Lëvizja Socialiste për Integrim ka rezerva dhe do të propozojë ndryshime të drafti të paraqitur nga Partia Socialiste për reformën në drejtësi. Kjo u bë e ditur në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta me drejtuesit më të lartë të partisë që ai drejton.
Deputetja e Qarkut të Beratit, Silva Caka u shpreh se gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, LSI do të paraqesë propozime në funksion të përmirësimit të draftit të propozuar.
“LSI fton të gjitha partitë politike të kontribuojnë në këtë proces, që do të nisim nesër në Kuvend. Ne si LSI do të paraqesim nesër mendimet tona në funksion të përmirësimit të draftit final të reformës së drejtësisë”, tha Caka.
Ilir Meta mblodhi në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit juristët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në takim morën pjesë ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili.
LSI ka mbajtur deri tani, qëndrimin se reforma në drejtësi duhet të ketë një konsensus të gjerë, gjë e cila deri tani nuk është arritur, pasi PD nuk bie dakord me procedurat për emërimet në gjykatat e larta, pasi shumica aktualisht ka 3/5 e Kuvendit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/