Qeveria forcon rregullat e kontrollit, pasi ndodhet nën presionin e akumulimit të...

Qeveria forcon rregullat e kontrollit, pasi ndodhet nën presionin e akumulimit të detyrimeve të prapambetura

264
0
Shares

Akumulimi i gati 8 milionë euro detyrime të prapambetura deri në fund të tetorit 2015 ka angazhuar qeverinë që të forcojë më tej kontrollin mbi zinxhirin e disbursimit të fondeve buxhetore.

Sipas një udhëzimit të fundit të Ministrisë së Financave për zbatimin e buxhetit 2016, do të ushtrohen kontrolle financiare paraprake shtesë në procesin e menaxhimit të fondeve publike.

Me qëllim menaxhimin financiar efecient të fondeve publike dhe parandalimit të krijimit të detyrimeve të papaguara në kohë, në nenin 10 të ligjit nr.147 datë 17.12.2015 “Për buxhetin e vitit 2016”, janë miratuar tavanet buxhetore për çdo program, të ndara për shpenzime korente dhe shpenzime kapitale për vitet 2017 dhe 2018.

Ndërsa detajimi i buxhetit 2016 bëhet pjesë e Sistemit informatik Financiar të Qeverisë, limitet e angazhimit për vitet 2017 dhe 2018, depozitohen në degët e Thesarit të rretheve për t‟u regjistruar në një pasqyrë të veçantë jashtë Sistemit informatik Financiar të Qeverisë, deri në momentin që sistemi do të zgjerohet duke përfshirë edhe këto vite, sqaron Ministria e Financave. Për vitin 2019, limiti i angazhimit depozitohet me miratimin nga Këshilli i Ministrave të tavaneve përgatitore 2017-2019.

Çdo njësi e qeverisjes së përgjithshme duhet të depozitojë regjistrin e prokurimeve publike zyrtarisht dhe elektronikisht në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Degën e Thesarit në fillim të çdo viti buxhetor, si dhe çdo ndryshim të tij gjatë vitit, përpara fillimit të procedurës së prokurimit. Në çdo rast, shuma totale e prokurimeve duhet të jetë e barabartë ose më e vogël se fondet e miratuara për vitin buxhetor.

Në rast se parashikohen prokurime për kontrata shumëvjeçare, ato duhet të paraqiten në regjistër, duke specifikuar veçmas fondin e nevojshëm për vitin buxhetor 2016 dhe fondet e parashikuara për secilin vit buxhetor, deri në plotësimin e shërbimeve/punimeve të planifikuara, përcaktojnë financat.

Më pas Dega e Thesarit kryen kontrollin e totalit të fondeve të paraqitura në regjistrin e prokurimeve me totalin e fondeve të miratuara në buxhetin e njësisë dhe vetëm pasi vuloset nga Thesari urdhri i prokurimit, njësia mund të fillojë procesin e prokurimit në Agjencinë e Prokurimeve Publike.

Nga ana tjetër institucionet buxhetore, të cilat operojnë direkt në SIFQ, regjistrojnë në sistem çdo vlerë prokurimi të përcaktuar në planin e miratuar të prokurimeve të institucionit dhe pasi marrin numrin unik të regjistrimit në SIFQ dhe vulën e Thesarit, procedojnë me dërgimin në Agjencinë e Prokurimeve Publike.

Të gjithë urdhrat e prokurimit që nxirren gjatë vitit për mallrat, shërbimet dhe investimet duhet të paraqiten në degën e Thesarit, së bashku me ftesën për prokurim, të cilat duhet:

  • t‟i përmbahen listës së prokurimeve të dorëzuar në Thesar,
  • të kontrollohen për përputhshmëri me regjistrin e prokurimeve dhe të vulosen nga dega e Thesarit, përpara procedimit, sipas rregullave të prokurimit publik.

Dega e Thesarit, informon strukturën përgjegjëse të buxhetit në Ministrinë e Financave, një herë në muaj, brenda 10 ditëve të para të muajit pasardhës, mbi urdhrat e prokurimit të miratuara prej saj, sipas strukturës buxhetore.

Nëse në degën e Thesarit paraqitet një urdhër prokurimi i pambuluar me fonde buxhetore, atëherë dega e Thesarit refuzon me shkrim dokumentin e paraqitur dhe për këtë njofton Agjencinë e Prokurimit Publik. Në asnjë rast, Agjencia e Prokurimit Publik nuk fillon procedurën zyrtare të prokurimit, pa pasur më parë një miratim të degës përkatëse të Thesarit.

Kontratat e lidhura nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme duhet të paraqiten dhe të procedohen në degën e Thesarit përkatës sipas kërkesave të udhëzimit standard të zbatimit të buxhetit.

Në rast vonese, dega e Thesarit procedon me regjistrimin në SIFQ dhe njofton menjëherë Nëpunësin e Parë Autorizues, i cili ndërmerr masa administrative ose inspektim financiar sipas kuadrit ligjor në fuqi. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për paraqitjen me vonesë në degën e Thesarit të dokumenteve që vërtetojnë shpenzimin e kryer. Ministria e Financave zhvillon monitorime çdo katër muaj tek të gjitha ministritë e linjës, nëse ka detyrime financiare të krijuara rishtas dhe të papaguara në kohë, për të përcaktuar pagesat e reja të kërkueshme që rrjedhin nga faturat ose pretendimet e marra pas datës 01 janar 2016 dhe kryen një analizë, duke përcaktuar përgjegjësinë dhe vendosur masa administrative sipas kuadrit ligjor në fuqi. /monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY