Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtoreshën e spitalit rajonal, Ardjola Frashëri, e dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera”.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar veprimtarinë ekonomike të Spitalit Rajonal të Durrësit për periudhën 2013-2015.. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, në të paktën 23 raste, drejtoresha Frashëri, si edhe ish-drejtori Taulant Baku, i cili gjithashtu është nën hetim, kanë urdhëruar kryerjen e prokurimit publik me procedurën e “Negociimit pa njoftim paraprak”. Në bazë të ligjit “Për prokurimin publik”, kjo procedurë aplikohet vetëm në raste emergjente. Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Durrësit rezulton se prokurorimet publike me negocim pa njoftim janë kryer në shkelje të ligjit, për faktin se nuk ka pasur asnjë arsyetim për kushtet e emergjencës.
Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Durrësit konsideron si shkelje ligjore procedurat e prokurimit publik për mallra dhe shërbime, si: blerje nafte, shërbim kateringu, shërbim ruajtje civile, riparim pavionesh, blerje materiale pastrimi, si edhe për blerje medikamentesh dhe materialesh mjekësore.
Në vijim të hetimit, Prokuroria e Durrësit do të analizojë dëmin e shkaktuar nga procedurat e dyshuara si të zhvilluara në kundërshtim me ligjin. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik llogaritet në vlerën e rreth 70 milionë lekëve.
Pasi ka marrë vendimin e gjykatës për pezullim nga detyra të drejtoreshës Ardjola Frashëri, Prokuroria e Durrësit ia ka dërguar për zbatim Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, për ish-drejtorin Taulant Baku, nuk është kërkuar masë ndaluese, për faktin se ai nuk është në funksion publik.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/