POST PËRMBYTJA/ Fillon loja, bashkia dhe prefektura e Tiranës “ia kalojnë topin”...

POST PËRMBYTJA/ Fillon loja, bashkia dhe prefektura e Tiranës “ia kalojnë topin” njëra-tjetrës

132
0
Shares

Familjet e evakuuara në palestrën e shkollës Misto Mame në Tiranë pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga lumi i Tiranës më 8 janar 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ndërsa media u përmbyt me fotot e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë në poza aksioni gjatë përmbytjeve që mbuluan një pjesë të vendit përgjatë ditëve të fundit, BIRN mësoi se strehimi i disa familjeve nga zona e Babrrusë në Tiranë u arranxhua pothuajse privatisht nga prefekti ndërsa ushqimet e pakta u siguruan nga një shoqatë si dhe nga nxënësit e shkollës, ndërkohë që emergjencat civile dhe bashkia nuk ofruan kurrfarë ndihme konkrete.

Lindita Mani, rri strukur në një qoshe, e pa interesuar për dy fetat e bukës, me pak djathë dhe sallam që i kanë vënë përpara. Ky ishte mëngjesi, dreka dhe darka për 92 personat, prej të cilëve 47 fëmijë, që janë strehuar në palestrën e një shkolle në Tiranë, pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga Lumi i Tiranës që nga pasditja e pesë janarit.
Uria nuk është halli i Linditës, dhe pse thotë se ka dy ditë pa ngrënë. Nëna e tre fëmijëve vuan nga zemra. Lumi nuk mori vetëm kasollen, bashkë me gjithë sa kishte, por dhe ilaçet.
“Vuaj nga zemra dhe nuk kam lek për të blerë ilaçe.  Nuk di ku të shkoj. Na kanë sjellë këtu por s’di ç’do të bëhet me ne”, të thotë gruaja 25 vjeçe.
Mbrëmjen e 5 janarit, lumi i Tiranës doli nga shtrati duke përmbytur disa dhjetëra familje të varfra që kanë ngritur banesa modeste apo kasolle në të dy krahët e tij, veçanërisht në zonën pranë Urës së Babrrusë.
Më 6 janar, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi vizituan zonën dhe lajmi i vizitës së tyre u mbulua gjerësisht nga media. Por familjet me të cilat BIRN foli, treguan se vizita nuk solli asnjë ndihmë konkrete. Pak orë pas tyre, edhe nënkryetari i bashkisë Arbi Mazniku e vizitoi zonën dhe doli në kamera, por sërish, familjet në nevojë mbetën po aty.
te permbytur 2

Familjet e evakuuara në palestrën e shkollës Misto Mame në Tiranë pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga lumi i Tiranës më 8 janar 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

BIRN mësoi se në mbrëmjen e 6 janarit, familjet e përmbytura u strehuan në palestrën e shkollës Misto Mame jo aq shumë si pasojë e veprimeve të emergjencave civile apo të bashkisë, por si rrjedhojë e një ndërhyrjeje në nivel personal të prefektit të Tiranës.
Sa për ushqim apo për veshje, asnjë institucion publik nuk duket se ekziston në një rast të tillë. Të enjten, të përmbyturit mbetën pa darkë ndërsa të premten (sot), tre ditë pas përmbysjes së shtëpive, ARSIS, një organizatë joqeveritare që kujdeset për fëmijët në nevojë, shpërndau veshje dhe ushqime ndërsa mësuesit dhe nxënësit e shkollës mblodhën ndihma në veshje dhe ushqime për ta.
Emine Kica, drejtuese e Njësia së Përkujdesjes së Fëmijëve në zonën administrative 4, të thotë se falë këtij bashkëpunimi u sigurua për një ditë ushqimi, ndërkohë  nuk është e paqartë së çdo të ndodh me strehimin e këtyre familjeve.
te permbytur 3

Familjet e evakuuara në palestrën e shkollës Misto Mame në Tiranë pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga lumi i Tiranës më 8 janar 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i bashkisë së Tiranës e konsideroi problemin e strehimit të familjeve të përmbytura një problem të prefekturës. Sa i përket se çfarë do të bëhet me ta në të ardhmen, zëdhënësi tha: “Prefektura dhe Shtabi i Emergjencave kanë të dhëna për këtë çështje”.
Por një zyrtar i prefekturës nga ana e vet tha se ndërhyrja për strehimin e përkohshëm të të përmbyturve në shkollë qe një veprim personal pasi ky institucion nuk ka për kompetencë këtë problem.
Dhe ndërsa institucionet duken në raste vështirësish të shoqëruara nga një numër i madh kamerash, por në përgjithësi, duarbosh, për familjet e strehuara në palestrën e shkollës problemi duket pa zgjidhje.
“Kasollet tona i ka marrë lumi dhe nuk mund të shkojmë më aty. Na kanë thënë se do të na japin ca çadra e do të na vendosin në  Tufinë, por kjo nuk është zgjidhje. Nuk dimë asgjë së çdo të bëhet me ne”,  të thotë Gramoz Bastriu, një prej të evakuuarit.
Argjentia Arixhiu, nënë e pesë fëmijëve, shqetësim të vetëm ka pampersat për foshnjën e saj dy muajsh. Klajti nuk pushon së qari dhe Argjentina të thotë se nuk mund ta ndërrojë nga i ftohti që është në palestër dhe mungesës së rrobave.
te permbytur 4

Familjet e evakuuara në palestrën e shkollës Misto Mame në Tiranë pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga lumi i Tiranës më 8 janar 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Kushtet e jetesës, humbja e gjithë sa kishin, nuk i shqetëson sa e ardhmja këta banorë të evakuuar nga përmbytje.
Askush nuk është i qartë se ku do të jetojnë të nesërmen.
“Na kanë thënë se do të na japin një çadër për tre familje e do të na vendosin në Tufinë”, të thotë Fadil Lushani, një nga të evakuuarit.
Tufina është emri informal i një institucioni publik të njohur si “Qendra Tranzitore e Emergjencave”, një ish bazë e ushtrisë pranë fshatit Tufinë në lindje të Tiranës, i krijuar fillimisht në shtator 2013, për të strehuar disa familje rome që humbën banesat në Pallatin me Shigjeta pasi toka ku ata kishin ngritur kasolle mori leje ndërtimi.
Aktualisht në këtë qendër gjenden 53 familje. Problemi është se kapacitetet e qendrës janë tepër të vogla për të mbuluar nevojat e të përmbyturve të ditëve të fundit. Rrjedhimisht duket se për të përmbyturit, oferta do të jetë një hapësirë toke në këtë ish bazë ushtarake ku ata do të mund të rindërtojnë kasollet e përmbytura nga lumi.
Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit shkaktuan rrëshqitje dherash, çarje rrugësh dhe përmbytje shtëpish në një pjesë të madhe të vendit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjithsej 370 familje u detyruan të evakuohen nga shtëpitë e tyre. Zonat më të prekura qenë fshati Çermë pranë Divjakës, zona e Lushnjës, Shijaku, Sukthi e Lezha.
Në pjesën tjetër të vendit dëmet në infrastrukturën rrugore raportohen të konsiderueshme, me rrugë të mbuluara nga rrëshqitjet e tokës apo ura të dëmtuara, ndërsa Emergjencat Civile nuk kanë kryer ende ndonjë vlerësim të dëmeve totale.

Autor: Lindita Çela
BIRN
Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY