Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Hetimor parlamentar për serverin e Tatimeve, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani është “tradhtuar” nga ish-vartëset e tij.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, Geraldina Prodani, ka mohuar të ketë dijeni për procesin e auditimit të ushtruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në vitin 2013. Ajo tha se përgjegjës për miratimin e auditeve është ish-titullari i Ministrisë së Financave, Shkëlqim Cani.
Po ashtu, edhe drejtoresha e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, Gentjana Halili, tha se i vetmi që kishte dijeni për procesin ishte ish-ministri Cani.
Dëshmitë e ish-vartësve të ish-ministrit të Financave, kanë revoltuar kreun e komisionit Arben Ristanin, jo pse ato “po ia fusnin” ish-shefit, por nga mungesa e përgjigjes.
Në këto rrethana, Arben Ristani pyeti drejtoreshën e Ministrisë së Financave përsëri…
“Sekretarja e Përgjithshme tha që nuk kam dijeni. Ju drejtoresha e Harmonizimit thoni që s’keni dijeni. Drejtoresha tjetër, Tatjana Elezi, tha që s’kam dijeni. Kush mund të ketë dijeni në Ministrinë e Financave, përveç ish-ministrit për këtë procedurë që ka ndodhur?!”, tha ai.
Por sërish, përgjigjja “gjakftohte që mori nga ish-vartëset e Canit ishte…, “Pyesni ish-ministrin e Financave”.
Vetë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, nuk është paraqitur dje në mbledhjen e këtij komisioni hetimor, edhe pse ishte thirrur si dëshmitari kryesor.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/