Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin Fatos Alimadhi, përmbarues privat, i akuzuar për “Mashtrim” me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar rreth 4.5 milionë lekë të reja disa shtetasve, të cilit kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e shtetasit E. V., i cili përfaqësonte disa qytetarë që kishin përfituar me vendim gjykate në vitin 2012 të drejtën për të shpërblim shëndetësor nga kompanitë e sigurimeve.
Pas vendimit të gjykatës, në cilësinë e përfaqësuesit të shtetasve, kallëzuesi E. V. kishte lidhur kontratë për veprime përmbarimore me përmbaruesin Fatos Alimadhi.
Pasi kanë pritur rreth 1 vjet për kryerjen e shërbimit përmbarimor, qytetarët përfitues kanë kërkuar nga përmbaruesi të dhëna për veprimet që ka kryer, por nuk kanë marrë përgjigje të saktë. Në këto kushte, ata kanë prishur kontratën e tyre me përmbaruesin Alimadhi. Por, pasi janë interesuar vetë për përfitim që u takonte nga kompanitë e sigurimeve, rezultonte që një pjesë e shumave që u takonte u ishte rimbursuar. Në këtë kushte, duke dyshuar se mund të ishin mashtruar nga përmbarueasi Alimadhi, qytetarët përfitues, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, E. V., kanë bërë kallëzim penal.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se përmbaruesi privat, gjatë vitit 2013, ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për disa prej përfituesve, por paratë i ka përvetësuar, duke mos u kaluar në llogari të tyre shumat që u ishin rimbursuar nga kompanitë e sigurimeve.
Fakti që shumat janë rimbursuar provohet edhe nga dokumentacioni i kompanive të sigurimit, të administruara gjatë procesit hetimor.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur shtetasin Fatos Alimadhi, përmbarues privat, për veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/