Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se opozita është e vendosur për reformën në drejtësi por deklaroi se reforma që PD kërkon nuk mund të bëhet mbi një draft që nuk është ai i Komisionin të Venecias.
Është shpërndarë një draft i cili është i mazhorancës dhe nuk është i Venecias, tha Basha. Përgjigja që duhet të japë Edi Rama është “po” Venecias apo “jo” Venecias.
Drafti që ka shpërndarë nuk është konsensual, theksoi kryetari i PD-së.
Ai deklaroi se reforma në drejtësi dhe kontributi i PD-së në këtë reformë ka të vetmin kusht, asgjë më pak se rekomandimet e Venecias nuk është e pranueshme për PD.
PD e ka marrë vendimin, tha Basha: Rekomandimet e Venecias janë udhërrëfyesi ynë.
Në vijim ai tha se mirëpret cdo inisiativë të Presidentit të Republikës për tryezë në favor të transparencës.
Deklaratat e plota te Bashës:
Pyetje: Z.Basha kemi të reja mbi qëndrimin e ekspertëve demokratë mbi reformën në drejtësi dhe politikisht nga Partia Demokratike?
Basha: Partia Demokratike është zotuar publikisht për zbatimin 100% të rekomandimeve të Venecias. E kam bërë këtu para jush këtë zotim dhe e përsëris edhe sot. Kam bërë një ftesë publike dhe e përsëris edhe sot për Edi Ramën dhe Ilir Metën që të punojmë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias si udhërrëfyesi i vetëm për Reformën në Drejtësi.
Fatkeqësisht që nga ky moment ka patur vetëm retorikë dhe asnjë veprim pozitiv në këtë drejtim, përkundrazi ka patur veprime që bien ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe zotimin publik të mazhorancës për të punuar së bashku me opozitën për një draft të ri. E kam fjalën për draftin parafabrikat të 29 dhjetorit, një përpjekje tinzare, hileqare e Edi Ramës që në vend të përqafimit të rekomandimeve të Venecias, kërkon të bëjë “ Bypass”-in e rekomandimeve të Venecias.
Pavarësisht kësaj përpjekje, ekspertët tanë kanë vazhduar punën në tryezën e ekspertëve duke kërkuar që tryeza e ekspertëve të reflektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Më 4 janar tryeza ra dakord dhe tha se nuk ka draft tjetër, por ndërkohë përsëri në mënyrë tinëzare dhe hileqare ka shpërndarë një draft që në fakt është parafabrikati i 29 dhjetorit. Në këto kushte pyetja e vetme të cilës duhet t’i japë përgjigje Edi Rama është: Po Venecias apo Jo Venecias?
Nëse Po Venecias, hapi i parë që duhet hedhur është publikisht të mohojë ekzistencën e një drafti paralel. Ai mund të jetë drafti i PS, draft i Fatmir Xhafës apo draft i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Socialiste por nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një produkt konsensual.
Hapi i dytë është të lexojmë sëbashku konkluzionet e Venecias.
Hapi i tretë është të punojmë mbi një dhe një draft të vetëm, në kushte barazie të ekspertëve tanë dhe ekspertëve të Edi Ramës, Sokol Sadushit, Gent Ibrahimit, Aurela Anastasit dhe çfarëdo ekspertësh të tjerë që janë të angazhuar dhe që deri tani janë mbajtur të fshehtë por në fakt janë për ne sot e gjithë ditën, siç kanë qenë këto muaj ekspertët e Edi Ramës, të cilët i mirëpresim.
Këta janë ekspertët tanë, unë nuk e fsheh, dal para tyre dhe jo pas tyre për t’ju shprehur këtë vullnet tonin. Asgjë më pak se rekomandimet e Venecias nuk është e pranueshme për Partinë Demokratike, nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimin e rekomandimeve të Venecias.
Pyetje: Kryetari i Kuvendit bëri thirrje sot PD dhe juve sigurisht që ekspertët të kthehen në tryezën e dialogut, negociatave ndoshta në tryezën e PD dhe të gjitha palëve për reformën në drejtësi dhe më pas t’i lihet vend edhe tryezave politike. Z. Basha ndoshta është kjo një zgjidhje për të gjetur reformën?
Basha: S’ka rëndësi të bëjmë shumë tryeza se ne nuk jemi palloj, ne jemi politikane marrim vendime apo jo . Unë e kam marrë vendimin, rekomandimet e Venecias janë udhërrëfyesi ynë. Të zbatojmë rekomandimet e Venecias, të udhëzojë ekspertët e tij që të zbatojnë rekomandimet e Venecias siç kam udhëzuar unë ekspertët tanë të zbatojnë rekomandimet e Venecias. Kaq është!
Pyetje: Z.Basha, Presidenti ka bërë thirrje për një tryezë politike, jeni ju për një takim mes jush –z.Rama-z.Meta për t’i zgjidhur çështjet delikate?
Basha: Unë mirëpres çdo iniciativë të institucionit të Presidentit të Republikës për të ndihmuar në transparencën e procesit, për të parë qartë se kush ka vullnet dhe kush jo. Dua të përsëris edhe një herë që PD ka vullnet të çeliktë për reformën në drejtësi, sikundër ka vullnet të çeliktë për të mos lejuar kapjen politike të drejtësisë.
Pyetje: Keni komunikuar me ambasadorin Lu, apo keni patur takime me diplomatë?
Basha: Jam në kontakt të vazhdueshëm. Faleminderit!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/