Deputeti i PD-së dhe ish-ministër i Drejtësisë, Eduard Halimi tha sot se Rama po kërkon të mashtrojë opinionin sërish kur kërkon intepretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dy deputetë të tjerë të PS.
“Vet vendimi i Gjykatës Kushtetuese është interpetim. Të kërkosh intepretimin e Gjykatës Kushtetuese është tallje”, tha deputeti Halimi.
Ja cfarë thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të cilin Rama thotë se është vetëm për rastin e deputetit Koco Kokëdhima.
Bazuar në precedentin parlamentar të rrëzimit të kërkesës së opozitës nga mazhoranca për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese të deputetit Koco Kokëdhima, nga ana e opozitës u kundërshtua jo vetëm ai vendim, por u kërkua edhe interpretimi përfundimtar i nenit 70/4 të Kushtetutës.
Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese është shprehur përfundimisht se:
“30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
32. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/