Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar biznesin si një tregues të ecurisë së shoqërisë. Këtë vlerësim Kreu i Shtetit, e ka bërë sonte gjatë një pritje në Presidencë përfaqësues të institucioneve dhe biznesit.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, ai tha se një shoqëri e qëndrueshme është e tillë sepse ka biznes të qëndrueshëm.
“Një biznes i konsoliduar është kontributor në mbarëvajtjen e shoqërisë. Nuk mund të ketë mirëqenie, nuk mund të ketë prosperitet, kulturë, art, as diplomaci, as rend, as mbrojtje pa një biznes të fuqishëm. Nëse marrëdhënia në fjalë është harmonioze shoqëria është e shëndetshme, në të kundërt shoqëria është e sëmurë. Ju biznesin shqiptar nuk e zgjuat nga përgjumja, ju biznesin e filluat nga e para. Biznesi i sotëm shqiptar është ndoshta i vetmi në planet që filloi nga gjendja absurde, haluçinante ‘e të gjithëve dhe e askujt’. Biznesi i sotëm nisi pa asnjë trashëgimi, nisi nga hiçi, nga zeroja në një kohë kur vetë fjala biznes nuk kishte asnjë kuptim. Për të nisur biznes u desh shumë guxim, durim, rrezikim, kreativitet, imagjinatë, energji, dinamizëm, përkushtim, insistim”, deklaroi Nishani.
Presidenti tha se çdo fushë ka ndalesat e veta, por biznesi nuk pranon pauza, nëse ndalet biznesi mbaron. Nishani ka inkurajuar biznesin që të mos dorëzohet.
“Shumë fusha, arti dhe kultura dhe madje edhe politika zhvillohen edhe me ndalesa, me pauza, biznesi jo. Biznesi nuk pranon pauza. Ju e dini fort mirë, biznesit i duhet ndenjur gjithmonë te koka. Biznesi vetëm ngjitet ose vetëm zbret. Nëse biznesi ndalet, rrokulliset teposhtë ai shndërrohet në gur Sizifi dhe mbaron. Biznesi pa e nisur nga hiçi ka padyshim kurbanet e vet, ka të sakrifikuarit e vet, entuziastët që nisën të bëjnë biznes nga vullneti i tyre i mirë, por nga arsye nga më të ndryshmet ndalën sepse nuk përballonin dot sfidat. Biznesi është një garë. Ndaj sonte këtu nuk janë ata që u ndalën, por ju që vazhduat. Ju që e duruat, ju që nuk u tërhoqët, ju që luftuat dhe ja dolët mbanë. Për këtë shqiptarët ju falënderojnë. Që kurrë të mos ndaleni, që kurrë të mos tërhiqeni, që kurrë të mos dorëzoheni, unë ju falënderoj, ju nxis, ju inkurajoj në rrugën e vështirë të të bërit biznes”, tha Kreu i Shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/