ARMAND SHKULLAKU/Monstra e Elbasanit është PS që ka krijuar Rama

ARMAND SHKULLAKU/Monstra e Elbasanit është PS që ka krijuar Rama

70
0
Shares

Elbasani, i përmendur shpesh në media për çuditë gjenetike, shfaqi të premten e kaluar mutacionin politik të Partisë Socialiste. Një monstër e shëmtuar, një krijesë e përçudnuar, që deri në atë moment nuk ishte parë nga sytë e publikut. Për të flitej, merrej me mend, dihej që diçka e keqe po eksperimentohej, por askush ndoshta nuk e besonte se ajo do të ishte Partia Socialiste e vitit 2016.

Ndërhyrja nga Edi Rama, në ADN-në e kësaj partie, gjatë gjithë këtyre viteve që eksperimenton me të, e ka transformuar deri në atë pikë, sa nuk e mbuloi dot shëmtinë e saj përpara shqiptarëve, ndonëse u urdhërua që sinjali televiziv të ndërpritej. Ndoshta as vetë Rama dhe as ndihmësit e tij në këtë mutacion, nuk e kishin menduar se shfaqja do të merrte të tilla përmasa, por ky është tamam rasti kur monstra del jashtë kontrollit dhe rrezikon edhe krijuesin e tij.

Skenat e histerisë kundër Ben Blushit kishin mbi 20 vjet që ishin fshirë nga historia e partive politike shqiptare. Ato madje, sot në vitin 2016, ngjajnë shumë më të shpifura se ato kundër Neritan Cekës apo Gramoz Pashkos në vitet ’90. Një turmë e ndërsyer, e punësuar në pjesën më të madhe në administratën publike dhe që paguhet nga taksat e shqiptarëve, nuk dhunoi Blushin, por të gjithë ata që e panë dhe e ndoqën më pas këtë atavizëm të kohërave të errëta. Më shumë se kundërshtarin e Ramës në parti, turma agresoi të gjithë ata shqiptarë që besojnë ende se Shqipëria mund të bëhet një vend normal europian. Me të tillë monstra që kërcënojnë, shantazhojnë e madje përpiqen të godasin një politikan që ka 17 vjet në partinë e tyre, çdo parullë e përbetim për të bërë shtet, drejtësi e demokraci perëndimore, është një mashtrim i madh.

PS dhe kryetari i saj Edi Rama po bëjnë një fushatë për të shtuar anëtarësimet e reja në parti, por me këtë që u pa në Elbasan, vështirë se një prind mund ta këshillojë fëmijën e tij të bëhet pjesë e një primitivizmi të tillë. Edhe nëse dikush prej hallit, për një vend pune apo për një interes, do të merrte teserën e kësaj partie, ajo që ndodhi të premten e kaluar është garancia e plotë e deformimit të shëmtuar që i pret edhe të rinjtë që do të hyjnë në politikë. Sepse në PS-në e Edi Ramës nuk kanë më rëndësi vlerat dhe profesionalizmi, por shkalla e shërbimit që shkon deri në linçimin e “armikut e tradhtarit” që guxon të sfidojë udhëheqësin.

Në 10 vitet e fundit, PS u modifikua gjenetikisht pikërisht për të mbërritur te monstra e Elbasanit. Aty nuk u pa vetëm turma e jargavitur që ulërinte, por edhe deputetë e politikanë të PS-së së dikurshme që kishin frikë t’i jepnin dorën Ben Blushit. Aty ishin edhe “jeniçerët” e rinj që dinë të bëjnë përpara vetëm duke i shtruar rrugën “sulltanit”. Në atë festë të zvetënimit, u ftuan edhe të rinjtë, që të bëhen si ata. Sepse në Partinë e sotme Socialiste nuk mund të ketë alternativë tjetër. Kush mendon ndryshe, ka Elbasanin si përgjigje.

Kryetari i PS-së dhe kryeministri i vendit i ka mallkuar dikur fenomene të tilla, me shkrim dhe me gojë. Ai ka qenë pjesë e shoqërisë dhe mediave të lira kur ato akuzonin Sali Berishën se po dënonte me gjyqe publike e turma histerike, kundërshtarët në parti. Ai ka patur mbështetjen e po kësaj shoqërie dhe kësaj medie kur kërkonte rregulla loje në kandidimin përballë Fatos Nanos në vitin 2003. Por mesa duket, deliri i pushtetit është aq i fortë, sa e fshin të kaluarën ose e kaluara ka qenë një rastësi dhe jo bindje e formuar e një njeriu që pretendon se është i edukuar nga vlerat perëndimore dhe jo ato anadollake. Ai, ashtu si Pashko i thoshte Berishës në vitin ’92, tani beson se është vetë e vërteta, është dielli që ngroh zemrat tona. Shfaqja e Elbasanit ishte dëshmia e trashëgimisë më të keqe totalitare që e ka transformuar partinë, deri dje më të hapur dhe demokratike në vend, në një repart mercenarësh.

Ajo dëshmi nuk ishte vetëm për shqiptarët, por edhe për ndërkombëtarët që bëjnë ecejake nga njëra zyrë në tjetrën, mbajnë fjalime në parlament e shkruajnë raporte për progresin që duhet të bëjë Shqipëria. A mund të quhet progres ajo që u pa në Elbasan? Ishte një turp. Jo vetëm për ata që ishin aty, por edhe për të gjithë shoqërinë që ka lejuar të prodhohen monstra të tilla.

Edi Rama mund të krenohet se e ka përfunduar me sukses eksperimentin e tij për transformimin e Partisë Socialiste, por ai ndoshta e ka harruar se kjo rrugë dhe modeli që tregoi në Elbasan, e kanë fundin e parashkruar. Mapo

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY