Kush ka qenë për “jetë nate” në Stamboll në lagjen famëkeqe “Aksaray” e di shumë mirë se pa 300 euro personi nuk mund të çohesh dot nga tavolina edhe sikur të kesh pirë vetëm një kola. Natyrisht pa përfshirë asnjë “shërbim shtesë”. Me dhjetëra bodyguard të mbikëqyrin derisa të paguash edhe lirën e fundit. Të gjithë e dinë se ato janë lokale të kontrolluara nga mafia turke, por askush nuk i di emrat reale të pronarëve të lokaleve. Në Stamboll flitet që më 1977-ën, Mustafa Süzer iku nga vendlindja Gaziantep dhe filloi të merrte nën kontroll një nga një lokalet e “Aksaray”, që në atë kohë ishin pa vlerë dhe shumë shpejt iu dha vlerën e sotme.
Por “blerjen” më të suksesshme Mustafa Süzer e bëri kur “bleu” me dhunë “Lulishten e Çajit”- një nga lulishtet më të bukura të Stambollit, majën e kodrës mbi Pallatin e Sulltanit Dolmabahçe, ku nuk lejohej me ligj asnjë lloj ndërtimi (vendim që nga Sulltan Abdulhamid II) dhe në vitin 1987 pa asnjë leje ndërtimi filloi ndërtimin e ndërtesës më të lartë në Stamboll: “Gökkafes” (sot “Süzer Plaza”), e cila më 2001 mori emrin francez “Ritz Carlton”.
Në Stamboll pati shumë protesta kundër këtij përbindëshi betoni që po ngrihej në mes të “Lulishtes së Çajit” dhe ngjitur me monumentin e kulturës “Taskisla” – ish-qendra e garnizonit të jeniçerëve, sot Universiteti i Stambollit, Fakulteti i Arkitekturës.
Mustafa Süzer arriti të korruptonte të gjitha institucionet dhe disa vjet pas ndërtimit mori edhe lejen e ndërtimit, por duke ndryshuar më parë edhe ligje të trashëgimisë kulturore në favorin e tij. Në vitet 1994-1998 Süzer pati përplasje të mëdha për këtë çështje dhe të tjera me ish-kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Recep Tayyip Erdogan. Por falë gjyqësorit të korruptuar arriti të mbijetonte erën Erdogan në Stamboll.
Në vitet ‘90 Mustafa Süzer hapi Kent Bank, e cila në vitin 2001 u konfiskua nga BDDK (Agjencia e Supervizionit dhe Rregullimit Bankar të Turqisë) dhe i hoqi lejen e aktivitetit për parregullsi (pastrim parash). Mustafa Süzer ende është në një seri gjyqesh kundër qeverisë turke, për rifitimin e licencës bankare, që nga Turqia e deri tek Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Se si është njohur Mustafa Süzer me Arben Ahmetajn dhe më vonë me Edi Ramën, besoj që është një histori e rëndomtë dhe e ngjashme me historitë e turistëve që vizitojnë lokalet e Süzerit në “Aksaray”. Mustafa Süzer nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri, por sigurisht që tipat qejflinj si Arben Ahmetaj, janë një pre VIP për Süzer-in. Dhe për këtë Süzer-i nuk është nevoja të përdorë infrastrukturën e “Aksaray”-t, pasi pikërisht për të tilla pre, ai ka ndërtesën më luksoze të Stambollit – “Süzer Plaza” dhe me një “personel VIP”, nga Rusia deri në Brazil.
Fakt është që Arben Ahmetaj dhe Edi Rama kanë qëndruar disa herë në “Süzer Plaza”. Fakt është që Arben Ahmetaj dhe Edi Rama i kanë premtuar Mustafa Süzer-it, që më 2014-ën që ndër të tjera t’i japin Skavicën dhe i kanë qëndruar besnik premtimit.
Fakt është që Mustafa Süzer nuk ka ndërtuar kurrë hidrocentrale, por për t’u quajtur me eksperiencë thuhet se ka bërë konsorcium me një firmë turke “NUROL Energji”, që ka ndërtuar 2 HEC-e të vogla.
Fakt është që Mustafa Süzer u nis për të bërë projektin e Skavicës me 300 MW, bile në faqen e tij në internet, kështu e publikon, por në fakt ka marrë bonus vetëm për një HEC 57 MW.
Ekspetët e financës në Turqi, njoftojnë se “Süzer Group” ka emetuar në Bursën e Stambollit aksione të reja në fillim të janarit, çka përkon me datën kur u shpall vendimi i qeverisë shqiptare, Nr. 1068, datë 23.12.2015, që ka miratuar bonusin prej 8 pikësh, për “Propozimin e pakërkuar nga bashkimi i ‘Süzer Group’ dhe ‘Nurol Holding’ për ndërtimin e HEC Katundi i ri”. Të dhënat e fryra për këtë projekt që paraqiten në webfaqen e “Süzer”-it, analistët i vlerësojnë si një taktikë për mashtrim klientësh. Vetëm nga publikimi i këtij lajmi “Süzer” ka fituar disa milionë euro në Bursën e Stambollit.
Duke ditur që Arben Ahmetaj dhe Edi Rama nuk para janë besnikë nga natyra, si ka mundësi që i rrinë kaq besnikë Mustafa Süzer-it për Skavicën?
Natyrisht, në këtë marrëdhënie ka një element shtrëngues dhe shantazhues. Mustafa Süzer është një nga mashtruesit më të fortë të Turqisë dhe sigurisht që ua ka shtrënguar rripat mirë Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt, që të mos i lëvizin nga fjala.
