Presidenti Nishani uron Atin e Shenjtë me rastin e 3-vjetorit Papnor

Presidenti Nishani uron Atin e Shenjtë me rastin e 3-vjetorit Papnor

108
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Atit të Shenjtë, Papa Françeskut I, me rastin e trevjetorit Papnor. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shqiptar, i shpreh mirënjohje Atit të Shenjtë për ndihmën dhe mbështetjen që, Papa dhe Kisha Katolike i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike.

“Me rastin e trevjetorit Tuaj Papnor, kam kënaqësinë e madhe dhe shumë të veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta, si dhe t’Ju uroj jetë të gjatë e plot shëndet në përmbushje të misionit Tuaj hyjnor.

Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të veçantë, të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që, Shenjtëria Juaj dhe Kisha Katolike në Shqipëri, i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike. Shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, i ruajnë ende të freskëta mbresat nga vizita Juaj në Shqipëri, dy vjet më parë, si dhe i kujtojnë me dashuri mesazhet Tuaja inkurajuese për rritjen e shpresës brenda dhe mes tyre, lexohet në letrën e Nishanit.

Në këto kohë, fatkeqësisht njerëzimi ka përjetuar zhvillime të shumta dramatike e shpesh i kanë munguar ato pozitive, por atij asnjëherë nuk i kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse të Shenjtërisë Suaj, për më shumë dashuri, mirënjohje, solidaritet e dhembshuri, si dhe për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri ndaj tokës që Zoti na ka besuar. Jam i sigurt se, mesazhet e Shenjtërisë Suaj për mospërdorimin e fesë si pretekst për veprime kundër dinjitetit njerëzor e të drejtave themelore të çdo njeriu për jetën dhe besimin, janë mirëpritur edhe nga shqiptarët, falë traditës së tyre shumëshekullore të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Me dëshirën dhe vullnetin për t’i forcuar e pasuruar më tej lidhjet institucionale e shpirtërore, mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”- përfundon mesazhi i presidentit Nishani.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY