“Beauty Contesti”, garë të shëmtuar për frekuencat dixhitale

“Beauty Contesti”, garë të shëmtuar për frekuencat dixhitale

77
0
Shares

Dy ankesa serioze qëndrojnë prej ditësh në tryezën e punës së Gentian Salës-kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, por ai nuk ka asnjë zgjidhje të shpejtë si përgjigje. Italia dhe Mali i Zi, dy vendet fqinje i kërkojnë Shqipërisë të zbatojë detyrimet ndërkombëtare dhe të mos lejojë valët e televizioneve private të interferojnë në rrjetet e tyre të telefonisë së lëvizshme.

Ankesa të tilla ishin të pritshme nga autoritetet shqiptare, që kur u bë e qartë se vendi e kishte të pamundur të mbyllte transmetimet televizive analoge dhe të kalonte në sistemin dixhital të transmetimit më 17 qershor 2015; afati fundor i përcaktuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara, e quajtur Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, ITU.

Shqipëria është një ndër 119 vendet që ka firmosur marrëveshjen e vitit 2006 të Gjenevës për dixhitalizimin, por e vetmja në Europë që ka dështuar të realizojë procesin brenda afatit.

Sipas ITU, Shqipëria mund të vazhdojë të transmetojë në analog, por me kushtin që të mos shkaktojë interferenca të dëmshme tek vendet fqinje.

“Vendet si Shqipëria kanë detyrimin që të zgjidhin menjëherë çdo interferencë të dëmshme që mund të shfaqet dhe që ka ndikim tek vendet fqinje,” i tha BIRN shefi për marrëdhëniet me median në ITU, Sanjay Acharya.

Për axhendën e vonuar të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, ankesat e vendeve fqinje përbëjnë kokëçarje shtesë.

Në zyrën e tij në qendër të Tiranës, në një ndërtesë gjysmë të rrënuar, të cilën e ndan me partinë Republikane dhe atë Demokristiane, Gentian Sala mbledh supet dhe heziton të spekulojë për ç’ka Shqipëria rrezikon përballë ankesave të vendeve fqinje.

Ai shprehet që pasojat që mund të rrjedhin janë të paqarta, por megjithatë kreu i AMA-s pranon që vendi e ka marrë tashmë damkën e “deles së zezë” së Europës për mosrealizimin e dixhitalizimit dhe është nën presion nga Brukseli për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu. Nga Bashkimi Europian na kanë ardhur sinjale që duhet ta mbyllim sa më parë këtë proces,” thotë Sala për BIRN.

Në cilësinë e kryetarit të AMA-s Sala udhëheq prej një viti tenderimin e frekuencave dixhitale për operatorët transmetues audiovizivë privatë, pa arritur të japë asnjë licencë. Eksperienca e tij e mëparshme e punës në një nga operatorët që po konkurrojnë për ndarjen e “tortës” së frekuencave e ka vendosur juristin 37 vjeçar në qendër te akuzave.

Prokurimi krahasues i hapur nga AMA, i cili njihet gjithashtu si Beauty Contest është mjegulluar nga pretendimet për konflikt interesi si dhe favorizim të paligjshëm të konglomeratit mediatik të përbërë nga Digit-Alb, Super Sport dhe Top Channel; kundrejt grupit mediatik Media Vizion, i cili përbëhet nga Vizion Plus dhe Tring TV.

“Procedura nisi dhe mbaroi në mënyrën më qesharake dhe kam përshtypjen se kemi të bëjmë me një monopol të pastër, për sa i përket tregut të “Pay per View”, shprehet Genc Dulaku, përfaqësues i Vizion Plus.

Sala i hedh poshtë akuzat si të pabaza dhe shprehet që puna e tij në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive është udhëhequr nga ligji, i cili përcakton qartë kriteret për kompanitë që ftohen të bëhen pjesë të Beauty Constest-it.

“Nuk kam asnjë brengë se po favorizoj. Ligji është i qartë si drita e diellit në këtë pikë,” i tha Sala BIRN

Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i Digit-Alb Alban Jaho i tha BIRN që Vizion Plus e ka paragjykuar vendimmarrjen e AMA-s për sa i përket shpërndarjes së frekuencave dixhitale për transmetuesit privatë.

