Bullgaria, vendi më i varfër i BE është kthyer në burim shprese për qindra banorë të komunitetit goran të Kukësit, të cilët po emigrojnë masivisht si nënshtetas të Europës, falë pajisjes me pasaporta bullgare.
Çdo javë në qendër të Kukësit, pasagjerë të pazakontë ngjiten me dokumente në duar brenda një furgoni dhe nisen për një udhëtim tetë orësh drejt Sofjes, kryeqytetit bullgar. Pasagjerët i përkasin zonës së Gorës, e njohur për komunitetin e vet dygjuhësh dhe përmes këtij udhëtimi, shpresojnë të fitojnë një pasaportë bullgare që u hap dyert për në Bashkimin Europian.
Shoferi i furgonit, goran edhe ai nga Zapodi, nuhati një mundësi të mirë biznesi kur interesi për kartat bullgare u rrit dhe vendosi të bëjë një linjë të rregullt Kukës-Sofje e kthim, kundrejt një çmimi të leverdishshëm prej 60 eurosh.
“Nisem në darkë dhe mbërrij herët në mëngjes në Sofje. Pasagjerët e mi kanë mundësi të regjistrohen në lagjet e Sofjes (kusht për marrjen e nënshtetësisë) apo të mbarojnë punët në Presidencë,” tha për BIRN shoferi T. Bajraktari.
Bullgaria është vendi me nivelin më të ulët të jetesës brenda Bashkimit Europian, por ajo është kthyer në burim shprese për qindra banorë të zonës së Gorës në verilindje të Shqipërisë.
Nëntë fshatrat e kësaj zone popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se janë ngulur aty mes shekujve XI dhe XIII, kohë kur Bullgaria u përfshi nga lëvizja bogomile-që banorët e shqipërojnë “të dashurit e Zotit”.
Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, ky komunitet është tunduar shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase.
Në vitet ‘90 erdhën serbët që, përmes përpjekjesh të fshehura u munduan ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Më pas, edhe maqedonasit synuan një gjë të ngjashme, duke u premtuar edhe pasaporta goranëve.
Të tretët ishin bullgarët, të cilët ndryshe nga dy pretendentët e parë ia dolën të shkaktonin valën më të madhe të emigrimit dhe zbrazjen e zonës nga banorët e saj.
Në fillim të vitit 2015, fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil në vendet e BE-së.
Në të vërtetë, banorët e këtyre fshatrave përdorën pasaportat e reja bullgare për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e azilkërkuesve.
Shoqata, paradhoma e konsullatës
Gjatë pesë ditëve të javës, para konsullatës bullgare në Tiranë sheh grupe banorësh të zonës së Gorës, të cilët presin radhën për të aplikuar për nënshtetësi bullgare. Në hyrje të portës, Nuredin Nuredinaj-me origjinë nga Gora dhe banim në Farkë u kontrollon dokumentet dhe i këshillon aplikuesit për mangësitë që mund të kenë.
Nuredinaj luan rolin e përkthyesit zyrtar të Konsullatës, ndonëse goranët nuk e kanë të vështirë të komunikojnë direkt me konsullin bullgar.
Në fazën e parë të aplikimit, ata duhet të paraqesin certifikatën e lindjes, atë familjare dhe çertifikatën e trungut nga babai dhe nëna; të katërta me firmë të prefekturës dhe vulë apostile të Ministrisë së Jashtme.
Një dokument i pestë luan megjithatë një rol thelbësor në marrjen e pasaportës; aplikantët duhet të regjistrohen si anëtarë të shoqatës “Prosperitet Golloborda”.
Njësoj si para konsullatës bullgare, radhë goranësh gjen edhe pranë selisë së kësaj shoqate, e cila ndodhet në një pallat të veçuar në lagjen Ali Demi të Tiranës. Një dëshmi për origjinën gollobordase, bashkë me kartën e anëtarësisë së shoqatës u kushton atyre 150 euro.
Konsullata bullgare dhe shoqata “Prosperitet Golloborda” luajnë rolin e dy enëve komunikuese për kandidatët që aspirojnë nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian. Në selinë e shoqatës, BIRN vëzhgoi lëvizjen e shpeshtë të një automjeti “Hyndai” me targa bullgare, pasagjer i së cilës ishte edhe një punonjës i konsullatës.
Kryetari i kësaj shoqate, Haxhi Pirushi pret e përcjell njerëz, ndërsa shton radhët e shoqatës me anëtarët e rinj që presin të përfitojnë nënshtetësinë bullgare.
Banorë të Gorës i thanë BIRN se aplikimet për pasaportë bullgare morën popullaritet të lartë që në vitin 2012, por procedurat u quajtën të pavlefshme dhe të interesuarit u këshilluan të përsërisnin dokumentet.
