Pas largimit nga tryeza e reformës në drejtësi, ekspertët e PD-së kanë shpjeguar arsyet e këtij largimi.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp ata kanë bërë të ditur se shkak ka qenë pamundësia e tyre për gjetjen e kompromisit në kushtet kur ekspertët e mazhorancës për tjetër gjë ranë dakord dje, tjetër gjë bënë sot.
“Sipas axhendës së rënë dakord dje, sot grupi i ekspertëve për Reformën në Drejtësi u mblodh në Kryesinë e Kuvendit për të draftuar rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi amendamentet kushtetuese.
Pika e parë e diskutimit ishte reflektimi i rekomandimit të Komisionit të Venecias mbi nevojën e eliminimit të kapjes politike të sistemit të drejtësisë, sipas një propozimi konkret kompromisi të ofruar në përputhje me të nga ekspertët e Partisë Demokratike. Edhe pse dje në mbrëmje u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr. 55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, sot që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje.
Duke parë vendosmërinë e ekspertëve të mazhorancës për të mosreflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe mos vlerësimin e mundësive për zgjidhje të mundshme kompromisi dhe të përbashkëta, ekspertët e Partisë Demokratike u ndodhën në pamundësi për të vijuar diskutimet në një mbledhje të përbashkët, që nuk ofron asnjë mundësi për zgjidhje të përbashkëta”, sqaruan në deklaratën e tyre, ekpertët e opozitës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/