Faisal J. Abbas*
Kur Ministri i Jashtëm saudit Abdel Al-Xhubejr lajmëroi të dielën se Saudia do t’i shkëpuste lidhjet me Iranin, ishte sikur ajo të kishte ekzekutuar terroristin e 48-të.
Në fakt, mund të themi me bindje se regjimi iranian mishëron kërcënimin terrorist më të madh, jo vetëm për Arabinë Saudite dhe rajonin, por edhe për sigurinë globale.
Irani – në mënyrë tipike – pretendoi se po ndalonte protestuesit që të mos i vinin flakën ambasadës saudite në Teheran, por në të vërtetë nuk e bëri këtë (nuk do të ishte e habitshme nëse del se në fakt i ka nxitur vetë).
Irani gjithashtu kritikoi ekzekutimin e predikuesit të urryer Nimr Al-Nimr, i cili është përshkruar nga autoritetet saudite si “nxitës i trazirave” dhe është gjendur fajtor për “përzierjen e të huajve” në çështjet e brendshme të mbretërisë, mes shumë akuzave të tjera. Me anë të mediave dhe zëdhënësve të vet, Irani bëri që kjo çështje të dukej si sektare – meqënëse Arabia Saudite është shtet sunit, ndërsa Al-Nimr ishte shiit. Zyrtarëve iranian u leverdisi që të mos e përmendnin faktin se vetëm tre nga 47 të ekzekutuarit ishin shiitë.
Pjesa tjetër, jo vetëm që ishin suni, por ishin suni ekstremistë dhe figura të rëndësishme të Al-Kaedës, për të cilën Arabia Saudite akuzohet – veçanërisht nga Irani – se e mbështet!
Sigurisht, është e lehtë t’i drejtosh gishtin Rijadit e të thuash se 15 nga 19 rrëmbyesit e avionëve më 11 Shtator ishin sauditë. Veç kësaj, lideri i mëvonshëm i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, ishte saudit përpara se t’i hiqej nënshtetësia.
Megjithatë, ka një dallim të madh mes të qënit një regjim që mbështet terrorizmin, si Irani, dhe qeverisë së Saudisë e cila është lavdëruar nga fuqitë botërore si një aleat kyç në luftën kundër terrorizmit. E vërteta është se Arabia Saudite i ka luftuar pa pushim grupet si Al-Kaeda dhe Daesh (i vetëshpalluar si Shteti Islamik) duke shkuar pas çdo qytetari të vet për të cilin është provuar se ka qenë anëtar i grupeve të tilla.
Në mesin e anëtarëve të ekzekutuar të Al-Kaedës ishte edhe Fares Al-Shuaili, një nga ideatorët kryesorë, shkrimet e të cilit janë përpjekur të justifikojnë strategjitë dhe taktikat e përdorura nga militantët. Al-Shuaili, njësoj si Al-Nimri, mbase nuk kishte vrarë njeri personalisht, por mësimet dhe predikimet e tij ishin nga faktori i drejpërdrejtë në marrjen e jetëve të pafajshme. Kjo do të thotë se të dy ishin njësoj përgjegjës për krimet e kryera.
Ndërkohë që shumë dështojnë – me dashje ose jo – që t’i njohin përpjekjet e mëdha të Saudisë dhe sakrificat e bëra nga një numër i madh i forcave të saj të sigurisë në këtë front, është shokuese që Rijadi shihet akoma me dyshim, kur në fakt është Teherani – sipas Departamentit Amerikan të Shtetit – i cili po u siguron strehim dhe ndihmë liderëve të Al-Kaedës; si me logjistikë ashtu edhe me ndihmë financiare. Kjo shpjegon pse Al-Kaedën e shqetëson më shumë qeveria saudite se sa ai që ndoshta duhej të ishte armiku i saj natyral, Irani.
Në të gjitha rastet, është absurde që Irani të ketë guximin të kritikojë Arabinë Saudite për ekzekutimin e disa terroristëve të dënuar.
Sipas Amnesty International, Teherani ka ekzekutuar mbi 700 vetë vetëm në gjysmën e parë të vitit të kaluar (2015), ndërsa numri total mendohet të arrijë mbi 1 mijë pasi të njoftohet zyrtarisht (këtu duhet të theksojmë se e gjitha kjo po ndodh nën hundët e të ashtuquajturit lider “të moderuar”, presidentit Rouhani!). Ajo që nuk thuhet është se shumë prej këtyre vendimeve kanë qenë kundër klerikëve sunitë, të cilët besohet se nuk kanë kryer asnjë krim e nuk kanë pasur një gjyq të drejtë.
Ndërkohë që Arabia Saudite i gjykoi publikisht e më pas i ekzekutoi pjesëtarët e Al-Kaedës, të cilët mes shumë akteve të tjera terroriste, në vitin 2004 kishin sulmuar e paralizuar gazetarin e BBC-së Frank Gardner dhe kishin vrarë kameramanin e tij, regjimi iranian nga ana tjetër, akoma mban të burgosur korrespondentin e Ëashington Post-it Jason Rezaian, i cili iu nënshtrua një gjyqi sekret dhe një vendimi të fshehtë në fund të vitit të kaluar.
Irani gjithashtu është përgjegjës për mbështetjen dhe financimin e shumë grupeve terroriste dhe paramilitare në rajon, që nga Hezbollahu (forca kryesore destabilizuese në Liban, i cili është përgjegjës edhe për sulmin ndaj marinsave amerikanë në Bejrut në vitin 1983), te Asa’ib Ahl Al-Hakk në Irak (përgjegjës për vrasjen e shumë irakenëve, britanikëve dhe amerikanëve), e deri te Huthët në Jemen.
Ndërkohë që nuk ka asnjë problem me popullin iranian, i cili është shumë më i moderuar e më tolerant se liderët e tij, shkëputja e marrëdhënieve të Rijadit me Iranin është padyshim një hap në drejtimin e duhur dhe aleatët e Arabisë Saudite duhet ta ndjekin, siç kanë bërë tashmë disa prej tyre.
Nëse Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë botërore arritën me sukses që në 2015-ën t’ia heqin Iranit ambiciet e tij bërthamore (të paktën kështu duket), atëherë 2016-a duhet të jetë viti kur ndërhyrjet e Iranit dhe sjellja e tij destabilizuese në rajon duhet të marrë fund njëherë e mirë!tesheshi.com
*Faisal J. Abbas është kryeredaktori i Al-Arabiya English.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/