Pyetja që kërkon përgjigje nga Ahmetaj dhe Rama është nëse në vitin 2014, Mustafa Süzer i ka dhënë Arben Ahmetajt një kapar simbolik prej 500 mijë eurosh dhe në dhjetor 2015, që përkon me VKM Nr. 1068, i ka paguar edhe 5 milionë euro të tjera? Gjithashtu pyetja tjetër që duhet ti jpain përgjigje është nëse njerëz të afërm me Mustafa Süzer i kanë premtuar Ramës parapagim bakshish 2% të vlerës së projektit të plotë të Skavicës ose 20 milionë euro, plus 50% të punimeve si nënkontraktorë? Por tani me reduktimin e projektit vetëm në projektin e Katundit të ri, mbase kjo shumë do të rishikohet, pasi projekti madh i ryshfetit parashikonte të gjithë ndërtimin e Skavicës.
Si do që të jenë pazaret Süzer-Rama-Ahmetaj, kush e njeh mirë Mustafa Süzer-in e di që Edi Rama e Arben Ahmetaj janë peshë shumë e lehtë për profilin e tij. Ata me siguri absolute janë pre dhe peng të merimangës së tij dhe nuk kanë asnjë shans t’i dalin nga rreshti dhe as nuk pranon t’ia kthejnë paratë.
Fatkeqësisht Rama-Ahmetaj nuk kanë asnjë shans të kërkojnë ndihmë nga qeveria turke për t’u shkëputur nga Mustafa Süzer-i, pasi marrëdhënia midis tyre ka qenë tejet “personale” dhe s’kanë kërkuar kurrë informacion apo këshillë nga qeveria turke për Süzer-in apo të ndjekin rrugët institucionale të komunikimit. Kjo pasi Rama-Ahmetaj e kanë ditur që në fillim që Mustafa Süzer-i është në konflikt me qeverinë turke.
Edi Rama gjithmonë i ka pasur qejf pazaret me të fortët, por këtë herë i ka hasur sharra në gozhdë. Mustafa Süzer-i mund të mos dijë të bëjë hidrocentrale, por ai është një burrë shumë i fortë që e di se ç’bën. Bile me shumë eksperiencë, se i ka mbijetuar rrugëve të Stambollit dhe qeverive të Ankarasë për 40 vite.
Por një gjë është e sigurt:
Edi Rama, qeveria shqiptare dhe gjithë Shqipëria janë peng i Mustafa Süzer-it. Informacione të tjera akoma dhe më sensitive në lidhje me këtë aferë do të bëhen publike në numrat e ardhshëm.
Afera, Rama i dha 8 pikë bonus kompanisë turke
Mustafa Süzer
Vendimi, i marrë më 17 dhjetor 2014 në fshehtësi nga Rama në kundërshtim të hapur me ligjin fsheh një tjetër aferë korruptive të qeverisë që pritet t’u kushtojë shqiptarëve rreth 110 milionë euro. Koncesioni i Skavicës, pas aferës CEZ, është projekti më korruptiv dhe pazari më i dyshimtë i Edi Ramës dhe ministrit të tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Kompania që fitoi koncesionin e Skavicës është kompania turke “Suzer”, e cila ndonëse listohet në listën e zezë ndërkombëtare, nga Rama dhe Ahmetaj fitoi një bonus me 8 pikë për aferën Skavica, duke ia falur atë. PD ka denoncuar se kompania “Suzer” ka negociuar intensivisht në fshehtësi me qeverinë Rama për të marrë Skavicën, duke i sjellë madje Ahmetajt edhe një çarter të posaçëm me të cilin ministri i Ramës ka udhëtuar disa herë drejt Turqisë në hotele lukzose, ndërsa vijonte negociatat deri në mbylljen e aferës dhe dhënien e Skavicës kompanisë “Suzer”.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi duke e konsideruar denoncimin e opozitës si “fabrikim dhe shpifje”, por pranoi se me të vërtetë, më 23 dhjetor 2015, qeveria e ka dhënë një bonus për një kompani turke. Vendimi i qeverisë u publikua më 7 janar 2015, në Fletoren Zyrtare. Vendimi, për të cilin nuk u publikua relacion shoqërues, mjaftohet vetëm duke thënë se jepet bonusi “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Ende pa u dhënë lajmi nga qeveria shqiptare, kompania turke “Suzer” publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 57 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro. Qeveria thotë se në fakt, dhënia e bonusit është hapi i parë i koncesionit, i cili do të duhet t’i nënshtrohet gjithsesi një tenderi, sipas kuadrit ligjor ekzistues. Por kompania “Suzer” deklaron sakaq në faqen e saj të internetit se “punimet do të nisin në fund të vitit 2015” dhe se pritet që hidrocentrali të përfundojë së ndërtuari pas 30 muajsh nga nisja e punimeve.
Ndërkohë, Partia Demokratike thotë se në fakt, marrëveshja për koncesionin është arritur në mënyrë sekrete në prill të vitit të kaluar gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama në Stamboll. “I kërkuam Ramës të përgjigjej po bënte apo jo negociata të fshehta e të paligjshme për të dhënë pa garë e pa transparencë projektin më të rëndësishëm energjetik në Shqipëri, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një kompanie turke, ‘Suzer & Nurol Group’”, deklaronte Grida Duma, sekretare për marrëdhënien me publikun në Partinë Demokratike. Sipas saj, koncesioni është dhënë sakaq, aq sa ministri i Ekonomisë, i vënë nën pyetjen se pse nuk ka investime të huaja në emisionin “Zonë e Lirë”, e deklaroi qartazi se koncesioni i Skavicës i është dhënë “Suzer Group”.
“Rilindja Demokratike”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/