Gjykimet në këtë paraqitje mbeten në një nivel filozofiko-linguistik, më shumë terminologjik, por ato në një punë të dytë mund të shoqërohen me një paraqitje edhe më të argumentuar në planin empirik, sidomos me të dhëna numerike e statistikore, pas një kërkimi të hollësishëm. Kushedi ato mund të nxisin ndonjë studjues të ri t’i shkojë në fund këtij kërkimi.
Hipoteza që ngrihet këtu, po ta shprehnim atë thjeshtë, do të ishte si më poshtë : Gjuha politike që bart vlerat dhe siguron funksionimin simbolik të demokracisë ka njohur në dekadën e fundit një lloj ngurtësimi, dhe në kohët e sotme kjo është bërë një e vërtetë edhe më e dukshme. Ngurtësim në kuptimin që pas një shpërthimi që fjalori politik pati në vitet 90 dhe ndofta edhe në vitet e para të shekullit të ri, më pas, shpeshtësia e fjalorit politik dhe terminologjik demokratik, e gjuhës filozofiko-politike demokratike, ka nisur të rrallohet. Termat e demokracisë janë shumë më pak të pranishëm sot në gjuhën e përdorur në media, në të folurin dhe të shprehurin politik të përfaqësuesve pushtetit, si edhe shumë pak ose rrallë fare të përdorura në gjuhën e përditshme të qytetarit, ose si ta themi ndryshe në të folurin e përditshëm popullor.
Kjo e dhënë mund të testohet empirikisht dhe statistikisht, dhe në një farë mënyre duket sikur ka një censurë të padukshme që ushtrohet ndaj terminologjisë të fjalorit politik të demokracisë. Nuk është censurë funksionale as institucionale, dhe aq më pak policore, burokratike apo represive. Është si një pengesë e natyrshme, si një bllokim spontan i të folurit, që në termat e psikanalizës do ta quanim si një lloj tabuje ndaluese që e çvendos kuptimësinë terminologjike kolektive nga një univers politik dhe demokratik drejt formave të tjera të të folurit.
Zakonisht, kur një lloj gjuhe kolektive apo individuale, universi simbolik më i rëndësishëm i komunikimit, pengohet, një farë mundësie do të ishte që ajo të kthehet pas, në forma të tejkaluara të moshave, periudhave apo kohërave pararendëse. Pra, ekziston mundësia që ai që quhet proces zëvendësimi, të jetë në fakt një proces restaurimi. Në histori njihen këto prirje . Kështu pas revolucionit të madh francez, pas disa dekadash restaurohet përsëri monarkia, sigurisht me forma të reja dhe të modernizuara. Shumë më parë, në Gjermani, reforma fetare shoqërohet me kundërreformën, sikurse edhe raste të tjera historike ka ndodhur po njësoj. Do të ishte e tepër të themi se në nivelin gjuhësor, te ne kjo ende nuk ka të ndodhur. Pra nuk kemi një restaurim faktik në nivelin e sociolinguistikës të gjuhës parademokratike, moniste, por nga ana tjetër bllokimi në një farë mënyre i përdorimit të terminologjisë filozofiko-juridike të demokracisë, shënjon edhe reminishenca në nivelin social e administrativ të praktikave të kaluara. Me terma te reja demokratike shenjohen praktika reminishente te kohes te diktatures.
Censurimi gjuhësor në fakt është një çensurim semantik pra kuptimor. Dhe kur formulimi kuptimor kolektiv apo individual ndodh, atëhere ka edhe dy mundësi të tjera. Mundësia e parë do të ishte të ndodhte procesi i sublimimit, domethënë që kuptimet e një niveli, të shprehura me një gjuhë politike të pamundur per tu perdorur ne publik, të kalonin në një nivel gjuhësor më universalizues, pra të sublimoheshin në gjykime etike, artistike, fetare, etj., por kjo, për arsye që dihen, nuk kanë ndodhur dhe nuk mund të ndodhnin. Ato kërkojnë gjithashtu një nivel kulturor më të lartë të audiencave me të cilat mund të komunikohet.