“Procedura e Beauty Contest-it është e parashikuar në ligjin përkatës për të realizuar një shpërndarje të drejtë të frekuencave në procesin e dixhitalizimit, duke synuar të njohë faktin që realiteti i ka paraprirë rregullimeve specifike në këtë fushë dhe për të optimizuar investimet që si operatorët historikë dhe kombëtarë ashtu dhe publiku i gjerë ka bërë në këtë sektor,” Jaho i tha BIRN.

“Për më tepër, përpjekja e Vizion Plus bëhet përpara se AMA të ketë marrë një vendim për konkluzionin e procesit të Beauty Contest dhe paragjykon në çdo rast vendimmarrjen e AMA-s,” ai shtoi.

Legalizimi i tregut

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, gjatë ceremonisë së ndarjes së diplomave për studente të Agjencisë Kombetare për Sigurinë Kompjuterike.
Foto nga : LSA

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, gjatë ceremonisë së ndarjes së diplomave për studente të Agjencisë Kombetare për Sigurinë Kompjuterike.
Foto nga : LSA

Tregu i mediave audiovizive lulëzoi gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, ndërsa zhvillimi i teknologjisë u ndesh shpesh me vakume ligjore dhe mungesë të rregullave të lojës. Në vitin 2015, panorama e mediave televizive mbetet kaotike dhe jashtë shinave të ligjshmërisë.

Të dhënat e AMA-s tregojnë se në këtë fushë operojnë 72 televizione përveç televizionit publik; Top Channel dhe TV Klan zotërojnë licencë kombëtare, Digit-Alb dhe Tring TV janë platforma dixhitale me pagesë dhe pjesa tjetër i përket operatorëve rajonalë dhe lokalë.

Një pjesë e madhe e këtyre subjekteve janë debitorë ndaj AMA-s pasi nuk kanë derdhur pranë Autoritetit të Medias Audiovizive tarifat e licencimit dhe detyrime të tjera. Sipas raportit vjetor të AMA-as për vitin 2014, ky institucion kishte rreth 48 milionë lekë detyrime financiare të paarkëtuara nga transmetuesit televizivë.

Duke filluar nga viti 2004, nëntë subjekte televizive tansmetojnë në mënyrë numerike edhe pse licencat për transmetime dixhitale nuk janë shpërndarë ende.

Në qershor të vitit 2012, qeveria e djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha miratoi strategjinë kombëtare të kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike, por rotacioni politik i vitit 2013 dhe ndryshimi i kryetarit të AMA-s përmes një procedure të kontestuar nga opozita e la procesin në vendnumëro.

Kur Gentian Sala erdhi në krye të AMA-s, në nëntor të vitit 2014, një procedurë e mëparshme për shpërndarjen e licencave numerike ishte rrëzuar në gjykatë.

Përveç se një detyrim ndërkombëtar, Sala shprehet se dixhitalizimi shihet si një mundësi e artë për të legalizuar operatorët ekzistues, një pjesë e mirë e të cilëve mbajnë të pushtuara frekuenca dhe nuk paguajnë taksat në AMA.

“Investimi i së ardhmes po orientohet drejt internetit dhe IPTV-së, por operatorët ekzistues duan më shumë të legalizojnë ç’ka kanë ngritur,” ai tha..

Ministrja e Inovacionit, Mirela Harito bie dakord, duke nënvizuar se dixhitalizimi është një mundësi e mirë për të futur në shinat e ligjshmërisë tregun kaotik të transmetimeve televizive në Shqipëri.

“Vendimi i AMA për të licencuar 5 rrjetet kombëtare është marrë me qëllim legalizimin e operatorëve të konsideruar historikë,” i tha Harito BIRN-it.

Procedura e kontestuar

Më 23 prill 2015, AMA shpalli procedurën e dytë të Beauty Contestit përmes dy kritereve; operatorët duhej të kishin licencë kombëtare ose eksperiencë në transmetimet dixhitale.

Të përzgjedhurit e AMA ishin televizionet kombëtare Top Channel dhe TV Klan, dy platformat dixhitale ekzistuese, Digit-Alb dhe Tring TV dhe një kompani surprizë të quajtur Supersport, e cila nuk ishte përfshirë në procedurat e mëparshme.

Supersport është një platformë e transmetimit të ndeshjeve sportive, e zotëruar në 100 për qind të aksioneve nga Digit-Alb dhe e drejtuar nga i njëjti administrator. Ditën e shpalljes së Beauty Contest-it, Supersport kishte status “pasiv” në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve.

