INTERVISTA/ Jozefina Topalli: Si i shpëtova bandave të armatosura në zgjedhjet e...

INTERVISTA/ Jozefina Topalli: Si i shpëtova bandave të armatosura në zgjedhjet e vitit 2000

263
0
Shares

Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli në një intervistë për emisionin “Debati në Channel One”, të Roland Qafokut, ka folur për veten, karrierën e saj, duke risjellë edhe momente të veçanta të jetës së saj, para dhe pas vitit 1990.
Një kërcënim i bandave të armatosura më zgjedhjet vendore të vitit 2000, është pjesë e rrëfimit të Topallit. Ajo tregon edhe për marrëdhëniet me Bashën dhe Berishën, si edhe për opozitën dhe të bërit opozitë.
Sigurisht, në rrëfimin e ish-kryeparlamentares nuk mungojnë edhe qëndrimet dhe konsideratat e saj për qeverinë, por edhe për kryeministrin Edi Rama.

Mbushen 20 vjet që ju merreni me politikën aktive. Ju kujtoj dy dekada më parë e ulur në radhët e para të parlamentit të asaj kohe si një deputete e re. Si kanë qenë këto 20 vite për ju?
20 vjet janë një periudhë e shkurtër në historinë e një vendi, por jo në historinë e jetës së një personi. Kanë qenë intensive të filluara nga një grua e re, që nuk dinte shumë nga politika, por me idealizma dhe me optimizëm se vendi do shkonte në drejtimin e duhur. Për mua ishte privilegj i madh të isha aktive në atë periudhë, jo vetëm si politikane, por edhe si një grua dhe dua të falënderoj edhe zgjedhësit dhe ata që më kanë bërë të mundur të jem pjesë e parlamentit, që edhe sot është një pasion i madh imi.

Çfarë ke bërë mirë në këto 20 vjet?
Kryesorja për një politikan është vendimmarrja, qoftë në opozitë qoftë në mazhorancë, sepse ndikon në jetën e qytetarit. Në opozitë për të bërë barrier për gjërat që mendon se nuk janë mirë dhe në mazhorancë vendimmarrja në ekonomi e në fusha të tjera.
Besoj se gjatë kësaj periudhe janë realizime liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, TAP, infrastruktura. Kam zhvilluar diplomacinë parlamentare, që ishte një nocion i ri për atë periudhë si dhe kam trajtuar tema të rëndësishme, qoftë për shëndetësinë që e kanë difersifikuar arenën e debatit në parlament. Ka qenë mundësi e jashtëzakonshme të krijoj miqësi me kryetarë të parlamenteve të botës dhe kam pasur fatin të përshpejtoj negociatat për shumë çështje të rëndësishme për shqiptarët.

Zonjë, këto janë të mirat që ka bërë PD, unë ju pyeta të mirat që ju keni bërë në planin personal…?
Në planin personal unë nuk mund ta ndaj shumë me aktivitetin e Partisë Demokratike sepse të gjithë kemi operuar mbi bazën e programeve të partisë. Ndërsa, gabimet janë normale për një njeri që punon. Nëse nuk bën gabime, mendoj që nuk ke punuar. E rëndësishme është të korrigjosh veten dhe të mos gabosh qëllimisht në çështje që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Nuk është kurrë e lehtë të drejtosh Kuvendin, por numrat nuk janë siç janë sot, edhe opozita ka qenë më ndryshe, kalonte disa kufij etikë në mënyrë të vazhdueshme.

A do të ishin krenarë paraardhësit tuaj për atë që keni bërë në politikën shqiptare?
Unë nuk dyshoj në vendimet e drejta që kam marrë, do të doja të nderoja emrin e familjes sime, të cilët kanë kontribut të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Por, ata e kanë paguar shumë shtrenjtë. Kur kam thënë që do angazhohesha për deputetet, një njeri i dashur më ka thënë të mos e bëja, pasi mjaft e kishte paguar familja jonë për shkak të pjesëmarrjes në politikë. Kur kam hyrë në vitin ‘96 nuk kuptoja shumë nga politika. Vitin e parë kam folur shumë pak, sepse doja të mësoja e të mos gaboja. Por menjëherë ngjarjet kanë evoluar dhe jemi përballur me ‘97, që nuk ka qenë vit i lehtë. Por kemi pasur idealin që ky vend do të bëhet. Kemi bërë beteja që gjërat të përmirësoheshin, të vinin ditë të mbara për kombin tonë. Por historia jonë duket se ka dimension fatalizmi, bën hapa përpara, më pas kemi regres. Nuk kisha menduar se ulje-ngritjet do të ishin kaq të fuqishme. Kjo kërkon vendimmarrje shumë të fortë.

Kishit ndonjë arsye të fortë për të pasur këtë kurajë kaq të madhe, që keni dëshmuar këto 20 vjet?
Dje po shihja filmin “Kalorësit e Fundit”. Kishte një frazë: “vendimmarrësit duhet të kenë 2 shtylla ndershmërinë dhe kurajën”. Unë besoj se i kam të dyja, pavarësisht gabimeve që mund të bëjmë në jetë. Ky vend mund të bëhet nëse zgjidhen njerëz që kanë këto cilësi. Dhe të mos ndodhë ajo që i referoheshin mediat “Neë York Times” përpra 100 vjetësh që shqiptarët janë popull i mençur, por nuk rrokin shtetin dhe për fat të keq kanë të drejtë.
Në momente shumë të vështira nuk duhet të bësh llogari për veten tënde, por për përgjegjësinë ndaj qytetarëve të vendit tënd.

Po ndershmërinë, a mund të na tregoni një rast që e dëshmon?
Është kusht për politikanin që të mos tundohet. Unë në këtë periudhë në shtëpi kam çuar vetëm rrogën time dhe të mos përdor karrigen ku kam qenë për privilegje personale të veçanta.

A keni pasur ndonjë moment dobësie dhe pendimi që jeni future në politikë?
Kam menduar që do isha më e qetë dhe do kisha kohë të merresha më shumë me fëmijët. Në vitin 2000, isha për zgjedhjet lokale në Selenicë, në Vlorë. Aty u bllokua rruga dhe dëgjuam të shtëna, pashë 4 të armatosur me kallashnikovë, të cilët u drejtuan drejt meje. I vendosën kallashin te koka bodiguardit dhe shoferit, hapën dyert e makinës dhe te këmbët e mia vazhdonin të gjuanin me kallashnikov. Mendova se do mbaronte gjithçka. Mora celularin për të dëgjuar zërin e tim biri, por nuk kishte valë. Mu shuan të gjitha shpresat. Atentatorët më pyetën përse po shkoja në fushatë, na mbajtën 20 minuta në tension. Ai që ishte si kapo më tha se çfarë doja unë andej. Iu përgjigja se isha në fushatë. Ai më tha se kujt i kisha marrë leje. Ishte një situatë terrori. Nuk e kuptova situatën kur pas 20 minutash shoferi shkeli gazin dhe ne u larguam me idenë se plumbat  do an binin në kokë. Mbërritëm në qytetin e Vlorës dhe aty u qetësuam. Por në familjen time situata ishte krejt ndryshe. Kur u nisa më pas nga Vlorë për në Tiranë, marr tim shoq për t’i thënë që jam mirë. Kur shkova në shtëpi mora vesh që ndërkohë që po kthehesha, TV Shijak jepte me titra: Jozefina Topalli pëson atentat në Vlorë. Im bir 5 vjeç nuk dinte të lexonte, por dëgjonte të motrën që e lexoi dhe filloi duke qarë. Por këto kohë për vendin tonë tashmë kanë kaluar dhe duhet të përpiqemi të bëjmë gjëra në të mirë të interesit publik.
Dhe unë këtu shfrytëzoj rastin dhe dua të falënderoj për librin tuaj “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, një punim aq interesant dhe që mua më kë pëlqyer tej mase. Ju përgëzoj për punën tuaj aq të mirë që keni bërë sepse unë dhe shumica e shqiptarëve nuk kemi ditur se cilët kanë qenë kryeministrat e Shqipërisë dhe kjo na vjen në këtë botim kaq interesant dhe në një këndvështrim të veçantë. Vetëm kur kthejmë kokën pas kuptojmë se çfarë ka ndodhur në këtë vend. Është e trishtueshme që një pjesë e tyre janë vrarë e pushkatuar. Por habia ishte se ne kemi kryeministër edhe me 1 ditë në detyrë dhe rekordmen si Mehmet Shehu me 27 vjet. Çdo shqiptar duhet ta lexojë këtë libër. Ky libër është dhe duhet të jetë një reflektim i të gjithëve ne kur lexojmë fatin e kryeministrave tanë. Ne shqiptarët kemi një problem, nuk absorbojmë historinë tonë, e përjashtojmë veten nga problemet e të tjerëve.

7 kryeministra të vdekur e kanë varrin jashtë Shqipërisë: Esad Pashë Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine. A mund të ndërmerrni një nismë që të kenë një varr në tokën e tyre?
Ata janë kryeministrat e vendit tonë dhe duhet të kenë varrin e tyre në tokën e tyre. Kjo është përgjegjësi e jona, unë nuk mund të bëj hipokriten dhe të them se nuk kam pjesën time, pavarësisht bindjeve dhe opinioneve ne duhet të nderojmë historinë tonë, përtej fatalitetit të fatit të këtyre kryeministrave.

Zonjë por në këtë listë është edhe Esad Passhë Toptani, etj?
Kjo nuk ka rëndësi. Nuk po bëjmë histori, po analizë politike. Ata kanë qenë kryeministra dhe të gjithë kryeministrat kanë marrë lloj-lloj etiketimesh si tradhtarë e shumë epitete nga më të ndryshmet. Por them që ata duhet të prehen në Shqipëri në vendin e tyre në të cilin kanë qenë kryeministra.

Si ishte viti 2015 për Shqipërinë a ishte më i mirë se vitet paraardhëse?
Ishte vit shumë i trishtë. Është viti me numrin më të madh të shqiptarëve që largohen. Jemi renditur të dytët pas Sirisë dhe ne nuk jemi vend në luftë. Kjo ngre një pikëpyetje shumë të madhe. Gjermanët vendosin 2 elemente, mungesën e shpresës dhe perspektivës 100 mijë vetë në 2 vite është njësoj sikur të iki gjithë Vlora, ky është trishtim dhe dhimbje e fortë. Populli do vetëm të iki, pa ditur se ç’do ndodhë me ta dhe me fëmijët e tyre. Nuk dua të jem politike, por shifrat dhe faktet flasin vetë. Përse këta shqiptarë nuk ishin të gjithë në një mendje 4 vite më përpara? Po të dëgjosh kryeministrin dhe deputetët që vinë nga familjet e bllokut, kanë një përçmim për ata që s’kanë. Unë mendoja se kjo duhet të ishte kaluar në vendin tonë.

Por edhe opozita është institucion, nuk mund të bënte diçka opozita për të ndalur këtë hemorragji të largimit të shqiptarëve?
Absolutisht po, opozita ka detyrë të rëndësishme për të rritur presionin, për të ndaluar veprimet e dëmshme ndaj biznesit, qytetarit, studentit etj. Mua shpesh më quajnë radikale, por kam bindjen që një opozitë më e fortë do të kishte pasur presion më të fortë.

Pas ardhjes në pushtet të të majtëve ka një dorëheqje të bujshme të Z. Sali Berisha duke marrë përgjegjësinë për humbjen. Zëri i dytë që ka marrë përgjegjësinë jeni ju. A e ka moralin kjo opozitë që disa ministra, disa deputetë, të marrin përgjegjësinë për atë humbje?
Unë kam folur me veprim dhe jo me fjalë për të thënë që gjithë përgjegjësitë nuk ishin vetëm të Sali Berishës, por të gjithë zyrtarëve të tjerë nga më të lartët e deri te më të ulëtët. Opozita duhet të jetë pushteti i moralit. Nëse ky vend ka një problem madhor ai është korrupsioni në përmasa të frikshme. Për mua korrupsioni është vjedhësi i demokracisë. Në këtë kuptim beteja kundër korrupsionit, beteja e së drejtës e së ndershmes duhet të jetë shtylla kryesore e opozitës. Por kjo ka dalë në plan të dytë, pasi ka dalë lufta për dekriminalizimin, për mbrojtjen e biznesit.
Servilët janë problem real i shoqërisë sonë. Unë i kam larguar kur kam kuptuar servilët. Madje dëgjova sot një grua që ishte pushuar nga puna nga kreu i ri i bashkisë se kishte shumë probleme familjare, kishte djalin të sëmurë dhe nuk e kuptoj si një njeri i pashpirt mund të heqë nga puna 400 punëtorë të fundit, që vuajnë bukën e gojës.

E keni provuar personalisht varfërinë?
Sigurisht që po, për një kohë shumë të gjatë, që kur kam lindur e deri vonë. Ime më thoshte shpesh nuk kam lekë për bukë për nesër, por ajo kishte një optimizëm, ne përpiqeshim të bënim punë dorë për të fituar diçka që të kishim bukë edhe për një ditë.

E kujtoni shpesh këtë moment?
Sigurisht që e kujtoj shpesh. Kujtoj edhe diçka tjetër. Kur kam qenë kryeparlamentare nuk kam hequr askënd nga puna për arsye partiake. Unë kujtoj që im atë edhe në ditët e fundit të jetës kujtonte momentin kur e kanë hequr nga puna me justifikimin i paaftë për punë. Ai kishte mbaruar ekonomik në Breshia dhe ndihej i fyer. Kjo më kujtohet gjithmonë e nuk mundja të hiqja njeri nga puna.

A mbani të njëjtin qëndrim në lidhje me LSI-në, si në kohën kur ishte në aleancë me PD?
Koalicionin me LSI se kemi dëshiruar as ne, as Meta. Koalicioni ka qenë i imponuar. Ne ishim politikisht korrekt sepse lexuam votën e shqiptarëve. Kjo është një ndër qeveritë më mediokre, më të rrezikshme që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar.

Por si do të vijë në pushtet PD nëse jo në koalicion?
Unë i di potencialet e PD, përpiqem t’ia them kryetarit të ri se çfarë duhet të bëjë PD, t’i rikthehet parimeve për të cilat është krijuar, por për momentin ka për qëllim të ndalë këtë qeverisje që e ka çuar vendin në udhëkryq. Ku janë paratë e taksapaguesve shqiptarë? A ka qeverisje më pak transparente se kjo? Që jep koncesione aty ku ka klientelën e saj? Ministri i Brendshëm është me skaf, me makinë që gjendet ku ka trafik droge, një sërë deputetësh janë në burg, disa të dorëhequr për shkak të rekordeve kriminale. Është e turpshme që në parlament ka të dyshuar si pjesëmarrës në trafikun e qenieve njerëzore. Opozita duhet të ngrihet në protestë për të rritur presionin. Asnjë nuk është i sigurt, as të varfrit, as të pasurit, as shtresa e mesme. Askush nuk është i sigurt për jetën, biznesin, karrierën.

A e ka moralin dhe si do të na motivojë opozita?
Duhet të tregojë fuqinë e sa. Duhet të bashkohet me njerëzit që kanë forcën të jenë kundër kësaj qeverisjeje. Vendi duhet shpëtuar sepse është në buzë të greminës.

Po pse ky vend ia dha votën PS në zgjedhjet lokale?
Koalicioni unik në vendin e vet, ka një egërsi të fshehur, një beteje unike në llojin  e vet. Nuk kam fakte, por logjika politike është e hekurt.

A do ta pranonit aleancën me LSI për të ardhur në pushtet?
Unë nuk do ta pranoja. Po të isha në vend të Bashës, do të rrisja forcën opozitare të PD, dhe të mos kishim nevojën e pazareve me forca politike të një spektri ndryshe nga i joni.

Pse të gjithë kanë merakun si  i keni marrëdhëniet me Lulëzim Bashën?
Nuk kanë rëndësi marrëdhëniet nëse janë miqësore apo jo. Basha është kryetari i PD. PD duhet të bëhet barrikadë për këtë keqqeverisje. Në këtë pikë ne jemi bashkë.

Të gjitha këto pretendime ia keni thënë ju vetë Bashës?
Tetë a tetë jo, por në mbledhje grupi është vendi që duhet të flasim e t’ia themi njëri-tjetrit.

Ju frymëzon kryetari Basha?
Sigurisht që opozita duhet të frymëzojë, të marrë vendime të vështira dhe të flasë përballë me qytetarët. Qytetarët arrijnë të kuptojnë e të mbështesin kur tregon bashkimin e fjalës me veprimin.

Për shumë prej shqiptarëve kur flet Berisha në parlament harrojnë që është Basha kryetari i PD. Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Unë do ta shtroja pyetjen në këtë mënyrë: Po të mos ishte Berisha ai që është si do të ishte opozita sot?

Kjo ishte një pyetje shumë e bukur zonjë…?
Është fat i madh që Berisha bën atë opozitë që bën, është fat edhe për zotin Basha. Sikur të mos ishte Blushi, Rama, Berisha do të rrezikonim të mos bëheshin debate në parlament. Ndër kryesorët që mban debatin politik e të mos degradojë në jopolitik është Berisha.

A jeni dakord që Berisha të rikthehet si lider i PD?
Kjo nuk është pyetje për mua. Unë kam pasur fatin dhe privilegjin të kem një bashkëpunim të shkëlqyer me të. Ju mund ta pyesni vetë.

Ka zëra që në viti 2016 që të ndodhë rrëzimi i qeverisë Rama dhe krijimi i një qeverie teknike?
Do të doja shumë të ndodhte. Duhet të ndalet regresi i qeverisjes në vendit tonë.

Si do të arrihet kjo zonjë sepse duket sikur kjo do arrihet një ditë krejt papritur kur ne të shihnim kryeministrin të dalë në konferencë për shtyp dhe të thotë: qytetarë të Shqipërisë unë po jap dorëheqjen për shkak të presionit të opozitës. Kjo duket si poezi zonjë?
Ka modele të ndryshme. Një kombinim më i mirë i debatit në parlament me opozitat në çdo shesh, në çdo qytet. Si do të reagonin gjermanët me atë standard jetese që kanë nëse Angela Merkel do të shkonte me pushime në Majemi?

Ka një shifër për të cilën qeveria duhet përshëndetur. 54 vrasje në 2015, numri më i ulët në 25 vjet dhe 0 vrasje nga gjakmarrja…
Numri 54 të vrarë është një gënjeshtër e madhe. Identifikohet numri i ngjarjeve me numrin e të vrarëve, ndërkohë që në një ngjarje mund të ketë disa të vrarë. Ministria e Brendshme së bashku me kryeministrin gënjejnë për gjithçka. Nuk është shtet, është bandë, bandat nuk kanë statistika. Unë nuk ia lejoj vetes të vetëmashtrohem. Nga data 1 janar deri më sot ka 23 të vrarë e të plagosur, të marrë peng dhe ministri i Brendshëm nuk ka dalë të flasë për këtë. Ne jemi në mes të Evropës.

Zonjë, a mund të jeni ju një ditë kryeministrja e parë femër e Shqipërisë? Unë do ta shkruaj me shumë dëshirë shtesën e librit të një kryeministre femër…
Nuk e kam menduar këtë. Por ama jam e bindur se një ditë do vijë që një grua shqiptare do jetë e para femër kryeministre ashtu si në SHBA që garon për presidente si Hillary Clinton. Pastaj nga Shkodra mesa di unë nuk ka pasur asnjë kryeministër.

Jo zonjë ka qenë një dhe atë e pushkatuan. Maliq Bushati…
Me humor po them ja pra çfarë u është bërë shkodranëve, edhe një që ka qenë kryeministër e kanë pushkatuar.

Si e parashikoni vitin 2016?
Një vit vendimtar kundër qeverisjes së Edi Ramës për ta larguara atë. Çdo qytetar duhet të ngrihet kundër kësaj qeverie që çdo ditë e më shumë po e rrënon këtë vend.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY