Këshilli Bashkiak i Pogradecit miratoi sot në unanimitet projektbuxhetin e vitit 2016 të propozuar nga kryetari i bashkisë, Eduart Kapri. Buxheti i ri parashikon disa sistemime me rëndësi për qytetin juglindor si dhe vendos theksin te mirëmenaxhimi financiar për shkak të borxheve të larta që ka trashëguar kjo bashki.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Pogradecit u miratua në unanimitet projektbuxheti 2016. Po ashtu, sot kaluam numrin e strukturës së re të Bashkisë së Pogradecit si dhe disa vendime të tjera me shumë rëndësi për Pogradecin. Sot në këshill kaluam edhe një fond prej 11 milionë lekësh si ndihmë për familjet e dëmtuara nga shpërthimi i bombolës së gazit në Beragozhd si dhe për 2 familjet e dëmtuara rëndë nga përmbytja e fundit. Këto vendime do të jenë me tepër rëndësi për mbarëvajtjen e punëve në territorin e bashkisë dhe me buxhetin e miratuar do të mund të stabilizojmë gjendjen e vështirë financiare që trashëguam”, u shpreh Eduart Kapri.
Gjatë kësaj mbledhje, kryebashkiaku Kapri shprehu angazhim për mbështetje të plotë për familjet në ndihmë ekonomike, rritjen e shërbimeve bashkiake, shërbimet turistike, mbështetjen e plotë për klubin sportive dhe jetën kulturore në qytet.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u miratua në unanimitet edhe paketa fiskale që parashikonte uljen e taksave nga 10 deri në 30 %.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/