Që prej 2013, Shqipëria dhe shqiptarët po vuajnë pasojat e marrëdhënies më të afërt që kanë pasur ndonjëherë krimi-politika-pushteti. Në fakt, një varësi të dhimbshme të këtyre dy të fundit ndaj të parës. Kemi parë e dëgjuar, kemi parë, dëgjuar e vërtetuar se te jesh pjesë e politikës nuk qenka gjithmonë çështje vullneti, prirjeje. Të jesh pjesë e politikës e më pas e pushtetit, nuk paska gjithmonë lidhje me vendosmërinë për të dhënë kontributin tënd drejt zhvillimit te vendit, bazuar në profesionalizmin dhe korrektësinë tënde. Por, mjerisht, për shumë “politikanë”, politika qenka “pasaportë” për të marrë, ushtruar e shfrytëzuar pushtetin për interesa të ngushta personale, familjare e më rëndë të grupeve të mirëorganizuara e sofistikuara kriminale.
Në këto 3 vjet qeverisje, gjithçka tjetër ka ndodhur përveç rritjes së ekonomisë se vendit. Me një parlament të njollosur nga persona me histori kriminale (të provuar gjyqësish apo në procedim), me ministra të heshtur e mikrofonë të kryeministrit (se jam betuar se nuk ua përmend më emrin), me drejtues e specialistë institucionesh që janë aty për militantizmin e jo detyrimisht për profesionalizmin, me spitale ku sëmundja të rëndohet falas në qoftë se ti pretendon shëndetësi falas, me rend të pasigurt më shumë se kurrë e me siguri të rënduar si asnjëherë, me të papunë të pashpresë e të punësuar të bindur që s’ka shpresë, me arsim të shtrenjtuar e studentë të pa motivuar, me të diplomuar të rremë e intelektualë të prerë shpresash…
Ku shkojmë?!
Me politikanë, deputetë e ministra që u dihet emri e njihet fytyra për shkak të pasurisë, jetës luksoze, metrave katrorë të oborrit dhe palmave të mbjella në të, me politikanë nostalgjik të bunkerëve, shijues deri në delir të gafave të tyre, adhurues të aktrimit e shfaqjeve, memecë në parlament, shurdh përballë popullit, me një kryeministër që ka bërë realitet vetë, mashtrimet e tij, që tashmë nuk e përsërit më refrenin e 1 milion shuplakave të 2013-ës pasi i druhet shuplakave të socialistëve, të marsit të pas 3 viteve…
Asgjëkund shkojmë!
Në Shqipërinë e 2013-ës, në Shqipërinë e 2016-ës flitet vetëm për qeverinë, për pushtetarët, për korrupsion, vjedhje miliarda eurosh, pafajësi të fajtorëve, drogë, mashtrim e koncesione-bingo. E kur bie fjala për popullin, për popullin s’ka fjalë shumë…, populli është në qendër të vëmendjes në lajmet e kronikës, në lajmet për vjedhjet e pasurisë në mesin e ditës apo natës, ku autorët shfaqen edhe me uniformë policie, në theksimin e ritheksimin e faktit se autoritetet gjermane, përfundimisht, e klasifikojnë Shqipërinë vend të sigurt origjine.
Në këtë periudhë zhvillimesh negative për vendin tonë, kur populli e ka humbur shpresën por është i bindur në sfidën për ndryshim, opozita po kryen, më mirë se asnjëherë, misionin e saj për të kritikuar e demaskuar keqqeverisjen dhe dhënë alternativat e saj.
E nisur disa muaj më parë, beteja për pastrimin e politikës e vendimmarrjes nga krimi e kriminelët, do të finalizohej me të shumëpërfolurin “procesi i dekriminalizimit” e më në fund me ligjin për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Të zgjedhurit apo emëruarit, në ushtrim të funksioneve publike, pretendentët për tu zgjedhur apo emëruar, apo ushtruar funksione publike të dënuar me vendim të formës se prerë apo kur ndaj tyre janë dhënë vendime dënimi nga gjykatat e shkallës së pare, është vendosur një masë sigurimi personal, apo është lëshuar një urdhër kërkimi nga një autoritet gjyqësor i huaj deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë, tashmë nuk do të kenë më luksin të ushtrojnë pushtet ndaj popullit.
“Ky ligj – shprehet ambasada amerikane – pritet të forcojë sundimin e ligjit dhe të rrisë integritetin e të zgjedhurve në mesin e zyrtarëve publikë, të forcojë luftën kundër korrupsionit, por edhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore. Miratimi i kësaj pakete legjislative tregon se dialogu konstruktiv ndërpartiak është mënyra më e mirë për të ndjekur reformat e tjera të nevojshme për vendin”.
