Flet prof. Adrian Civici, President i UET-së. 2016-a do të jetë një vit sfidues me mjaft ndikime të pritshme. Megjithëse qeveria tregohet optimiste, duke parashikuar një rritje ekonomike prej 3.4%, analiza e shumë prej faktorëve që e garantojnë këtë rritje nuk shkon gjithmonë në të njëjtin sens.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për situatën ekonomike në vitin 2016? Cilat mund të jenë disa nga shanset dhe rreziqet?
Do të jetë një vit sfidues me mjaft ndikime të pritshme. Megjithëse qeveria tregohet optimiste, duke parashikuar një rritje ekonomike prej 3.4%, analiza e shumë prej faktorëve që e garantojnë këtë rritje nuk shkon gjithmonë në të njëjtin sens.
Si shanse pozitive do të nënvizoja: efektet e pritshme pozitive të aksionit për formalizimin e ekonomisë, të reformës në energji, efektin pozitiv të investimeve në kuadrin e projektit TAP, një lloj stabilizimi të ekonomisë greke dhe sidomos asaj italiane që janë partnerët tanë më direktë, fillimin e disa investimeve të rëndësishme në kuadrin e Samitit të Vjenës dhe projekteve në bashkëpunim me Kinën, efektin e masave për uljen e përqindjes së kredive të këqija dhe ristrukturimin apo dhe falimentimin e bizneseve problematike, rritjen e ndjeshmërisë në bashkëpunimin rajonal dhe hartimin e zbatimin e projekteve të përbashkëta me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, etj.
Si rreziqe potenciale do të rreshtoja: klimën e paqartë të biznesit, konfliktin politik që e sfidon totalisht ekonominë, pamundësinë dhe dobësinë tonë për të luftuar nivelin e lartë të papunësisë, sidomos tek të rinjtë, kapacitetin e dobët absorbues të IHD, nivelin e ulët të kreditimit dhe zhvillimin minimal të tregjeve financiare në Shqipëri, dobësinë e theksuar të prodhimit vendas dhe bilancin tregtar dhe atë të pagesave që vazhdojnë të jenë ndjeshëm negative, besimin shumë të ulët të popullsisë te kapacitetet dhe mundësinë e ekonomisë shqiptare për t’u zhvilluar e për të ndikuar në rritjen e mirëqenies, gjë që reflektohet te kontraktimi i konsumit dhe dëshira për të ikur jashtë vendit e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë sonë, paqartësitë në aplikimin e modelit të ri ekonomik, etj.
Si e parashikoni mjedisin e të bërit biznes dhe prirjen e konsumit?
Mendoj se edhe gjatë 2016, mjedisi i të bërit biznes në Shqipëri do vazhdojë të jetë i vështirë dhe mjaft seleksionues. Arsyet kryesore që pritet të ndikojnë në një klimë të tendosur biznesi mund t’i rendisim si më poshtë: së pari, efekti traumatizues për një kategori të gjerë biznesesh i aksionit antiinformalitet, i cili do të kërkojë kohë që të amortizohet, qoftë dhe nga këndvështrimi i efekteve pozitive të pritshme të tij; së dyti, ndryshimet e shpeshta dhe radikale në sistemin e taksave dhe tatimeve, si dhe shndërrimi i paketave fiskale në luftë e konflikt të mirëfilltë politik ndërmjet pozitës e opozitës e ka çoroditur biznesin, konsumatorin dhe përgjithësisht të gjithë procesin e investimeve dhe konsumit.
Gjatë tre viteve të fundit, 2013-2015, janë bërë mbi 100 ndryshime në sistemin e taksave dhe tatimeve, gjë që ka efekte negative më të mëdha se sa rritja e taksave; së treti, zvarritja e problemit të pronës dhe qartësive që lidhen me kadastrat, llojet e ndryshme të pronarëve, kompensimet dhe masën e tyre, korrupsionin dhe klientelizmin, ndryshimet e shpeshta ligjore e administrative, etj., e komplikon dhe frenon klimën e biznesit; së katërti, konsumi lidhet ngushtë me dy faktorë: fuqinë blerëse dhe klimën e besimit tek ekonomia vendase dhe stabiliteti i saj. Të dy këta faktorë nuk duket se pritet që të ndikojnë pozitivisht në 2016.
Gjithashtu, duke iu referuar dhe një sërë indekseve të rëndësishme ndërkombëtare, që lidhen direkt apo indirekt me klimën e biznesit, Shqipëria gjatë 2015 ka pasur rënie të konsiderueshme dhe humbje pozicionesh, çka kërkon politika e masa aktive dhe të miradresuara. Nëse do të vazhdojmë me justifikime e argumente se “është faji i qeverisë së mëparshme” apo “reformat janë të dhimbshme në vitet e para dhe efektet e tyre do të vijnë më vonë”, etj., atëherë mjedisi i të bërit biznes në Shqipëri nuk do të shpresojë për përmirësime të ndjeshme. Përmirësimi dhe rritja e eficencës në mbledhjen e taksave, konsolidimi i sistemit fiskal e tatimor dhe mosndryshimi i shpeshtë i tij, bërja e një sistemi fiskal kompetitiv në raport me rajonin, zhbllokimi i lejeve të ndërtimit, stimulimi i IHD, forcimi i mbrojtjes ligjore dhe respektimi i kontratave, etj., mund të ndikonin pozitivisht në klimën e biznesit dhe rritjen e konsumit.
Çfarë efekti prisni që të japin masat antiinformalitet, si dhe ndryshimet fiskale që do të hyjnë në fuqi në vitin 2016? Çfarë pritet të sjellë heqja e taksës për biznesin e vogël?
Nevoja për të luftuar informalitetin ishte dhe mbetet imperative në Shqipëri dhe nga kjo pikëpamje, çdo lloj mase apo aksioni antiinformalitet është më se i mirëpritur. Natyrisht që gjatë vitit 2016 priten efekte pozitive në këtë drejtim, sidomos në disiplinimin fiskal e tatimor të biznesit dhe konsumit, si dhe në rritjen e të ardhurave tatimore e fiskale në buxhetin qendror dhe buxhetet e Bashkive në përputhje me ndarjen e re administrative. Kjo është një luftë që nuk zhvillohet dhe aq më pak të pretendohet se mund të fitohet në disa muaj, por që kërkon disa vite, e ndoshta dhe më shumë për vetë kompleksitetin e saj. Në fillimet e tij “aksioni antiinformalitet” i qeverisë ishte disi konfuz dhe pa strategji e ide të qarta, gjë që u provua dhe nga ndryshimet e shumta, shpesh radikale të elementeve dhe objektivave të tij. Përtej vullnetit pozitiv politik, në “terren” u krijuan paqartësi, frikë, hezitime, konfuzion, etj., gjë që besoj se ka ndikuar negativisht në ecurinë e bizneseve të të gjitha llojeve e sektorëve, sidomos tek biznesi familjar dhe ai i vogël.
Nga ana tjetër, ndryshimet fiskale që do të hyjnë në fuqi në 2016 janë mjaft favorizuese sidomos për biznesin e vogël, i cili zë dhe mbi 90% të numrit total të bizneseve në Shqipëri, megjithëse kontributi i tij në PBB dhe veçanërisht në të ardhurat fiskale është minimal. Bizneset familjare dhe përgjithësisht ato të vogla do të jenë më pak nën presionin fiskal, duke pasur mundësi të rrisin apo më e pakta të konsolidojnë punësimin, do të shtojnë nivelin e formalizimit, veçanërisht reduktimin e punës “në të zezë”, do të shtojnë sigurimet dhe kontributet shoqërore për punonjësit e tyre. Mbetet për t’u parë, nëse, për një pjesë të madhe të tyre, formalizimi dhe fiskalizimi do t’i ekspozojë më ashpër me tregun duke ndikuar në mospërballimin e konkurrencës apo do t’i favorizojë e stimulojë më shumë në zgjerimin dhe konsolidimin e tyre. Shumë biznese të vogla, deri tani të krijuara dhe me aktivitet pothuajse informal, mendojnë se do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë në muajt apo vitet në vazhdim. Kjo situatë kërkon që qeveria ta mendojë dhe aplikojë me kujdes atë që cilësohet si “politika e shkopit dhe karotës”, pra, përveç ndëshkimeve dhe detyrimeve për t’u formalizuar sa më shpejt, të aplikojë dhe masa më lehtësuese, edukuese dhe mbështetëse për këtë kategori biznesesh në mënyrë që ato ta kalojnë pa shumë shtrëngime e stres këtë periudhë kalimtare nga informaliteti në formalitet.
Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?
Fillimisht dëshiroj të bëj një saktësim konceptual. E përmendim shumë konceptin “modeli i ri ekonomik” duke shtruar vazhdimisht nevojën e një modeli të ri, çka krijon mundësi për keqkuptime. Më e saktë do të ishte të flisnim për domosdoshmërinë e një “modelimi të ri ekonomik”, d.m.th, për ndryshimin e strukturës së kontributit të degëve të ndryshme të ekonomisë në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vendit, pra në rritjen ekonomike. Në këtë sens, është shumë më e qartë se degë, sektorë apo burime të rritjes ekonomike shumë kontribuues gjatë dy dekadave të para të tranzicionit si ndërtimi, privatizimet, remitancat, ndihmat e huaja, konsumi i brendshëm, etj., në 3-4 vitet e fundit janë tkurrur ndjeshëm në efektet e tyre në PBB dhe rritjen ekonomike.
Për këtë qëllim, gropat apo boshllëqet e tyre duhen zëvendësuar me intensifikimin e sektorëve të tjerë kontribuues si p.sh., bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi, industria, shërbimet, eksportet, etj., apo dhe me gjallërimin dhe futjen në mënyrë të qëndrueshme të aktiviteteve e sektorëve të rinj që bazohen në kapitale intensive, teknologji moderne, inovacione, start up, kapital njerëzor cilësor, shërbime me vlerë të lartë të shtuar, etj. Një shembull sa për konkretizim: Nëse sektori i ndërtimit ka disa vite që deklaron se punon me 50-60% të kapacitetit të tij, do të thotë që në kuadrin e një kontributi rreth 10% të tij në PBB (afërsisht 900 milionë euro/vit), aktualisht kontribuon me vetëm 500 milionë euro duke krijuar një gropë prej 400 milionë eurosh, e cila duhet mbushur me kontribut të shtuar nga degë apo sektorë të tjerë. E njëjta gjë edhe me remitancat, të cilat në 3-4 vitet e fundit janë zvogëluar me rreth 300-400 milionë euro në raport me kontributin e tyre në PBB në vitet më të mira kur ato arrinin në 1-1.2 miliardë euro në vit.
Duke e analizuar në thelbin e saj këtë tendencë të ecurisë së disa prej burimeve kryesore të rritjes ekonomike, duket se ekonomia shqiptare ka nevojë për një shtesë vjetore kontributesh prej rreth 1.5–1.6 miliardë eurosh, 1.2 prej të cilave për të zëvendësuar burimet që po shterojnë dhe 300–400 milionë euro për të siguruar një rritje ekonomike prej 3-4%. Studimet e adresuara si dhe një seri rekomandimesh që vijnë nga Banka Botërore, BERZH apo FMN rekomandojnë që Shqipëria, në dekadën 2016-2025 duhet të fokusohet në zhvillimin e sektorit energjetik dhe rritjen e prodhimit të energjisë, në heqjen e pengesave burokratike e administrative të sektorit të ndërtimit që ai t’i rikthehet ritmeve të larta të tij, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e sektorit bujqësor, peshkimit dhe agropërpunimit në përgjithësi, vënien në eficencë dhe modernizimin e sektorit të minierave, përmirësimin e klimës së biznesit dhe ndërmarrjen e politikave eficente për konsolidimin dhe modernizimin e biznesit vendas, zhvillimin e turizmit duke përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike dhe cilësinë e shërbimit e infrastrukturave turistike, përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe shtimin e investimeve në arsim dhe kërkim shkencor e inovacion, etj.
Civici:
Gropat apo boshllëqet e tyre duhen zëvendësuar me intensifikimin e sektorëve të tjerë kontribuues si p.sh., bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi, industria, shërbimet, eksportet, etj., si dhe me gjallërimin dhe futjen në mënyrë të qëndrueshme të aktiviteteve e sektorëve të rinj që bazohen në kapitale intensive. monitor.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/