Mundësia e dytë, do të ishte banalizimi, në thonjëza, i gjuhës të shprehur, pra kalimi i të folurit dhe i të shkruarit, si sistem shënjash simbolike, në një nivel më të ulët kuptimor, në një shkallë më të ulët shprehjeje, pra te realizohen jo nëpërmjet një sublimi, por nëpërmjet vulgarizimit simbolik, përdorimit te një gjuhe dytësore ; që mund të jetë një gjuhë e thjeshtëzuar administrative, gjuhë natyrore e përdorimit të përditshëm, ose edhe e një gjuhe popullore në një nivel jo të formatuar brenda niveleve kulturore të kultivuara.
Sipas meje, kriza e bllokimit të të shprehurit politik demokratik, si një censurë spontane joinstitucionale shoqërohet me një lloj vulgarizimi të sistemit të shenjave gjuhësore, pra me një vulgarizim simbolik, më shumë sesa me një sublimim semantik ose me një restaurim të sistemit terminologjik të kaluar.
+++
Kur flasim për terminologjinë e një horizonti politiko-semantik demokratik, duhet ta njohim se ai ka një ndërlikueshmëri të madhe. Gjithësesi në qendër është sistemi i të drejtave për qytetarin. Qytetari si term ka ikur nga terminologjia politike dhe bashkë me të janë rralluar nga gjuha politike edhe togfjalëshat korrespondues si « të drejtat qytetare », « barazi e qytetarëve përpara ligjit », « shanse të barabarta për qytetarët », « përgjegjshmëri para qytetarëve », « vullnet qytetar », etj.
Sigurisht edhe në kohën historike kur vullneti dhe të drejtat qytetare u shpallën si bazë e aspiratave politike për një shoqëri të re në Europë, ato fillimisht kishin një karakter propagandistik dhe më shumë ishin revendikime politike sesa realitete politike. Gjuha politike demokratike ishte më shumë një shpresë, një utopi ideologjike, sesa një sintezë marrëdhëniesh reale sociale. Por , ndërkohë duhet pranuar se simbolika terminologjike pikërisht në aspektin e saj mitologjik, si mit, është edhe bartëse vlerash, stokim vlerash, që frymëzojnë për progres shoqëror.
Dy shekuj më pas, filozofë të njohur shpjegojnë se ta zemë barazia e qytetarit në planin ligjor veç anëve reale në shoqërinë demokratike, ka edhe aspektin e vet sublimues dhe purifikues sepse nuk eshtë njëqind për qind e vërtetë dhe nuk përputhet plotësisht as me realitetet administrative, politike dhe juridike edhe në shoqëritë më të zhvilluara. Por, ndërkaq, ka një masë vëllimore semantike, që veç përmasës aksiologjike, vlerore, ka edhe atë të reflektimit të një realiteti korrespondues. Pranda, humbja dhe zbehja te ne e kësaj terminologjie dëmton sistemin e vlerave dhe na privon veç të tjerave edhe nga ai sistem e univers kuptimor simbolik që arkivon, ngurtëson, stokon, orientimet pragmatike të shoqërisë dhe individëve drejt një horizonti demokratik më progresiv.
Pra ne humbasim edhe në planin vleror, edhe në atë korrespondues me realitetin, edhe në planin pragmatik të simbolikës terminologjike politike të demokracisë.
+++
Le të mos harrojmë se kjo zbehje gjuhësore është një shenjë digjitale, nje simtome, që mat në mënyrë të saktë nivelin e zhvillimeve demokratike në vend, që pas revolucionit demokratik të viteve të para ’90, ka njohur frenim, ngadalësim, kthime të pjesshme pas, në sistemin e të drejtave qytetare.
Nga vijnë këto shenja zbehtesie të gjuhës demokratike?
Mos harrojmë se në simbolikën tonë linguistike ne kemi një problem sepse në një farë mënyre barazojmë termin « qytetar », dhe me subjektin aktiv të sistemit politik, individin që ka të drejta politike, por edhe me banuesin e qytetit. Shpesh herë kjo mbivendosje semantike ka fuqi shpjeguese simbolike jo të pakët, ndërkohë që në gjuhë të tjera me prejardhje latine ku koncepti është ngjizur në kohët e reja, tjetër është fjala “qytetar” si banues i qytetit dhe tjetër fjala “qytetar”si subjekt ndërtues i shtetit, ta zemë në frengjisht « citoyen » dhe « citadin », apo anglisht : « citizen » dhe « townspeople ». Sigurisht nuk duhet harruar që në origjinat historike në Europë të drejtat politike demokratike, pra ato të qytetarit si koncept politik, lindin në qytete, pra mes popullsish që banojnë gjeografikisht dhe sociologjikisht në qytete.
Por kemi edhe një rrethanë tjetër historike sepse për fat të keq në shekujt e fundit, format e artikulimit politik në botën shqiptare, ndonëse kanë ndjekur evoluimin e përgjithshëm historik universal, në forma sistemike, kanë pasur paremetrat më të ulët konvencionalë. Kur vendet fqinjë kërkonin dhe merrnin statusin e pavarësimit nga Perandoria osmane, ne deri në fillimet e shekullit të XX ishim fiksuar te modeli i një autonomie brenda Perandorisë. Në vend të një monarkie të trashëguar e me rrënjë historike, pas dy dekadash qeverisje republikane pas pavarësimit, kalojmë në monarki ku presidenti transformohet në monark. Mos harrojmë se edhe një farë bashkimi kombëtar me Kosovën në Luftën e Dytë Botërore e bëmë brenda një suaze fashiste. Për të mos folur që komunizmin e aplikuan në formën më staliniste të mundshme, të cilën vendet e tjera të Europës Lindore nisën ta çmontojnë qysh nga vitet 50 të shekullit të kaluar. Sot ne kemi në zbatim formën më elementare të demokracisë, atë të opinionit, kurse demokracia pjesëmarrëse, as bëhet fjalë të tregojë shenjat e para të qenies. Edhe demokracia e opinionit është e cunguar, po të shohësh sesi funksionon sistemi i sotëm mediatik në Shqipëri. Duke qenë në këtë nivel të ulët në parametrat e saj konvencionalë, edhe terminologjia simbolike me në qendër qytetarin është e zbehtë.
Të mbajmë parasysh pas lëvizjeve masive të viteve 90, shoqëria shqiptare, hyri në një fazë, si do ta quante Maks Weber, të rutinizimit institucional. Vendin e sjelljeve me protagonizëm individual dhe kolektiv, sjelljet karizmatike, nisën ta zenë sjelljet rutinore dhe institucionale. Përballë demokracisë si lëvizje dhe pjesëmarrje masash nisën të vendosen forma më racionalizuese në thonjëza menaxhimi, pra më institucionale dhe burokratike. Demokracia u përballë me burokracinë, e cila në fakt në Shqipëri nuk ekziston në parametrat e veta institucionale, por më shumë i ngjan një « hordhie », sikurse do të thoshte Maks Weberi, pra një hordhie militantësh që kthehen përkohësisht në nëpunës, dhe me ndryshimin e pushteteve, kalojnë përsëri ose në të papunë, ose në militantë, etj.
Nga të dy anët demokracia pëson goditje. Nëpunësi në fakt është militant elektoralist, kurse qytetari është, kthyer në statuse politike më të ulta, dhe trajtohet si elektorat masiv, si klient, si « shqiptar », si popull, si popullsi, si banor, si person me të ardhura të pakta, e kështu me rradhë.
E bashkë me sistemin e edukimit në sistemin parauniversitar që e kemi krejt të çorientuar dhe ku edukimi juridik, filozofik, politik është në nivele shumë të ulta, sidomos në vitet e fundit ka ndodhur edhe një proces shumë i përshpejtuar centralizimi burokratik në formën e një reforme territorriale, gjoja, që e shkëputi edhe më shumë pushtetin lokal nga vendimmarrja dhe influenca qytetare, sidomos nga masat e qytetarëve të fshatit, apo të qytetarëve urbanë. Të zgjedhurit lokalë nga qytetari rural janë pothuajse në nivel zeroje.
Me kalimin e kohës u hodh hije mbi qytetarin si keqbërës, dhe « vjedhës » energjie elektrike, mospagues taksash, ndërtues pa leje, etj.
Ndërkohë, politikat e sforcuara koncesionare, kthyen në fuqi një model pronësor që nuk e njeh demokracinë ekonomike, sepse ekonomia jonë nuk njeh aksionariatin popullor, bursën e aksioneve, kompanitë me kapital kolektiv, ekonominë kolaborative, etj.
Për të mos folur që në sistemin zgjedhor e kemi të ndêrtuar mbi pabarazitë politike mes qytetarëve, ku një individ në listën e kandidatëve të një partie ka shumë më tepër të drejta politike dhe shanse për t’u zgjedhur sesa një kandidat i pavarur, dhe ku individi kandidat në listat e partive nuk varet nga vullneti direkt i një qytetari, por nga rrethana të tjera që e shtrembërojnë parimin bazë kushtetues për zgjedhje të drejta, të barabarta dhe direkte.
Nisur nga këto realitete mund të themi se simbolika terminologjike demokratike e zbehur ka dëmtuar jo vetëm mitologjinë politike si rezervuar vlerash të qendrueshme në semantikë, jo vetëm përmasat aksiologjike të gjuhës politike, si edhe gjuhën si korresponduese të realitetit, duke u shoqëruar me një zhvendosje semantike termash ose heshtje semantike, por në këto kushte gjuha simbolike është bërë një shenjë simptomatike, pra që tregon zbehjen e vlerave demokratike dhe të rolit qytetar në vend.
Ky realitet për mua shtron nevojën e një revolucioni të dytë demokratik. Nuk është thjesht një rrotacion politik. Është rivendosja e qytetarit në qendër të programeve politike, në qendër të aksionit politik, në qendër të respektueshmërisë politike.
Kjo nuk bëhet me zëvendësime terminologjiko-politike, pra shteti i së drejtës të zëvendësohet nga pluralizimi partiak, ku asnjëanësia e institucioneve shtetrore të konsiderohet si dyanësi politike, bipartizanllik, ku kryetari i pushtetit lokal të konsiderohet si menaxher i qytetit, etj.
Qytetari duhet të rilindë, ndërkohë ai është në proces asfiksimi të thekur deri në atê pikë sa ai është i përjashtuar nga media, nga institucionet, dhe nga e drejta e ushtrimit e kontrollit mbi institucionet.
Kuvendi nga pushtet legjislativ i të zgjedhurve të popullit është kthyer në arenë përplasjesh verbale e tensione orale mes grupeve militantësh partizanë.
Ligja ka humbur shaminë dhe verbërinë e vet si kusht i paanësisë.
Kurse partitë rikthehen te antarësia vetëm në fazat kongresuale dhe parazgjedhore.
Sallat e pritjes dhe rituali i pritjes për piopullin është në ditë të hallit. Ende nuk kemi një rast referendumi lokal, madje pothuajse asnjë rast të dytë referendumi kombëtar. Konkurset të hapura për garë publike mes qytetarêve për vende pune janë pothuajse një farsë.
Edhe një herë simptoma është e qartë. Fjala « sovrani » ka humbur përdorimin në gjuhën e sotme politike. Ajo nuk ekziston realisht as si vlerë. Gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmbi, ose gjuha e eviton dhëmbin që dhëmb. Është ky rast i dytë aktualisht. Sovranit ja rrëmbyen inciativën burokracitë militante gjoja institucoonale. Ja rrëmbyen ata që mbizotërojnë edhe gjuhën politike, gjoja elitat, ne fakt militantët, gjoja forumet, pronat ja rrëmbyen koncesionet, dhe tani nga maja e autoritetetit pushtetar edhe të papunët quhen “dembelë”, “parazitë”.
Kuvendi si përfaqësues formal i qytetarit kërkohet të dekriminalizohet!!! Ky është rezultati i evolucionit politik në Shqipëri. Atje ku ligj duhet të ngjizej për të ndëshkuar krimin, sot dëgjojmë se ligja si vullnet formal i qytetarit që duhet të jetë, ndikohet nga krimi!!!
Qytetari është zhvlerësuar. Dhe në një farë mënyre ka arsye. Kur një parti në fuqi përherë te ne vazhdon të qeverisë me pakicën e votës të qytetarëve, kurse parimi kërkon të qeverisë shumica, kur qeveris me votën e militantëve, sepse qytetari i ka refuzuar me abstenim zgjedhjet, ose e trajton votën si kupon me vlerë financiare për t’u shkëmbyer, edhe pushteti nuk e njeh sovranin, edhe deputeti nuk i njeh detyrimin vetes për t’u përgjigjur ndaj një qytetari.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/