Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi sot gjatë analizës së prokurorisë së Durrësit se ngjarjet e rënda në këtë qytet kryesisht ndodhin për shkak të konflikteve në trafikimin e lëndëve narkotike dhe të konflikteve për pronën. Në këto ngjarje, sipas Llallës autorët kanë përdorur dhe uniforma policie dhe është detyrë e të gjithëve që të mos sfidohet autoriteti i shtetit.
Llalla i bëri këto deklarata gjatë analizës vjetore me prokuroritë e rretheve gjyqësore Elbasan, Kavajë dhe Durrës, prokurori në juridiksionin e Prokurorisë së Apelit të Durrësit.
Sipas tij, grupet kriminale po sfidojnë shtetin.
Ai iu referua ekzekutimeve të fundit në qendër të qytetit, si dhe krimeve të tjera ende të pazbardhura.
“Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se vrasjet e ndodhura në qendër të qytetit janë rrjedhojë e përplasjeve për trafikun e lëndëve narkotike, si edhe për përfitime të padrejta të pronës. Janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale”, tha Llalla.
Për Llallën grupet kriminale kanë lidhje të fuqishme dhe kjo ka shkaktuar vështirësi në zbulimin e tyre.
“Prokuroria e Përgjithshme e kupton më së miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur. Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që të forcohet bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, si edhe të shfrytëzohet plotësisht informacioni i partnerëve ndërkombëtarë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të forcojmë sigurinë në vendin tonë”, u shpreh kryeprokurori.
Kryeprokurori u la dhe një porosi të rëndësishme prokurorëve në Durrës dhe në Kavajë.
“Po ashtu, nga Prokuroria e Durrësit dhe Kavajës kërkohet një impenjim më i madh në hetimet për ndarjen e tokave në zonën bregdetare”, porositi Llalla.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/