Rama fut me dhunë mësuesit në test të paligjshëm e politik, ka reaguar kështu Partia Demokratike nëpërmjet Luçiano Boçit për testin ndaj mësuesve dhe drejtorëve që është duke u zhvilluar ditën e sotme. Sipas tij Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit Nikolla po detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, ti nënshtrohen një testimi politik, krejtësisht të paligjshëm. Sipas deputetit të PD Boçi testimi i sotëm, bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar dhe dispozitat normative për zhvillimin profesional dhe pikërisht me nenin 58 të tyre. Me tej ai shprehet se: “Ky testim nuk i shërben zhvillimit profesional, por realizon goditjen profesioniste denigruese të misionit dhe rolit fisnik të mësuesit”, ka thënë Boçi.
DEKLARATA E PLOTË E LUÇIANO BOÇI
Rama dhe Nikolla detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, ti nënshtrohen një testimi politik, krejtësisht të paligjshëm.
Testimi i sotëm, bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar dhe dispozitat normative për zhvillimin profesional dhe pikërisht me nenin 58 të tyre.
Ai shkel cdo kod moral, etik e ligjor, për vlerësimin e punës së mësuesit.
Rama dhe Nikolla, kanë gati tre vite që i kërcënojnë ata, i poshtërojnë, i nxjerrin gjuhën, i mashtrojnë, i transferojnë, i pushojnë sipas interesit, sipas klientelës, sipas bindjes politike.
Pasi i hoqën pa pikë përgjegjësie dhe morali pagën e 13-të,
pasi i mbajtën varë për një vit, pa kontratën kolektive të punës,
pasi i listuan në gusht, pabesisht, sipas përkatësisë partiake, në bazë të fakteve të denoncuara në këtë foltore,
pasi i kërcënuan me vendin e punës për ti marrë votën, siç përcaktoi dhe raporti i OSBE-ODIHR-it,
shpikën më në fund dhe këtë testim. Kanë tre vite që lodhen e sorrollaten për të hartuar e zbatuar, këtë procesion lincimi të mësuesve. Ndonëse, udhëzimi i vetë kësaj ministrie, që prej kohësh luan sport e tallet me mësuesit, përcakton se testimi bëhet në rrugë digitale, pa identifikim, një tjetër copë letre, e dalë nga zyra e Nikollës, i detyron mësuesit, ti nënshtrohen, në kundërshtim me vetë udhëzimin, një provimi me shkrim, me emër e mbiemër.
Kjo nuk është thjesht vetëm prerje në besë, por është njëkohësisht, një maskaradë e një akt turpi i kësaj qeverie të pa turp.
Ky testim nuk i shërben zhvillimit profesional, por realizon goditjen profesioniste denigruese të misionit dhe rolit fisnik të mësuesit.
Mësuesit, do të dinë mirë ti japin notën e merituar kësaj qeverisje të dështuar!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/