SAMI NEZA/Reforma e suksesshme në Drejtësi sjell zgjedhjet e parakohshme*

SAMI NEZA/Reforma e suksesshme në Drejtësi sjell zgjedhjet e parakohshme*

89
0
Shares

Reforma në Drejtësi trans formon të gjitha institucionet e së drejtës në Shqipëri, duke krijuar një sizmikë të rrallë në llojin e vet përgjatë tranzicionit shqiptar. Ajo prek drejtpërsëdrejti gjykatat, KLD-në, Prokurorinë, Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, dhe indirekt Parlamentin, qeverinë dhe partitë parlamentare. Pra nuk ndalon në territorin e KLD-së apo Gjykatës së Lartë, Konferencës Gjyqësore apo Prokurorisë.

Në vijim të rrugës që ndjek reforma, bën përmbysje thelbësore në Kushtetutë, duke prekur gati gjithë kapitujt e saj dhe një numër të madh nenesh. Bashkë me ndryshimet që bëhen për shkak të ligjit për dekriminalizimin, Kushtetuta në fakt ribëhet. Natyrisht që reforma është e kufizuar në terrenin e së drejtës, por objektivi i saj nuk është vetëm vetërregullimi i këtij sistemi. Nëse dëgjon diskutimet për reformën që nga kryetari i komisionit e deri tek eksperti më i fundit, ka një tendencë për ta kufizuar problemin nga një çështje politike dhe kombëtare, në një çështje institucionale dhe administrative.

Por, për shkak të shtrirjes së saj dhe pasojave që do të ketë në të ardhmen, ajo i kalon kufijtë e një apo disa institucioneve dhe aq më pak mbetet në formën e një ligji apo nënligjesh që rregullojnë funksionimin e administratës së Drejtësisë. Reforma ka lindur nga disa nevoja dhe quhet e përfunduar kur përmbushen ato. Reforma erdhi si rezultat i dështimit të Shqipërisë që të ndërtojë një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe të drejtë. Po ashtu, reforma erdhi si rezultat i dështimit të Shqipërisë të luftojë korrupsionin në institucionet dhe administratën publike, atë politike dhe korrupsionin në sektorin privat.

Dy dështimet e mësipërme kanë çuar në dështimin ekonomik të vendit, duke ngadalësuar reformat dhe duke sjellë kosto kombëtare, e shprehur kjo në mungesën e shpresës dhe largimet masive nga vendi. Në 15 vitet e fundit kanë përfunduar me sukses vetëm projekte madhore, që janë supervizuar publikisht e nga shumë aktorë, siç janë autostradat dhe tunelet, programi i ullirit, deri diku hidroenergjia dhe mbledhja e kamatëvonesave të energjisë.

Të gjitha reformat, iniciativat apo projektet e tjera kanë dështuar pjesërisht apo plotësisht, duke filluar nga kthimi dhe kompensimi i pronave, legalizimi i ndërtimeve informale, prishja e ndërtimeve pa leje në qytete dhe zona turistike, shëndetësia falas, check up-et, koncesionet e tjera, shfrytëzimi i pasurive natyrore, Kodi Zgjedhor etj. Agjenci të ndryshme ekonomike të vendit janë të zhytura në korrupsion dhe institucionet e administratës publike në keqmanaxhim dhe keqdrejtim.

Mjafton të lexosh me vëmendje raportet e auditimit të KLSHsë për institucionet shtetërore dhe me përmbajtjen e tyre ke të drejtë të kërkosh e ta fitosh azilin politik në Europë dhe në SHBA. Në rrethana të tilla, qytetarët janë pa të drejta, të shtypur dhe të pambrojtur nga shtresat e oligarkisë, e cila nuk është vetëm politike, por është edhe gjyqësore, bankare, mediatike, e shtresuar sipas sjelljes së një oligopoli në treg, ku roli drejtues i jepet një kompanie. Në rastin e oligopolit korruptiv, drejtimin e tregut e ka qeveria, por ushqehen prej këtij tregu kënaqshëm të gjithë stakeholders që përmenda më sipër.

Reforma në Drejtësi ka për qëllim të japë një përgjigje për pyetjen “ A mund të ndryshojmë” dhe të japë një mjet përmes të cilit filtrohet sistemi. Pra duhet të përmbushë nevojën. Nëse reforma në Drejtësi ka për qëllim korrektimin, debati për reformën është kohë e humbur. Korrektimi nuk ka dhënë produkt në Shqipëri dhe teza se është sistemi në fillim që bën njerëzit nuk po i funksionon as atij që e ka shumë për zemër këtë tezë, Kryeministrit. Reforma duhet të tërheqë pingule, në shqip thika.

Ka nevojë për përmbysje dhe një përmbysje e cila krijon terrenin për afirmimin e gjetjeve të reformës në drejtësi. Ndryshe pavarësisht skedulit të shkëlqyeshëm të reformës do të biem në përsëritje. Deri tani kemi një projekt për reformë të madhe nga institucione me nam të keq. Kjo mund të ndodhë dhe nuk mund ta dëmtojë produktin e reformës. Në teori është punuar gjithnjë mirë dhe institucionet me namin e keq, si Qeveria dhe Parlamenti, kanë bërë ligje shumë të mira. Të gjithë e thonë këtë, por duke shtuar gjithnjë se ligjet janë të mira, po kanë një problem: nuk zbatohen.

Nëse shikoni reagimet politike pas rekomandimeve të Venecias, do të kuptoni se po luhet një hile tjetër, që nuk prish higjienën tonë të dëgjimit, pasi jemi imunizuar por për ndërkombëtarët mund të jetë sinjal. Deri tani LSI ka shenja se nuk e pëlqen këtë lloj reforme, pavarësisht se letra e Ilir Metës për Venecian përpiqet ta fshehë këtë gjë. Venecia ka rrëzuar disa propozime kruciale të PS-së, siç ishte shmangia e gjykimit të Kushtetueses apo roli i qeverisë në kompozitat e komisioneve që do të mbikëqyrin Gjyqësorin. PD në rolin e atij që nuk ka çfarë të humbasë më shumë sesa ka humbur më 2013-n është më konform vullnetit të reformës dhe synimit të ndërkombëtarëve.

Por edhe ndaj këtyre të fundit ka mosbesim. Ambasadorja e BE-së, Vlahutin, nuk mund të themi se është një “fanse” e Ramës, por ka tërheqje ndaj qeverisë. Ia do edhe puna.

Ndërkombëtarët e nuhasin këtë gjë dhe kanë kërkuar ndryshim në rregullat e referendumit, për ta përdorur atë si mjetin e fundit për të kaluar reformën. Por edhe nëse vjen puna me referendum, lind pyetja kush do të lobojë për referendumin.

Pavarësisht pamjes së reformës, brendia nuk do të ketë plasaritje deri në ditën e votimit. Mund të mos ketë probleme edhe atë ditë dhe reforma të kalojë me mbi 94 vota. Por pas kësaj dite, hyn në veprim skenari i “ligjit të mirë që zbatohet keq”. Të gjitha shanset për një reformë në Drejtësi të suksesshme janë të rrezikuara. Atë ditë duhet të shpallen zgjedhjet. Një reformë në Drejtësi e suksesshme sjell zgjedhje të parakohshme, përndryshe ka dështuar. Por nevoja për zgjedhje të parakohshme nuk lidhet vetëm me cilësinë e zbatimit të reformës.

Ajo lidhet edhe me një problem etik. Siç u theksua më sipër, reforma në Drejtësi është shumëplanëshe, duke prekur Kushtetutën, disa ligje të rëndësishme dhe mënyrën e organizimit të saj. Drejtësia do të qëmtojë për produkt, pra do të dënojë korrupsionin, krimin e organizuar, konfliktin e interesit, “begatimin pa shkak”. Strukturat aktuale duhet të votëbesohen për republikën e re.

*
botuar sot ne gazeten Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY