“Ka dy ditë që më ndjek një njeri i dyshimtë”.
Ky ka qenë shqetësimi që ka ndarë me të afërmit, 37-vjeçari Viljon Cakollari, i cili u qëllua me armë zjarri në prag të shtëpisë.
Ndërkohë, burime të Prokurorisë thanë se janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe të afërm të Cakollarit, i cili, megjithëse është shfaqur i shqetësuar, nuk ka marrë masa për t’u mbrojtur dhe as ka njoftuar autoritetet, raporton TV “Top Channel”.
Nga ana e saj, Prokuroria e Tiranës deklaron se ka regjistruar procedimin për “vrasje me paramendim”, të mbetur në tentativë, ndërsa ka dyshime të forta se bëhet fjalë për një atentat profesionistësh.
Plagosja e rëndë e tij në rrugën “Isuf Elezi” (ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re) dyshohet të jetë kryer nga një person i vetëm, i cili pasi ka qëlluar me një pistoletë 9 mm është larguar qetësisht në këmbë.
Kjo dinamikë e ngjarjes, ka bërë që hetuesit të dyshojnë se atentatorët kanë studiuar lëvizjet e objektivit të tyre, njëri prej të cilëve është përshkruar te të afërmit disa ditë para ngjarjes nga vet i dëmtuari.
Deri tani, pistat kryesore janë disa.
Së pari ajo e hakmarrjes, pasi vëllai i të plagosurit rëndë ka kryer një vrasje vite më parë.
Pista e dytë, sipas Prokurorisë, mund të ketë lidhje me faktin që Viljon Cakollari është kunati i Petrit Lleshit, një personazh i njohur vite më parë si anëtar i bandës së Niklës. Ai aktualisht ndodhet në burg dhe mësohet se, pak ditë më parë kishte bërë kërkesë për t’u liruar.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Shërbimit të Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme thanë se, kanë kryer verifikimet dhe rezulton se Viljon Cakollari ishte i punësuar si civil në Ministrinë e Brendshme dhe jo si efektiv policie, çfarë do të thotë se ai ka dorëzuar vetëm një dëshmi penaliteti dhe jo vërtetim personaliteti, sikurse veprojnë efektivët e Policisë, që e kanë detyrim të deklarojnë nëse kanë të afërm problematikë me ligjin.
I plagosuri Viljon Cakollari, me detyrë shofer në parkun e Ministrisë së Brendshme, po mbahet ende në Reanimacion për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/