Kreu i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar dhe ka etiketuar sot si përgjegjës ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për masakrën e një nate më parë në Elbasan, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Në një dalje nga selia e PD-së blu, Basha e cilësoi ministrin Tahiri si frymëzuesin dhe mbështetësin e bandave dhe banditëve që dalin lirshëm me armë dhe vrasin natë dhe ditë, madje dhe me uniforma policie.
“Këto ekzekutime nuk janë larje hesapesh siç mundohet të lajë gojën qeveria por janë produkt i klimës së krijuar në vend, ku kriminelët, banditët, bandat, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit kanë njohje, lidhje, mbështetje, kanë Ministrin. Ndaj lëvizin lirshëm, mbajnë uniformën e policisë së shtetit, vrasin dhe ekzekutojnë pa asnjë pengesë, pa ju hyrë gjemb në këmbë. Si për tu kujtuar gjithë shqiptarëve se në qeverisjen e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit, krimi ndihet dhe është çdo ditë në pushtet. Kjo situatë kritike për rendin dhe sigurinë është produkt i ortakërisë së qeverisë Rama me krimin, ortakërisë së Sajmir Tahirit me Habilajt, Shullazët, emërimit të dhjetëra kriminelëve dhe trafikantëve në poste të larta, në shtet dhe polici. Ky Ministër që ndërmjetëson me vrasës me pagesë në zyrën e Ministrit të Brendshëm dhe rezidencat qeveritare, ky që i jep makinën personale trafikantëve të drogës, ky që e ka mbërthyer trupën e policisë së shtetit me persona të inkriminuar që ua ka vënë në krye, ky që vendos forcat operacionale dhe speciale në dispozicion të Shullazit, ky që u shfaqësohet në telefon baronëve të drogës kur kapen nga shërbimet partnere se nuk e kanë prej tij, ky që djeg provat në laborator për interesat e bandave të narkotrafikut, ky palo Ministër është fakt që frumëzon, inkurajon, i jep zemër dhe krah krimit dhe kriminelëve që të godasin me armë në dorë ditën dhe natën. Ky ministër e ka tradhtuar policinë, interesin publik dhe qytetarët”, u shpreh Basha.
Sipas tij, Tahiri duhet të largohet nga detyra menjëherë.
“Bën tendera uniformash me miliona euro, shfaqet si dizenjator me kufje në vesh, por krimi godet pikërisht me uniformën e policisë. Masakra e Elbasanit ndryshoi mbrëmjen e çdo qytetari teksa ndiqnin në ankth dhe tronditje raportimet e medias, vetëm Sajmir Tahiri nuk ishte në ankth dhe tronditje, 45 minuta pas masakrës kur bilanci i ngjarjes sa vinte e rëndohej, ky dordolec publikoi videoselfie me militantët e partisë së tij, perversitet, cinizëm dhe arrogancë e pakufi. Çdo ditë më shumë e Saimir Tahirit në krye të rendit është festë për bandat, dramë dhe tragjedi për familjet shqiptare. Ai duhet të largohet menjëherë nga detyra, sot, tani, të largohet dhe të vihet para drejtësisë për lidhjet e tij me bandat, krimin dhe trafiqet”, vijoi më tej denoncimin Basha.
Byroja e Hetimit, pyetje – përgjigje
Me Byronë Kombëtare të Hetimit, të paktën nëse ju e keni bërë çështje të ditës dhe të javës, e para ju përse kërkoni që Byroja Kombëtare e Hetimit të miratohet në parlament pa u miratuar më parë amendamentet kushtetuese? A mund të ketë ajo fuqi ligjore kur ka një pengesë kushtetuese sipas amendamentit? Njësia speciale e hetimit nuk do të jetë në varësinë e prokurorit të përgjithshëm?
Byroja Kombëtare e Hetimit është një projekt i përfunduar me ndihmën e ekspertëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Parashikimet ligjore që i hapin rrugë Byrosë Kombëtare të Hetimit janë rakorduar veç e veç me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga opozita, nga Partia Demokratike, nga unë si kryetar i saj dhe sipas informacioneve edhe nga përfaqësuesi i mazhorancës, kreu i ekzekutivit dhe përfaqësuesi tjetër kreu i Partisë së Lëvizjes Socialiste dhe Integrim, kreu i Kuvendit. Kjo ka ndodhur prej afro 4 muaj e gjysmë. Dhe prej afro 4 muaj e gjysmë, pa asnjë shpjegim Edi Rama refuzon të sjellë në parlament aktin që i hap rrugë themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas të cilit me fondet e taksapaguesve amerikanë do të trajnohen punonjësit e policisë dhe prokurorët që do të hetojnë korrupsionin e nivelit të lartë.Nuk ka nevojë as për ndërhyrje në kushtetutë, as për amendamente kushtetuese. Projekti është gati. Ne kemi shprehur vullnetin tonë ndaj pengesa është një shenjë e qartë dhe publike e mungesës së gadishmërisë së Edi Ramës për të krijuar këtë strukturë që heton korrupsionin në nivele të larta.
Nuk ka nevojë, por është pjesë e reformës në drejtësi, a duhet pritur Venecia?
Ky aspekt i Reformës në Drejtësi, ngritja e kësaj strukture të posaçme të hetimit të korrupsionit të nivelit të lartë ka rakordimin e plotë, formalisht na është raportuar të mazhorancës, ka rakordim të plotë tonin substancialisht e formalisht dhe ka kaluar përmes rekomandimeve të Venecias ndaj është e gatshme të adoptohet një orë e më parë. Të gjitha të tjerat janë justifikime dhe gënjeshtra.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/