Njësia e Task-Forcës pranë prokurorisë së Tiranës, regjistron procedimin penal për koncesionet e ministrisë së Shëndetësisë, duke i caktuar dosjen hetimore prokurorit Endri Bimi.
Me urdhër të drejtuesit të prokurorisë së kryeqytetit, mësohet se dosja i ka kaluar për vazhdim të hetimeve prokurorit Bimi. Ky i fundit, sipas burimet të akuzës, i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar dosjet e plota për 3 koncesionet e këtij dikasteri. Ky veprim hetimor, i prokurorisë vjen vetëm pasi kanë kaluar mbi 1 muaj që nga momenti kur zyra e kryeprokurorit Adriatik Llalla njoftoi për nisjen e hetimeve për këto tre koncesione, raporton TV “ABC News”.
Lidhur me këto hetime, dy net më parë nga “Studio e Hapur” e Eni Vasilit në TV “News 24”, ish-kryeministri Sali Berisha, denoncoi pasardhësin e tij Edi Rama se merrte në telefon dhe kërcënonte prokurorin që hetonte kryesisht, abuzimet e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Pas kësaj akuze publike, hetimet kanë marrë një rrjedhë tjetër.
Burimet thonë se regjistrimi i procedimit penal është bërë për dy vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” por pa emra personash, duke shmangur kështu edhe hetimin për akuzën e “korrupsionit” të dyshuar ndaj kreut të ministrisë së Shëndetësisë Ilir Beqja, emri i të cilit është përfolur në media. Burimet zyrtare thonë se fillimisht hetimi ka nisur për këto dy vepra penale, por nëse provohet apo konstatohet ndonjë element i veprës penale të “korrupsionit” gjatë hetimit të çështjes, atëherë mund të ngrihet akuzë konkrete.
Sipas prokurorisë, është kërkuar sekuestrimi i të gjitha materialeve dhe procedurave që Ministria e Drejtësisë ka ndjekur që nga moment i hapjes së tenderit, procedurat e ndjekura e deri te shpallja e fituesit tre koncesioneve miliona euro.
Në mesin e muajt dhjetor, zyra e shtypit pranë Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi për nisjen e hetimit me iniciative të saj për tre koncesionet, atë të kontrollit mjekësor falas siç njihet me emrin “chek-up”-i që ka një vlerë prej 120 milionë eurove. Për tenderin dhe procedurat e shpalljes fituese të koncesionit 10 vjeçar të Hemodializës, që ka një vlerë prej 86 milion euro, si edhe koncesioni i fundit i shpallur nga ministria e Shëndetësisë, për sterlizimin e instumenteve kirurgjikale që kap shifrën e 100 milion eurove.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/