Mulleti dhe ortakëve të tij. Burimet thonë se po hetohet për akuzën e “pastrimit të parave” 52 vjeçari Mulleti, ortaku i tij izraelit Assaf Halkin dhe një shtetas zviceran emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
Krahas hetimit ndaj këtyre shtetasve, mësohet se policia ka grumbulluar një sërë provash shkresore, për kompanitë që këta shtetas kanë hapur në Shqipëri, “GFI Techonologies”, “Egnatia export-import” dhe “IMAH”. Burimet thonë se për të tre këta persona dhe kompanitë e tyre tashmë janë mbledhur të gjitha transaksionet bankare të kryera si dhe lëvizjet e parave si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Nga ana tjetër, mësohet se Ismail Mulleti që prej datës 14 mars të këtij viti nuk ndodhet në Shqipëri, pasi rezulton se ka udhëtuar drejt Turqisë por pa dhënë destinacionin final. Ndërkohë rezulton se ishte kthyer në Tiranë më 5 mars të këtij viti po nga Turqia. Sipas të dhënave të policisë, Mulleti rezulton se ka udhëtuar shpesh nga Shqipëria drejt vendeve të ndryshme të BE-së ku në disa raste edhe me destinacion Londrën. Gjatë këtyre udhëtimeve, rezulton se në disa raste ai është larguar nga Shqipëria me avion charter dhe po me këto lloj avionësh edhe është kthyer. Gjithashtu edhe shtetasi izraelit Assaf Halkin, që rezulton aksioner në kompanitë me shqiptarin Ismail Mulletin, është larguar nga Shqipëria. Ai rezulton se ka hyrje-dalje në Shqipëria 72 herë nga vitit 2006 kur ka hyrë për herë të parë deri më 25 shkurt të këtij viti kur është larguar nga Shqipëria. Sipas të dhënave të policisë, në të shumtën e rasteve izraelit Halkin ka hyrë nga aeroporti i Rinasit duke ardhur nga Turqia, Italia dhe Greqia. Ndërsa në tre raste rezulton se ka hyrë me makinë në Shqipëri nga Maqedonia dhe Mali i zi, por që mendohet se i ka përdorur transit këto shtete.
Hetuesit dyshojnë se izraeliti 45 vjeçar Halkin është një nga punonjësit e studios ligjore “Mossac Fonseca” e krijuar në parajsën fiskale në Panama dhe në Shqipëri ka ardhur si investitor në bashkëpunim me shtetasin shqiptar Mulleti. Por dyshimet thonë se ai përfaqësonte parat e Mulletit që ndodhen në parajsën fiskale i kamufluar në Shqipëri si bashkëinvestitor.
Nën hetim edhe kompani të tjera
Ndërkaq pas publikimit të skandalit të dokumenteve të Panamasë, policia dhe prokuroria kanë komunikuar mes tyre për nisjen e një tjetër procedimi.
Sipas burimeve, policia ka marrë emrat e kompanive shqiptare të identifikuara me llogari në Panama dhe pjesë e dokumenteve të Panamasë. Duke iu referuar dhe shkrimeve në mediat shqiptare është referuar kallëzim në prokurori. Në referim është përsëritur raporti i referimit të muajit shkurt, për të gjetur detaje që mund të lidhin të dy hetimet së bashku.
Ndërkaq veç transfertave të dyshimta të identifikuara nga policia pritet që të kryhen edhe verifikime konkrete në terren në bankat e nivelit të dytë për të parë konkretisht llogaritë e kompanive dhe detajet e lëvizjeve të këtyre transfertave.
Në raport hidhen dyshime për transferta parash nga disa shtetas të huaj.
Prokuroria hedh dyshime mbi dy zviceranë dhe një shtetas italian. Sipas burimeve, “janë kryer transferta të paligjshme nga kompani pa aktivitet. Kompanitë i janë dërguar për hetim task-forcës”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/