Alaudin Malaj kërkon përjashtimin e Gjin Gjonit nga votimi për kryetarin e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Këtë kërkesë Alaudin kreu aktual i Gjykatës së Apelit, i ka drejtuar ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani për anëtarin e KLD, Gjin Gjoni.
Në letrën e tij ai jep edhe arsyet e kërkesës.
“Në lidhje me procesin e vlerësimit të kandidaturës sime për Kryetar të Gjykatës së Apelit Tiranë, çmoj se pozicioni i z. Gjin Gjoni në detyrën e anëtarit të KLD-së, është në konflikt të hapur interesi. Kjo për arsye se, tashmë është bërë publik fakti që zoti Gjoni ka depozituar kallëzim penal ndaj personit tim, më datë 17 Prill 2014, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme me nr. 1264 Prot. Kjo çështje, pavarësisht se është pushuar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim datë 24.04.2014, përbën një fakt serioz i cili ndikon në këtë vendimmarrje të veçantë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke minuar paanësinë dhe transparencën e kësaj vendimmarrjeje”.
Sipas Malajt, marrja pjesë e Gjin Gjonit në këtë proces përbën konflikt të hapur interesi.
“Prandaj, për sa më lart legjitimohem si palë e interesuar në këtë proces dhe kërkoj që ky anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mos marrë pjesë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për postin drejtues të kësaj gjykate, pasi gjendet në kushtet e pengesës ligjore dhe konfliktit të hapur të interesit. Përjashtimi i tij nga ky proces, duhet të bëhet për të hequr çdo dyshim për njëanshmëri në lidhje me ecurinë e procesit të vlerësimit të kandidaturës sime, me qëllim që ky proçes të jetë sa më transparent, i drejtë dhe për të respektuar garancitë maksimale proçedurale”, thuhet në kërkesë.
Mbledhja do të zhvillohet ditën e hënë dhe zgjedhja e kryetarit të Apelit është një nga pikat e rëndësishme e rendit të ditës.
Për këtë post kandidojnë dhe gjyqtarët Hysni Demiraj dhe Gramoz Levanaj
Ndërkohë një pikë tjetër e rendit të ditës është edhe zgjedhja e 6 anëtarëve për Gjykatën Administrative të Apelit, të cilëve do t’i shtohen anëtarëve aktualë pas kërkesave të shumta të bërë nga kryetari i kësaj gjykate. Këta kandidatë do të zgjidhen nga grupi i gjyqtarëve që iu nënshtruan konkurrimit 3 vjet më parë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/