E në fakt, për domosdoshmërinë e këtij ligji, për situatën kritike të vendit tonë, për vullnetin për dialog të hapur ë pastër me të gjithë aktorët politikë, ishte opozita që ngriti zërin dhe ofroi alternativat e saj.
Një parlament i blinduar nga persona të inkriminuar, që nuk janë vetëm por kanë grupet e tyre, edhe këta në ushtrim të pushtetit apo shfrytëzim të tij, për herë të parë e gjeti vetën të zhvleftësuar moralisht duke sinjalizuar dhe fundin e tij si kusht i fillimit të dhënies jetë procesit konkretisht. Opozita pati guximin të deklaronte hapur dhe me emra konkretë sesi pushteti po ushtrohej e kushtëzohej nga krimi. Me një parlament të kriminalizuar, me një politikë qe po iu jep imunitet kriminelëve për tu bërë shfrytëzues të pushtetit domosdo duhej përballë opozita më e saktë dhe sofistikuar deri më sot.
Bërja publike e rasteve konkrete me emra konkret, denoncimi i abuzimeve që po bën kjo qeveri me pushtetin, ndjekja hap pas hapi e çdo zhvillimi, dhënia e alternativave për zgjidhjen e çdo situate, e njëkohësisht edhe marrja e konfirmimit të popullit në çdo cep te Shqipërisë janë angazhimet e opozitës. Specialistë të çdo fushe, vlera të njohura ndër vite në PD apo të bashkuar rishtas, me profesionalizëm, seriozitet e përkushtim po bëjnë analizën e çdo situate.
Lulzim Basha dhe Partia Demokratike po bëjnë opozitën me reale, konkrete, teknike, aktuale e largpamëse që janë parë në këto 25 vite pluralizëm. Partia Demokratike po bën opozitë faktesh dhe intelektuale! Nëpërmjet këtij procesi synohen të arrihen dy qëllime: së pari, ti jepet fund këtij pushteti të kriminalizuar e së dyti, të fillojë një periudhë e re për politikën tonë: ajo e përgjegjshmërisë, përgjegjësisë, llogaridhënies para popullit, misioneve të nisura e kryera me sukses në të mirë të vendit.
Duke ia arritur qëllimit që politika të pastrohet në ndërgjegjen e saj dhe politikës ti afrohen vlerat e shoqërisë, populli si votues do të mund të vendosë i lirë në proceset zgjedhore. Është kjo arsyeja pse populli vlerësohet si konfirmues i misionit të Partisë Demokratike në betejën me pushtetin dhe jo mjet për të marrë pushtetin. Është kjo arsyeja pse Partia Demokratike nuk udhëheq protesta të dhunshme por bashkohet me popullin në çdo cep, duke protestuar paqësisht, me një qëllim të vetëm: Shqipëria dhe shqiptarët, më në fund të jenë si gjithë Europa, jo me sytë drejt Europës por në vendin e tyre!
E ndërkohë, kemi socialistët, te cilët të bindur në dështimin e tyre qeverisës, të bindur se kryetari i partisë (bashkë me fotokopjet e tij) është shkaktari kryesor i kësaj situate, po shohin shpresën te Ben Blushi. Një pjesë kanë marrë guximin të shprehen hapur, e pjesa tjetër e pranojnë se Blushi ka të drejtë kur akuzon Ramën, por nuk guxojnë ta shprehin për shkak të pushtetit. Ka të drejte Blushi kur numëron disfatat e qeverisjes së Rilindjes, edhe kur thotë se ishte dështim, mashtrim! Dhe kur thotë se karrierë ne PS,sot, bëjnë kriminelët, apo se partia e ka humbur demokracinë e brendshme!
Por, për të arritur të gjitha këto, Blushi dhe socialistët, duhet më parë të kalojnë në opozitë. Vetëm atëherë Blushin e votojnë socialistët të pa ndikuar apo diktuar nga pushteti, shumë apo në grimca. A ndryshon Blushi nga ky që po drejton sot partinë e tij?! A ka dëshmuar Blushi se kur ishte ministër i Nanos dinte të qeveriste më mirë se ky që është sot në krye të partisë së tij?! A është Blushi alternativë e socialistëve të ndershëm apo alternativë e të gjithë socialistëve për të mos rënë në opozitë? Këtu ka vend për diskutim.
Një gjë është e sigurt tashmë: përballë frymës perëndimore në Partinë Demokratike dhe qëllimit të socialistëve për të qëndruar në pushtet pavarësisht dështimeve të pafalshme, shqiptarët do besojnë Lulzim Bashën kryeministër duke shënuar fillimin e një qeverisje të pastër, të kërkuar prej shume vitesh, duke i dhënë mundësi edhe partisë socialiste për të bërë “autokritikë” në opozitë dhe realizuar demokracinë e brendshme të munguar.
* Kryetare e FRPD, Lezhë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/