“Përse nuk futeni brenda?! Ejani, kam kaq shumë për t’ju thënë. Dhe dua t’ju them që djali im i vetëm nuk ishte kriminel. Ai nuk merrej me trafik droge. Po të merrej me të tilla gjëra, nuk do të jetonim këtu, në një pallat të vjetër parafabrikat. Jam shumë e lënduar dhe e tronditur, pasi më vranë dritën e syve dhe akoma nuk e di të vërtetën e asaj që ndodhi”.
Kështu u shpreh dje nëna e Gazmir Çollakut, i cili u rrëmbye mbrëmjen e së mërkurës që shkoi në afërsi të portit të Durrësit nga katër persona të maskuar si policë, ndërsa mëngjesin e së enjtes u gjet i vrarë me 5 plumba në kokë në një kanal në fshatin Murqin të rrethit të Krujës.
Shtatë ditë pas rrëmbimit të 40-vjeçarit, ndalëm hapin në banesën e familjes Çollaku, një apartament në katin e katërt të një pallati parafabrikat në lagjen nr. 18 (në periferi) të qytetit bregdetar.
Në shtëpinë e familjes Çollaku
Në sheshpushimin e katit të katërt të pallatit, kunati i Gazmir Çollakut priste dhe përcillte të afërm, miq, shokë dhe të njohur të viktimës, të cilët shkonin për ngushëllim. Në një moment doli në derë e ëma e Çollakut. E tronditur nga dhimbja për humbjen e djalit të vetëm si dhe lajmet e dhëna në lidhje me ngjarjen e rëndë, 60-vjeçarja tha se nuk janë të vërteta ato që janë thënë për djalin e saj.
“Përse keni thënë gjithë ato të zeza për tim bir? Ai nuk ishte biznesmen dhe nuk merrej me ato që gjëra që përfliten. Shikojeni vetë, ju dukemi gjë si biznesmenë, ne që jetojmë këtu në këtë pallat të vjetër?! Përse thoni se djali im është marrë me drogë?! E pa njeri?! E shikoni se në çfarë gjendjeje jemi ne?!”, u shpreh nëna e Gazmir Çollakut.
Ndërkaq, edhe dy motrat e viktimës tejet të zemëruara deklaruan se vëllai i tyre shikonte punën e tij dhe se nuk i ka bërë askujt keq. Nga ana tjetër, babai i 40-vjeçarit përpiqej që të qetësonte vajzat dhe bashkëshorten e tij. Kryefamiljari na përcolli deri poshtë në katin e parë, ndërsa pohoi se “asnjeri nuk ka faj”!
Hetimet
Një javë pas rrëmbimit dhe vrasjes mafioze të Gazmir Çollakut, policia dhe prokuroria ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve të krimit. Ndonëse janë shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 70 persona, përfshirë këtu edhe emra të njohur të botës së krimit, ende nuk ka një person të dyshuar për ekzekutimin e 40-vjeçarit nga Durrësi. Dy ditë më parë, policia e qytetit bregdetar deklaroi se dosja për ngjarjen e rëndë i është përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
Përgjatë kësaj kohe, burime zyrtare nga policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë bërë me dije se dyshohet që vrasja e Çollakut të ketë lidhje me atentatin e ndodhur më 20 dhjetor të vitit që shkoi tek Torra, ku u ekzekutuan dy të rinjtë Ervin Kodra dhe Endi Çaushaj, dhe se të dyja ngjarjet kanë lidhje me trafikun e drogës. Do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të hedhin dritë mbi këto dy ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit.
(“Gazeta Shqiptare”)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/