Aty nga vitet ’60 historia me gjelat e detit ishte një epope që mund ta quaj edhe epopeja e gjelave të detit.
Sepse më pas, dhjetëvjeçarin tjetër, nisën shenjat e urisë që përfunduan në dyqanet bosh.
Kishte lekë, por nuk kishte mall, mall, kurse sot ka mall, por nuk ka lekë. Nejse.
Dhjetori ishte muaji i Gjelave të Detit. Një teatër i madh që simbolizon një mesazh universal të vlefshëm edhe sot.
Ata që donin ndonjë vend pune, ndonjë pasaportizim, ndonjë vend në shkollë e kishin rritur bakshishin në formë gjeli prej disa muajsh.
Kurse të tjerët e blinin.
Gjyshet e shtëpive të Tiranës kujdeseshin që viktimën e ardhshme ta ushqenin sa më mirë.
Blihej misër kastile që ai të ushqehej fort sidomos muajin e fundit të jetës të tij. As vetë gjeli i detit nuk e kuptonte se përse e ushqenin aq mirë, a thua se ishte ndonjë nëpunës parazit, militant partie, nga këta që kanë rroga nga buxheti i shtetit.
Por, misri nuk mjaftonte. Duheshin doza për të forta kalorish që ai ta ruante dhjamin e verdhë që e shihnin te gusha e tij në pjatë, dhe mundësisht ta shtonte gjithandej. Për këtë përgatiteshin “bombat” me kalori. Ushqehej me ca si sfera të përbëra me bukë të njomur me ujë, të lyer me vaj dhe me mbeturina të tjera ushqimesh. Ishin si në formë qoftesh prej brumi që i zhyteshin Gjelit të Detit drejt e në fyt. Ai mësohej t’i gëlltiste pasi dorëzohej i mbajtur me këmbëve të atij që e ushqente. Ushqehej me detyrim, ndofta pa shije për të, por e shëndoshnin për aktin e fundit.
Pasi mbushte barkun me ushqim Gjeli i Detit i shkretë duhej ta treste. Rrinte në një cep të oborrit a të ballkonit dhe frynte puplat, qafën e fuste midis tyre, dhe nga gurmazi nxirrte një “gufff”. Ndofta prandaj kjo quhej angërdufje e Gjelit të Detit.
Kishte arritur kulmin e lavdisë sipas mendësisë të tij. E kishin ushqyer, e shihnin me lakmi, e mbanin në qoshe të vendit, emri i tij lakohej nga të gjithë antarët e familjes dhe nga miqtë e komshinjtë.
Si e bletë Gjelin e Detit?
Ku e bletë Gjelin e Detit?
Si ju ka dalë Gjeli i Detit?
Ku do ta piqni Gjelin e Detit?
Bëheshin edhe filma dhe dokumentarë artistikë për të.
Në fakt ushqimi i Gjelave të Detit kishte edhe anën e tij të errët.
“Katunarët” që i shisnin te Pazari i Ri apo në qoshe pallatesh i ushqenin minutat e fundit para sesa t’i sillnin në qytet me kokrra misri. Kishte nga ata që i fusnin edhe dy kile misër në bark. Gjeli i Detit peshonte shumë, dhe pra shisnin, kokrra misri me çmimin e mishit të Gjelit.
Pse kujtoni që sot u shpik kontrabanda e mallrave!!! Ahuuu, sa dimë ne!!!
Gjeli dukej i vogël, të rrente pamja, por kur vihej në peshore, koqja e kandarit anonte fort nga Gjeli.
“E, mos ki merak, thoshte ‘katunari’, peshon i çik shumë, por kjo vjen se e ka mishin e rond.”
Nuk kuptohej se çfarë donte të thoshte kjo, por brenda kishte mashtrim. Vetëm ustallarët e dinin si ta kuptonin sepse e kontrollin Gjeli e Detit në fyt ku ai i nxirrte disa nga kokrrat e misrit si formë ripërtypjeje.
“E paske ushqy me misër zotrote, por nuk ma hedh dot mu! “
Javën e fundit Gjeli i Detit hynte edhe në marrëdhënie simbolike me botën sociale.
Ana më simpatik ishte kur duke ecur në rrugë për qejfin tënd nisje dhe fishkëlleje, fiuuuuuu, dhe Gjelat e Detit afër teje, pas avllive, nisnin këndonin : gllugllugllugllu. Kënga e tyre rimerrej nga ata që ishin më tutje dhe pas pak i gjithë qyteti shkundej i tëri nga gllugllugllu-të masive.
Komunikim masiv.
Si sot kur dikush bën një shkrim dhe në web dhjetëra anonimë nisin të ,këndojnë pas fiuuuuuut me gllugllugllu e tyre si dikur Gjelat e Detit pas avllive.
Instinkti i vjetër mijëra vjeçar nga Gjelat e Detit vjen te njerëzit. Nuk dihet se përse quhet i detit ai Gjel. Nuk e di nëse dinte not, nëse kishte ndonjë lidhje me gaforret, ngjalat, molusqet, breshkat e ujit, kandilat e detit, akrepat e ujit, në përgjithësi me frutat e detit.
Gjelat e Detit anonimë i vinin edhe të ziheshin me njeri tjetrin.
Çfarë betejash qesharake. E shtynin njeri tjetrin me bark, e çukisnin me sqepat e tyre dhe fitimtari angerdufej si shef, lëkundte lafshën e tij nën gushë gjithë dhjamë dhe në ngjyrë të kuqe duke parë me frikë çunat rreth e rrotull që bërtisnin: urraaaaaa, fituam!
Pastaj vinte dita e 31 dhjetorit.
Furri te fundi i rrugës gëlonte nga mileti. Brenda zgavrës të furrit qindra Gjela Detit të pjekur që shkriheshin nën dhjamin e tyre. Dhjami i vënë në mënyrë parazite ikte brenda disa minutave, ja brenda një ore.
Gjithë problemi ishte se mos tavaxhiu ta ndërronte Gjelin e Detit gjatë pjekjes.
Vazhdimi dihet.
Duke dashur të evitojmë skena të dhunshme në postim, besoj se lexuesi i nderuar e kupton se çfarë ndodhte më pas.
Pjesa e trishtë përfundonte të nesërmen në mëngjes kur me mide të prishur nga ushqimi i tepërt i darkës duhej të mblidhje mbeturinat e tavolinës dhe t’i hidhje ashtu të ftohura, të ngrira, pa jetë në plehra.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/