Inspektori i Shërbimit Informativë Shtetëror Florian Bushi, i akuzuar për bashkëpunim me banda kriminale, nuk e pranon akuzën. Agjenti i arrestuar i Shërbimit Informativ, Florian Bushi, nuk pranon t’i ketë dërguar informacione të klasifikuara Ilir Memushajt, të arrestuarit të vetëm për atentatin në Mbrostar, ku mbeti i vrarë Granit Kasa dhe u plagosën Klement Kastrati dhe Elton Margariti.
“Akuzën nuk e pranoj dhe deklaroj se nuk kam lidhje me ato për çka më akuzoni”, ka thënë Florian Bushi para përfaqësuesve të prokurorisë së krimeve të rënda.
Para hetuesve të çështjes, në prani të avokatit, mësohet se inspektori Bushi ka pretenduar se për informacionin që i është gjetur Ilir Memushajt në telefon, kanë akses edhe dy persona të tjerë të SHISH. Bushi ka pretenduar se nuk është ai personi që i ka dërguar fotot Memushaj pavarësisht njohjes që ka, duke hedh dyshime te dy kolegët e tjerë që kanë akses në kompjuterin ku edhe ai punon.
Bazuar në dëshminë e inspektorit Florian Bushi, mësohet se prokuroria do të marr në pyetje dhe verifikoj telefonatat edhe të dy punonjësve të tjerë të SHISH-it për të individualizuar përgjegjësin penale. Nga ana tjetër, hetuesit thanë se do të verifikohet koha kur i janë dërguar fotot Memushajt me kohën kur inspektori Bushi ka qenë në detyrë për të parë nëse përgjimet i janë dërguar gjatë orarit zyrtar të punës.
Pas arrestimit të Bushit, Shërbimi Informativ Kombëtar ka shtuar masat e sigurisë në godinën qendrore të tij. Të gjithë punonjësit i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm në hyrje dhe iu mbahen aparatet celularë, për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/