DHURATA E PAPA FRANCESKUT/ Presidenti Nishani dorëzon “Mesharin” në Bibliotekën Kombëtare

DHURATA E PAPA FRANCESKUT/ Presidenti Nishani dorëzon “Mesharin” në Bibliotekën Kombëtare

49
0
Shares

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vizitoi sot paradite me shumë interes ekspozitën “Biblioteka e Bibliotekave”, e cila përmbyll kremtimet me rastin e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare.
Me këtë rast Kreu i Shtetit në prani të Zëvendësministrit të Kulturës Zef Çuni, të shumë akademikëve, profesorëve, studiuesve dhe gjuhëtarëve i dorëzoi Drejtores së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani për ta mirëmbajtur dhe për t’u përkujdesur kopjen e “Mesharit” të Gjon Buzukut, e cila i është dhuruar nga Papa Françesku I gjatë vizitës së tij historike në Tiranë më 21 shtator 2014.
Presidenti Nishani fillimisht uroi për 95-vjetorin dhe falënderoi personalisht dhe institucionalisht të gjithë drejtuesit, administruesit, pasuruesit, punonjësit dhe asistentët e kësaj qendre, e cila në çdo rrethanë dhe në çdo kohë ka prezantuar dëshirën për dijen dhe shkencën duke theksuar veçanërisht: “Të gjithë këtë plejadë njerëzish, të cilët kanë bërë të mundur që të mos harrohet, të mos lihet mënjanë në asnjë çast libri, shkenca, dituria që do të thotë përparimi”.
“Pikërisht sot në këtë ditë apo në këto përkujtime të 95-vjetori të këtij rrugëtimi, dëshiroj që të uroj dhe unë dhe njëkohësisht të vlerësoj edhe iniciativën tuaj personale dhe të gjithë stafit të Bibliotekës Kombëtare dhe profesorëve që nxitën organizimin e aktiviteteve të ndryshme për të sjellë në vëmendjen e shoqërisë sesa e rëndësishme është jo vetëm memoria, por memoria përmes diturisë, përmes shkencës, hulumtimeve dhe përmes kontributeve shkencore”, vuri në dukje Presidenti.
Prania e Presidentit të Republikës në Bibliotekën Kombëtare lidhet me një premtim të bërë një vit më parë, në Krishtlindjet e vitit të kaluar, kur kopja e Mesharit të Gjon Buzukut iu soll si dhuratë nga Papa Françesku dhe u ekspozua në ambientet e Institucionit ku dhe u vizitua nga shumë qytetarë.
“Së bashku me Drejtoreshën vendosëm që vendi më i përshtatshëm, më i vlefshëm dhe i duhuri për të ruajtur dhe studiuar është Biblioteka Kombëtare, e cila nderohet nga prania e Mesharit e sjellë nga Papa Françesku, por nga ana tjetër dhe vendi më i përshtatshëm dhe i gjetur është Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Ndaj, sot ne do të mbajmë një premtim duke e prezantuar dhe duke e vendosur këtë dhuratë të Papa Françeskut për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë vend më se të merituar. Duke besuar plotësisht në punën e mëtejshme të akademikëve, profesorëve, studiuesve shqiptarë për të vijuar dhe çuar më tej atë bazë dhe punë të shkëlqyer që nisi, siç e përmendët dhe ju, gjuhëtari i famshëm shqiptar Çabej”, u shpreh Presidenti.
Duke theksuar se kjo “Nuk është një dhuratë e Presidentit. Nuk është një dhuratë e Bujar Nishanit, kjo është dhuratë e Papa Françeskut për Shqipërinë dhe shqiptarët.” Kreu i Shtetit nënvizoi se: “sjellja e Papa Françeskut tregon rrugëtimin dhe të ekzistencës dhe rezistencën e gjatë që ky libër i parë në gjuhën shqipe i shkruar nga një murg katolik i Gegnisë, më pas përmes një punë transliterimi të shkëlqyer dhe të përkorë të gjuhëtarit Çabej e ka kthyer në një vepër të mirëfilltë bibliofilike, e cila do t’i shërbejë jo vetëm synimit dhe objektivave të Bibliotekës Kombëtare, por dhe të punës studimore-shkencore”.
Duke vënë në dukje një mesazh tjetër që ka të bëjë me një nga thesaret e çmuara që ne drejt mburremi si komb dhe si shoqëri atë të harmonisë dhe të bashkëjetesës fetare, Presidenti u shpreh se, “Jo më kot simbolika e rrugëtimit shekullor të këtij libri me këtë emër kaq simbolik, siç e përmenda dhe më lart, nga Buzuku tek përkujdesja në Vatikan, tek sjellja në udhëtimin apostolik të Papa Françeskut në Shqipëri, të atij kontributi të shkëlqyer të një përkthyesi e të një gjuhëtari mysliman të Toskërisë si Çabej. Simbolizon plotësisht këto parime dhe vlera të harmonisë dhe bashkëjetesës edhe asaj fetare, e cila ashtu si ky ‘Meshar’ që u rezistoi furtunave shekullore, edhe besimi jo vetëm tek i Plotfuqishmi, që pa dyshim është i pazëvendësueshëm, por dhe besimi tek dija dhe përparimi u rezistoi kohërave shumë të vështira në Shqipëri. Besoj se me këtë libër, me këtë Meshar ne gjejmë një qetësi shpirtërore dhe krenari kombëtare të të gjithëve”.
“Prandaj uroj ta gëzoni! Dhe njëkohësisht Bibliotekës Kombëtare i uroj punë më dinamike! Besoj që shumica e frekuentuesve, por posaçërisht e pedagogëve dhe akademikëve tanë do të flasë dhe do të përcjellë më shumë rëndësinë e madhe që ka ballafaqimi me sfidat e kohës, posaçërisht me sfidat që ka sjellë modernizimi dhe përparimi me shpejtësi i teknologjisë së informacionit, i cili është një sfidë e madhe ndaj librit. Ne, institucionet shtetërore duhet të mendojmë së bashku përmes infrastrukturës, dhe profesorët dhe akademikët përmes mendjes së tyre për ta rikthyer shumë më tepër vëmendjen e gjeneratës së re tek libri dhe tek studimet dhe shkrimet”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY