Mijëra qytetarë të Kavajës përkujtuan sot me një protestë 26 vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste që ndodhi në këtë qytet.
Qytetarët e Kavajës në këtë ditë përkujtimore, protestuan në sheshin kryesor të qytetit kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit, kundër varfërisë dhe mungesës së shpresës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës por mbarë Shqipërisë duke vlerësuar lart qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës. Paloka u shpreh se sot, 26 vjet më pas demokratët dhe shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal që duhet rrëzuar një orë e më parë.
“Sot jemi mbledhur këtu jo thjeshtë për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndryrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha pashë një slogan: 26 Marsi dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës por është dita e gjithë shqiptarëve sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, sot na duhet fatkeqësisht edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situate”, tha Paloka.
Kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, por bëri thirrje që kjo datë është sot një ditë proteste. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër kësaj diktature të re.
“Të gjithë e dimë se nga një ndeshje futbolli mori rrugën kapitullimi i regjimit. Paradoksale, qe fundi te vijë nga futbolli. Por në fakt është krejt e kundërta: Nga futbolli nisi një fillim i ri, edhe pse futbollistët, ishin thjesht protagoniste. Mbahet mend si i vetmi rast ku spektatorët ishin bërë “lojtar” e lojtarët spektator. Në stadiumin “Besa” tanimë kishte nisur. Pas minutës së 80′ sic ishte planifikuar, të rinjtë kavajas brohorasin “Liri” “Demokraci”, parulla të padëgjuara më parë hapur, ne publik. Parulla që sfiduan sistemin dhe u dhanë kurajë shqiptareve. Në Kavajë, fatkeqësisht, sot nuk është ditë feste por ditë proteste. Do të protestojmë edhe për 26 Marsin, për harresën që po i bëjnë. Por thonë: “Kush harron historinë e tij do të duhet ta ripërsëris atë”, tha Cara.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/