Presidenti Obama bëri thirrje për përparime më të shpejta në shkencë dhe në zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Ai tha se SHBA mund të bëhet vendi që do të kurojë kancerin një herë e përgjithmonë:
“Vitin e kaluar, nënpresidenti Biden tha se me një përpjekje të re si ajo me të cilin u dërgua njeriu në Hënë, Amerika mund të kurojë kancerin. Sonte, unë po shpall një përpjekje të re kombëtare për ta bërë këtë. Meqë Joe Biden ka marrë mbi vete një numër betejash në emër të të gjithë neve gjatë një pune 40 vjeçare, do ta vë atë në krye të këtij misioni. Për të gjithë njerëzit e dashur që kemi humbur, për familjen që ne ende mund ta shpëtojmë, le ta bëjmë Amerikën vendin që do të shërojë kancerin një herë e përgjithmonë,” tha Presidenti.
Nënpresidenti Joe Biden, i cili, siç e tha presidenti, ka bërë një fushatë të fortë për të mobilizuar një vëmendje më të madhe në luftë ndaj kancerit, pati djalin e tij të madh i cili vdiq vjet nga një tumor në tru.
Zoti Obama po ndjek shembullin e presidentëve të mëparshëm që me një nismë të fuqishme kanë realizuar ndryshime historike, siç ishte rasti i Presidentit Kennedy dhe deklaratës së tij për të dërguar njeriun në Hënë. Apo Presidenti George Ë. Bush që ndihmoi Afrikën të vërë nën kontroll epideminë e SIDA-s.
Nisma e Presidentit Obama vjen në një kohë kur shkenca ka shënuar suksese të mëdha jo vetëm në njohjen dhe kontrollin e disa llojeve të kancerit, por edhe në kurimin e plotë të disa prej tyre. Në pjesën e dytë të ciklit mbi luftën kundër kancerit, njihemi me disa nga kurat më premtuese për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.
Diagnostikimi me kancer është një moment i frikshëm për pacientin. Edhe në rastet optimale, trajtimi prej dekadash shoqërohej me ndërhyrje kirurgjikale, ose terapi me rreze apo kimoterapi me pasoja anësore mjaft të rënda për pacientin. Por në shumë raste diagnostikimi me kancer, nuk nënkupton automatikisht tumor malinj, pasi një pjesë e mirë e tumoreve nuk përbëjnë rrezik për jetën apo shëndetin. Ky fakt po ndryshon metodologjinë në diagnostikim. E ardhmja nuk do të jetë më mjekim standart për një kancer të caktuar, por modifikim i kurës dhe regjimit mjekësor për çdo pacient individual. Dr. Elizabeth Platz është studiuese në Qendrën Kërkimore kundër Kancerit Sidney Kimmel në Universitetin Johns Hopkins.
Metodat më agresive të kurimit, si heqja kirurgjikale e masës kanceroze apo trajtimet me kimoterapi, rreze, ose ilaçe për të shkatërruar qelizat kanceroze vazhdojnë të jenë metodat më të përhapura të trajtimit, por përpjekjet e fundit po përqëndrohen në një qasje tjetër, stimulimin e vetë sistemin imunitar.
Dr. Richard Nelson drejton Qendrën Kërkimore kundër Kancerit në Universitetin Johns Hopkins.
“I njëjti sistem imunitar që mund të luftojë infeksionet, arrin të diktojë qelizat e rregullta nga ato të parregullta. E kemi kuptuar mjaft qartë tani se sistemi imunitar i dallon qelizat kanceroze, i sheh ato si anormale dhe nëse ne arrijmë ta aktivizojmë sistemin imunitar, ky sistem mund të sulmojë dhe shkatërrojë qelizat kanceroze në mënyrë shumë efektive”.
Procesi bazohet në modifikimin e gjeneve të vetë pacientit, duke i shndërruar qelizat normale në të ashtu-quajturat qelizat T – një formë super-qelizash që vihen në sulm kundër kancerit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/