“Me ardhjen e qeverisë së re të Bojko Borisovit, shanset janë shtuar se tepërmi për të marrë një pasaportë bullgare, ndërsa afatet kohore janë zvogëluar ndjeshëm,” thotë E.Nuredini, i lindur në Oreshkë të Gorës dhe banor në Farkë të Tiranës.
Pakica etnike “e diskutueshme”
Kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në Shqipëri kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve dygjuhëshe në Kukës. Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakica etnike, mundësisht komunitete me një numër sa më të madh banorësh.
Zenulla Bala, mësues në pension dhe studiues nga Shishtaveci mbron idenë se komuniteti i goranëve është zgjeruar me banorë shqiptarë të zonave përreth, të cilët më pas kanë mësuar edhe gjuhën e tyre. Në monografinë me titull:”Shishtaveci, historia dhe tradita”, Bala shkruan se shumë banorë janë mbledhur aty në shekuj nga fshatrat Surroi, Nanga e Lumës, Topojani, Novoseja e Tetova.
“Unë për vete jam nga Mati. Kam lindur në Shishtavec, kam jetuar në Përmet, kam studiuar në Tiranë dhe e quaj veten shqiptar,” thotë Bala.
Pretendimet bullgare mbi këtë komunitet, sipas tij zënë fill në shekullin e XI, ndonëse nuk janë të bazuara në dokumente. Torbeshët-siç quhen ndryshe goranët e Kukësit konsiderohen si mbetjet e fundit të lëvizjes bogomile, të zhvendosur pas përndjekjeve që katolikët bullgarë i bënë popullsisë ortodokse.
Përveç historikut të zonës, Bala ka studiuar edhe lëvizjes demografike të zonës pas viteve ’90, ku rezulton se Shishtaveci ka humbur ¾ e popullsisë së vet gjatë viteve të fundit. Në studimin e tij prej 87 faqesh thuhet se nga 2 mijë banorët e pas ’90, në fshat kanë mbetur 460 vetë, kryesisht të moshës së tretë.
Përtej diskutimeve kontroverse mbi etninë, banorët e kësaj zone kanë zgjedhur të jenë pragmatistë përballë mundësisë së artë të paisjes me nënshtetësi bullgare, si një mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë dhe mungesës së perspektivës në njërën prej zonave më të varfra të vendit.
Pasaportat e reja u mundësojnë atyre qëndrimin në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Angli si dhe lehtësira të shumta në shkollimin e fëmijëve.
Sevdia, një kuzhiniere e njohur në Kukës është në pritje të letrave bullgare bashkë me vëllezërit e saj. Gruaja po planifikon shpërnguljen e të gjithë familjes në Angli.
”Pas vitit 1990 nuk kam punuar asnjë ditë. Së fundi i shkova në zyrë kryetarit të bashkisë, por nuk më dha asnjë shpresë,” tha ajo, duke shpjeguar arsyet e largimit.
Shkollimi i fëmijëve në vendet e BE-së është një tjetër arsye që josh goranët për të rendur pas bërjes së dokumenteve. Dhe shembujt e suksesit në këtë drejtim nuk mungojnë.
Enkeli nga fshati Borje, por me nënshtetësi bullgare ka mbaruar studimet Bachelor në Bullgari dhe ato master në Gjermani.
“Bullgaria ka favore për shkollimin në vendet anëtare të BE. Një student bullgar paguan thuajse 10 % të vlerës së shkollimit,” thotë ai.
Enkeli jeton së fundmi në Angli dhe shpreson që të tërheqë atje edhe pjestarët e tjerë të familjes, të cilët po presin këto ditë me padurim një përgjigje pozitive nga Sofja.
“Guri i lotëve”, vendi i përcjelljes së goranëve në kurbet
Emigracioni ka qenë një fenomen i zakonshëm për banorët e Gorës, që pas Luftës së Parë Botërore. Studiuesi Zenulla Bala i tha BIRN se po boton një libër të ri kushtuar emigracionit, me titullin “Guri i Lotëve”. I njohur ndryshe edhe si Guri i Mëngjesit, vendi shërbente për përcjelljen në kurbet të djemve nga Shishtaveci. Bala thotë se banorët e Gorës kanë emigruar në atë periudhë kryesisht në Egjipt, Turqi e Greqi, por edhe në vende tjera deri në Azerbajxhan. Edhe pas viteve ’90, banorët e Shishtavecit ishin ndër të parët që provuan kurbetin. Në fillim të vitit 1995 ata filluar të emigrojnë në Maqedoni. Sipas Zenulla Balës, nuk ka person nga Shishtaveci që të mos ketë emigruar njëherë në Maqedoni. Por gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar rastet e dhunës serbe ndaj popullsisë gorane që jeton në pjesën e Shqipërisë. Nga fshati Shishtavec numërohen tre të rinj të vrarë në kufi nga serbët, ndërsa një person tjetër i vrarë në kufi është nga fshati Borje.
Autor: Bashkim Shala
BIRN
Kukës, Shishtavec
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/