Pas publikimit të një videoje në rrjetin social facebook ku shfaqen dy punonjës të Policë Rrugore duke përfituar para nga një drejtues mjeti, Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësit Agron Boga dhe Nazmi Xhaja.
Njoftimi i Policisë
Pas verifikimeve të bëra nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit ka rezultuar se punonjësit e sipërpërmendur, në datën 8 janar 2016, në orët e pasdites, po kryenin shërbimin në aksin kombëtar Kashar – Tiranë dhe kanë ndaluar një automjet pasi kishin marrë njoftim se udhëtonte me xhama të errësuar.
Dyshohet se punonjësit e policisë kanë shkelur detyrën duke mos ndëshkuar drejtuesin e automjetit, në këmbim të parave.
Çështja është duke u hetuar paralelisht edhe nga Shërbimi për Çeshtjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit falënderojnë qytetarët dhe mediat për kontributin në luftën kundër shkelësve të ligjit dhe kundër korrupsionit, si dhe i ftojnë ata të vijojnë të japin kontributin e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit siguron mbarë opinionin publik se përballë shkeljeve të detyrës nuk do të kursehet askush.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/