Konfirmohet kriza e deflacionit: Rritja e parasë më e ulëta që nga...

Konfirmohet kriza e deflacionit: Rritja e parasë më e ulëta që nga vitet 2000

73
0
Shares

Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion.
Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 22.7 miliardë lekë në vitin 2015, nga 46 miliardë lekë vitin e mëparshëm dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun). Një nivel i përafërt zgjerimi i këtij treguesi i përket vitit 2013, kur ekonomia shënoi rritjen më të ulët pas viteve 2000, me 1.1%.

Teoritë ekonomike sugjerojnë se një rritje e fortë në paranë gjithsej në mënyrë tipike ul normat e interesit, që nga ana e vet gjeneron më shumë investime dhe vë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur shpenzimet. Bizneset reagojnë duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet. Fatkeqësisht kjo e fundit duket se po ndodh dhe në Shqipëri, siç e tregojnë qartë shifrat e Bankës së Shqipërisë.

Tregues të tjerë kishin sinjalizuar se ekonomia është ngadalësuar dhe investimet kanë ngecur. Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-n. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. (Lexo:Kredia për ekonominë, në 2015-n rënia më e lartë historike).
Edhe rritja e kredisë neto (përjashtuar huatë e fshira) ishte negative prej -1.4% në 2015-n, sipas të dhënave nga aktivet e sistemit bankar. Rënia e kreditimit të ekonomisë është një tregues direkt i mungesës së investimeve në vend. Edhe eksportet, një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend, në 2015-n ranë me gati 5%.

Ka një lidhje të fortë empirike të drejtë mes rritjes së parasë gjithsej dhe inflacionit dhe anasjelltas rënies së parasë apo ngadalësimit të saj dhe deflacionit. Në shkurt të këtij viti, inflacioni vjetor ishte vetëm 0.2%, më i ulëti që nga janari 2003, duke ngjallur shqetësimet për deflacion. (Lexo:Konsumi në alarm, ekonomia rrëshqet në deflacion, inflacioni i shkurtit në nivelin më të ulët nga janari 2003).

Edhe pse çmimet e karburanteve (rënie e importuar) kishin ndikim në inflacionin e ulët, të dhënat afatgjata tregojnë seinflacioni ka qenë në trend afatgjatë rënës këto vitet e fundit, duke e futur vendin zyrtarisht në atë që quhet disinflacion-ngadalësimi i normës së inflacionit.( Lexo: GRAFIKU: Inflacioni në trend afatgjatë rënës, pasqyrë e dobësive të ekonomisë).

Deflacioni është një rënie përgjithshme të çmimeve, që shpesh shkaktohet nga një reduktim në paranë gjithsej ose kredinë. Deflacioni ka efekt anësor në rritjen e papunësisë, pasi tregon që ka një nivel të ulët të kërkesës në ekonomi, e cila mund të çojë në një depresion ekonomik.
Rënia e çmimeve, në rast se vazhdon mund të krijojë një spirale vicioze elementësh negativë si rënie e fitimeve, mbyllja e fabrikave, rënien e punësimit dhe të ardhurave dhe të rrisë paaftësinë paguese të kredive nga kompanitë dhe individët.

Pikërisht për të shmangur këtë, Banka e Shqipërisë, që nga shtatori i vitit 2011 ka ulur 13 herë normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivele të ulëta rekord prej 1.75% aktualisht, në përpjekje për të nxitur kompanitë të investojnë dhe individët të shpenzojnë. Por, ndërsa kredia nuk është rritur, kursimet kanë shënuar në 2015-n rritjen më të ulët historike që pas viteve ’90, teksa individët kanë tërhequr rreth 220 milionë euro vetëm vitin e kaluar nga depozitat me afat në lekë. Para këto, që gjithsesi nuk janë relfektuar në konsum e shpenzime. (Lexo:Edhe depozitat në 2015-n, me rritjen më të ulët historike në 25 vjet.)

Deflacioni është në fakt ankthi i bankave qendrore. Pozitiv është deflacioni që vjen nga rritja e produktivitetit – ku novacionet bëjnë që konsumatorët të blejnë më lirë produkte si telefona, celulare, televizorë etj, por ky nuk është absolutisht rasti i Shqipërisë, ku rritja udhëhiqet nga shërbime elementare si tregtia (kryesisht për produkte të importuara) dhe bizneset mikro. /Monitor/

ndryshimi-vjetor-parase

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY