Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi paralajmëroi se forca që ai drejton së bashku me shoqërinë civile do të ndalojnë me çdo mënyrë ngritjen e varrezave greke në Jug të vendit. Nga foltorja e Kuvendit, Idrizi tha se ky hap vjen pasi Greqia nuk pranon ngritjen e varrezave të çamëve në zonën e Çamërisë.
“Më bëri përshtypje mos-hapja e çështjes çame në mënyrë të drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp me ministrin e jashtëm grek, një detyrim që buron nga rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë, por edhe nga një rezolutë që buron nga koha kur PS ishte në opozitë e propozoi”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU-së shtoi më tej se “kemi kërkuar të ngrihen varrezat për shqiptarët e Çamërisë, të vrarë dhe të masakruar në Greqi nga bandat e Napolon Zervës. Në Igumenicë ndodhet një përmendore e Napolon Zervës dhe në këto kushte në qoftë se nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve të Çamërisë të masakruar në Çamëri do të marrim të gjithë hapat për të mos lejuar ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, së bashku me shoqërinë civile dhe gjithë hapat ligjorë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/