Më 24 prill, kjo kompani u kthye me status “aktiv” në QKR dhe pak kohë më pas, rriti kapitalin në kuotat 35 milionë lekë, kufiri limit ky i përcaktuar në projekt-rregulloren e Beauty Contest-it.

Përfshirja e Supersport në këtë listë u denoncua menjëherë nga Vizion Plus. Ky televizion është pjesë e grupit mediatik “Media Vizion” së bashku me platformën Tring TV dhe sipas përfaqësuesit të saj, Genc Dulaku, shpërndarja e licencave favorizonte platformën tjetër të televizionit me pagesë. Grupi mediatik i udhëhequr nga Dulaku dorëzoi gjithashtu një padi në gjykatën administrative të Tiranës për ta bllokuar Beauty Contestin.

Pas dorëzimit të padisë në gjykatë, “Media Vizion” tërhoqi edhe platformën Tring TV nga gara duke e bojkotuar atë. Genc Dulaku i tha BIRN se AMA është tanimë një institucion i kapur dhe po pengon zhvillimin e medias në vend. [Kliko këtu për të shkarkuar padinë e Vizion Plus kundër AMA]

“Ky institucion është vënë në mbrojtje të monopolit dhe ne jemi të parët që po e vuajmë. Pas nesh, do kenë probleme edhe të tjerët,” thotë Dulaku.

Background-i profesional i kryetarit të AMA-s, Gentian Sala e përforcoi këtë paragjykim. Në CV-në e tij dorëzuar Kuvendit, Sala deklaron se ka qenë administrator i e-Solution në vitet 2008-2009, një kompani e zotëruar 100 % nga Digit-Alb.

Megjithatë, ai i hedh poshtë akuzat se ka favorizuar krijimin e monopolit në tregun e programeve televizive me pagesë, ndërsa pohon se Vizion Plus u përjashtua nga gara pasi nuk plotësonte asnjë nga kriteret.

“Vizion+ nuk ka licencë kombëtare, nuk ka fare licencë dhe as eksperiencë në transmetimet dixhitale. Nga ana tjetër, ky subjekt nuk kishte paguar për 7 vite taksat tek AMA dhe këto ishin arsyet që nuk mund të përzgjidhej,” shpjegon ai.

I kthyer në burim tensionesh mes operatorëve televizivë dhe AMA-s, Supersport megjithatë ka ngelur në fazën e dytë për t’u pajisur me licencë. Sala i tha BIRN se pas shqyrtimit të dosjes, administrata e AMA-s i ka rekomanduar bordit që të mos e klasifikojë Supersport.

“Arsyeja është struktura pronësore, që bie ndesh me ligjin,” tha Sala.

Përfaqësuesi i Digit-Alb, Alban Jaho i tha BIRN që nuk ishte njohur akoma me vendimin e plotë të AMA-s për skualifikimin e kompanisë Supersport nga gara për frekuencat dixhitale dhe nuk mund ta komentonte atë; megjithatë, ai nënvizoi që kjo kompani i përmbushte kushtet për të qenë pjesë e Beauty Contestit.

“Është një fakt i pamohueshëm se SuperSport ka qenë një ndër subjektet pionier në Shqipëri sa i takon transmetimeve numerike, i cili i plotëson kushtet për të marrë pjesë në Beauty Contest,” tha Jaho.

“Sa i takon kufizimeve pronësore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, i konsiderojmë si të padobishme dhe të paefektshme në stadin aktual të zhvillimit të tregut mediatik në veçanti dhe garancive të konkurrencës së ndershme dhe pluralitetit të subjekteve mediatike në përgjithësi,” shtoi ai.

Gara e ashpër mes operatorëve televizivë për dominimin e tregut e ka humbur sot nervin e fillimit. Me bojkotin e Tring TV dhe skualifikimin e mundshëm të Supersport, AMA ka sot dy licenca tepër, që duket se nuk joshin askënd.

Sala pohon për BIRN se përveç padisë në gjykatë, Vizion Plus është ankuar në “instanca shumë të larta” dhe i është dhënë mundësia për frekuenca, që sipas tij nuk i do.

“Nuk është ndonjë sekret që për proceset këtu interesohen të gjithë; politika, Komisioni i Medias… Përgjigja ime ka qenë: ka hapësirë që të ruhet edhe liria e medias, edhe moskrijimi i monopolit sipas pretendimit të tyre. Nuk kanë pasur interes,” pohon ai.

“Dyfytyrësia” e pronësisë

Rekomandimet e dërguara në parlament nga kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë në lidhje me amendimin e nenit 62
Foto nga BIRN

Rekomandimet e dërguara në parlament nga kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë në lidhje me amendimin e nenit 62
Foto nga BIRN

Projekt-rregullorja e AMA-s për Beauty Contestin përcakton një afat 60 ditor për dhënien e licencës, pas aplikimit të subjekteve. Ky afat është djegur me kohë, por kreu i AMA-s thotë se do të ecë përpara me këtë procedurë.

Megjithatë, shkelja e afateve është vetëm njëra anë e problemit me të cilin përballet AMA; thelbi qëndron tek pronësia e operatorëve që kanë mbetur në garë.

Pronësia e medias është kthyer shpesh në objekt debatesh në Shqipëri, për shkak të lirisë së brishtë dhe lidhjeve mes saj, politikës dhe biznesit. Por ligji për “mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në mars të vitit 2013 me asistencën e ngushtë të organizatave ndërkombëtare vendosi kufizime të qarta për operatorët televizivë.

Neni 62 i këtij ligji përcakton se “asnjë person fizik apo juridik, vendas apo i huaj nuk mund të ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare të transmetimit audioviziv”.

Nga operatorët e përfshirë në Beauty Contest, Top Channel dhe TV Klan e përmbushin këtë detyrim ligjor, por Digit-Alb dhe Supersport jo. Në platformën televizive me pagesë, Digit-Alb, paketa kontrolluese prej 51 për qind të aksioneve zotërohet nga trashëgimtarët e themeluesit Dritan Hoxha, ndërsa 49 për qind nga aksionerë të tjerë. I njëjti problem mbartet edhe tek Supersport; e krijuar në fillim si joint-venture mes Top Channel dhe TV Klan dhe zotëruar më pas nga Digit-Alb.

Në maj 2015, deputeti i mazhoranës, Taulant Balla bëri një lëvizje të beftë përmes futjes në procedurën parlamentare të një projektligji që zhduk nenin 62 nga ligji për mediat audiovizive. Amendamenti “Balla” u përball me kundërshti të forta nga përfaqësitë e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe OSBE-së në Tiranë.

Përmes një letre të dërguar në Kuvend në qershor 2015, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin shprehu shqetësime serioze për ndikimin negativ që ky amendament mund të shkaktonte në mjedisin mediatik shqiptar.

“Amendamenti mund të shkaktojë efekte potenciale negative në konkurrueshmërinë e mediave audiovizive, duke krijuar rrezik për monopolizim dhe koncentrim të grupeve mediatike shqiptare me një impakt negativ në lirinë e medias në Shqipëri,” shkruan Vlahutin.

Në të njëjtën linjë kundërshtuese u shprehën edhe përfaqësuesja për lirinë e medias në OSBE, Dunja Mijatovic dhe zyrtarët e Këshillit të Europës në Tiranë, duke detyruar mazhorancën të tërheqë amendamentin Balla.

Rekomandimi i AMA-s në mbështetje të amendamentit “Balla”
Foto nga: BIRN

Rekomandimi i AMA-s në mbështetje të amendamentit “Balla”
Foto nga: BIRN

Kryetari i AMA-s, Gentian Sala i dërgoi Kuvendit një mendim të kundërt me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Në letrën e datës 13 maj 2015, Sala shkruan se është dakord me heqjen e kufizimit të pronësisë, ndërsa barrierat për kufizimin e reklamës duhet të mbetet në forcë.

Nëntë muaj më vonë, Sala e mbron njësoj atë qëndrim dhe argumenton se amendamenti “Balla” ishte një mundësi për t’i dhënë fund dyfytyrësisë së pronësisë në media.

“Duhet të jemi koshientë dhe të pranojmë një të vërtetë shumë të madhe; beteja për pronësinë e medias në Shqipëri është e humbur,” ngulmon Sala.

Pronarët e mediave televizive në Shqipëri janë të njohur për publikun, por ekstraktet e regjistrimit të tyre në QKR janë përgjithësisht të mbushur me emra familjarësh e miqsh, një pjesë e të cilëve fiktivë.

“Nëse do të ishte miratuar ai amendament, të jeni të sigurt se që të nesërmen do kishin ikur ca aksionerë mediash,” thotë Sala.

Ndërkohë që “loja e dyfytyrësisë” vazhdon, AMA i ka kërkuar Digit-Alb të rregullojë pronësinë në përputhje me ligjin, për t’u kualifikuar për licencë.

RTSH zvarriti procesin

Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, ITU e cilëson procesin e dixhitalizimit në Shqipëri “të gjatë dhe kompleks”.

“Situata në Shqipëri nxjerr në pah faktin se kalimi në sistemin dixhital sjell ndikim të lartë në axhendën sociale dhe politike të çdo vendi,” i tha BIRN Sanjay Achaya.

Në progres-raportin 2015, Bashkimi Europian rezervoi kritika për Shqipërinë sa i përket zvarritjes së procesit të dixhitalizimit.

“Nevojiten përpjekje të rëndësishme për implementimin e kalimit në dixhital sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhet në progres-raport. Për vonesat, drejtuesit aktualë të këtij procesi e drejtojnë gishtin nga e shkuara.

Në strategjinë e miratuar nga parlamenti shqiptar në vitin 2012, transmetuesi publik, RTSH mori rolin e lokomotivës në procesin e dixhitalizimit. Pas ndërtimit të dy rrjeteve përmes një tenderi ndërkombëtar, RTSH mendohej se do të ishte në gjendje të mbështeste operatorët ekzistues lokalë dhe rajonalë, duke i tërhequr pas vetes në “epokën” e dixhitalizimit.

Paralelisht ishte planifikuar që AMA do të licenconte operatorët privatë, duke e përmbyllur të gjithë procesin. Por tenderi ndërkombëtar, i shpallur nga ministri i Inovacionit të kohës, Genc Pollo u kontestua në gjykatë.

Ministrja aktuale e Inovacionit, Milena Harito i tha BIRN se i gjithë procesi u vonua nga procedurat e zgjatura gjyqësore kundër tenderit të qeverisë Berisha për RTSH dhe kundër procedurës së parë të AMA për licencimin e operatorëve privatë.

Procesi u rizgjua në mars 2015, kur qeveria e majtë nënshkroi kontratën 21.5 milionë euroshe me kompaninë Rohde& Schwarz” për ndërtimin e dy rrjeteve të RTSH-së, ndërkohë që një muaj më pas, AMA hapi Beauty Contest-in e dytë për operatorët privatë.

“Brenda një periudhe 6 mujore nga fillimi i zbatimit të projektit do të realizohet mbulimi i 85 për qind të popullsisë nga RTSH,” i tha Harito BIRN në qershor 2015.

Rezulton që edhe ky afat ka dështuar.

Në AMA, çështja e operatorëve rajonalë dhe lokalë ka ngecur tek përcaktimi i tarifave. Kalimi nga transmetimet analoge në ato dixhitale për rreth 70 operatorë lokalë dhe rajonalë do të shoqërohet me një kosto për mbështetjen e tyre nga rrjetet e RTSH.

Gentian Sala thotë se RTSH propozoi një tarifë rreth 2700 euro-shifër kjo alogjike sipas tij.

“Ne pretendojmë që dixhitalizimi të jetë lehtësim, ajo po na del barrë për operatorët rajonalë dhe lokalë,” tha Sala.

Operatorët rajonalë dhe lokalë ofrojnë një panoramë të larmishme pikëpamjesh dhe informacioni në median shqiptare, por ata vuajnë nga burimet financiare të pamjaftueshme dhe operojnë në numër të kufizuar gazetarësh. Një kosto e kripur për kalimin në sistemin dixhital është kundërshtuar fort prej tyre në një mbledhje të organizuar disa muaj më parë nga AMA.

Një tarifë e dytë më e vogël është dërguar nga RTSH në AMA, por edhe ajo konsiderohet e fryrë. Në këto kushte, televizionet rajonale dhe lokale mbeten të paqartë për fazat e mëtejshme të procesit dhe për koston që do t’u rëndojë në kurriz.

Sipas Salës zvarritja e transformimit të TVSH-së nga një televizion analog në një transmetues dixhital, i cili do të shërbente si bartës i televizioneve lokale dhe rajonale, e ka penguar përmbylljen e procesit.

“TVSH e ka mbajtur procesin peng. Nëse do të ecte ai shpejt, presioni për të zgjidhur problemet me operatorët privatë do t’i merrte ata përpara,” thotë ai.

Aleksandra Bogdani, Besar Likmeta

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY